English

“Takimet e poeteshave shqiptare” në Vushtri të Kosovës

Për dy ditë radhazi në Vushtri të Kosovës u organizua manifestimi i poezisë “Takimet e poeteshave shqiptare”. Takimi i nëntorit të këtij viti ishte i 30-ti radhazi, ku poeteshat mbarëshqiptare, nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Europa perëndimore e SHBA-të, shpalosën krijimtarinë e tyre.

Në fund të takimit, juria vlerësoi me çmime poezitë më të arrira. “Çmimi i Qytetit të Vushtrisë” i është dhënë poetes korçare që jeton në SHBA, Raimonda Moisiu, për poezinë “Prag nate në Francë”.
Poezia “Si ia tregova rrugën një turisti” e poetes Aida Rexhepi nga Prizreni është vlerësuar me çmimin e parë, ndërsa me çmim të dytë është vlerësuar poetja dhe shkrimtarja nga Saranda, dr. Irena Gjoni, për poezinë “Atdheu im”.

Irena Gjoni është autore e disa botimeve, si “Tatuazh në shpirt të detit” poezi, “Marrëdhënie të miteve e kulteve të Bregdetit Jonian shqiptar me ato ndërkufitare” libër studimor, “Gjysma dashurish” e vëllimi poetik “Maja malesh e magme jonike”.
Poeteshat e ardhura nga vise te ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e shtete të tjera të botës, recituan poezitë e botuara në buletinin e 30-vjetorit “Takimet e poeteshave shqiptare Vushtria 2012″. Në këtë konkurrim morën pjesë me poezitë e tyre 35 poete.

KOMENTE