English

Lule, qirinj, lutje dhe lot para fotove të fëmijëve të vrarë në Konektikat (VIDEO)

Homazhe të shumta për fëmijët amerikanë janë mbajtur anembanë Amerikës por dhe në shumë vende të tjera. Lule qirinj të ndezur dhe lutje para portreteve të viktimave të shkollës fillore ku 20 prej tyre ishin fëmijë të moshës 5-10 vjeç.

Një homazh për fëmijët e vrarë në Shtetet e Bashkuara, por edhe një apel për policinë dhe organet e shtetit shqiptar për të forcuar masat e sugurisë në shkollat tona ishte mesazhi i lëvizjes Alternativa Civile në organizimin e këtij homazhi.

“Ky është një homazh njerëzor për jetën e atyre fëmijëve që u shuan në mënyrë të pafajshme. Edhe pse një popull tjetër dhe mijëra kilometra larg, ne bashkohemi me dhimbjen e familjave të tyre. Por kur kemi parë ato imazhe të asaj ngjarjeje të rëndë kemi pyetur veten: Po sikur e njëjta gjë të ndodhë në shkollat e fëmijëve tanë? Për këtë arsye i bëjmë apel policisë që të marrë masa, si dhe prindërve që të edukojnë fëmijët e tyre dhe t’i largojnë nga ambjentet e dhunshme”, deklaroi Mentor Kikia.

Për mëse dy orë, qindra qytetarë të Tiranës ndaluan para portreteve të fëmijëve të vrarë në Konektikat, duke ndezur qirinj si shenjë e dhimbjes njerëzore, e cila përçohet edhe mijëra kilometra larg, duke sjellë edhe paralajmërimin se krimi mund të godasë edhe në shkollat tona.

Nëse krimi ndodh, tha drejtuesi i Alternativës Civile, atëherë lutjet, mallkimet dhe akuzat do të jenë të kota. “Ne duhet ta ngremë zërin tani për të parandaluar të tilla krime, ndaj të cilave asnjë shoqëri nuk është e imunizuar”, deklaroi ai.
1563

KOMENTE