English

Balla: Argita Berisha fiton 17.5 milionë në muaj

Deputeti socialiste Taulant Balla, ka vijuar publikimin e fakteve mbi pasuritë e kryeministrit, familjarëve të tij dhe kabinetit qeveritar. Sipas deputetit socialist, 17.5 milionë lekë në muaj përfiton vajza e kryeministrit nga pasuritë e saj të dhëna me qera, shumë të cilat mund te ishin përdorur për qytetarët në nevojë, duke nisur që nga pensionet e invalidëve. Balla ka denoncuar me anë të fotografive dhe vilën superluksoze që Argita Berisha po përfundon në gjirin e Lalzit.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën për media të deputetit Taulant Balla:

Siç kemi premtuar, po vazhdojmë sot dhe në ditët në vijim, me zbardhjen për publikun të pasurive të bllokut të ri, tashmë me ngjyrë blu, të bllokmenëve të kësaj qeverie, të familjes biologjike dhe politike të Sali Berishës. Dje i kemi treguar publikut për pasurimin e habitshëm të vajzës së Kryeministrit, Zonjës Argita Berisha-Malltezi, e cila është edhe mësuesja më e paguar në Europë me 12 milionë lekë në muaj. Por pasurimi i kësaj zonje nuk vjen vetëm nga mësimdhënia, megjithëse vetëm ky profesion i sjell 12 milionë lekë në çdo muaj.
Një shumë tjetër mjaft e madhe, për standardet e të gjithë shqiptarëve, jo për standardet e oborrit të pushtetit, sigurohet edhe nga qeratë dhe pronat e paluajtshme që kjo zonjë disponon në të gjithë Tiranën e madje edhe më tej. Siç mund të shikojmë nga vetë deklarimi i pasurisë së zonjës në fjalë, ajo përfiton 42 milionë lekë në vit nga qeratë marramendëse.
Janë tre apartamente super luksoze në Tiranë, në Rrugën Mustafa Matohit, aty ku jeton edhe babagjyshi Kryeministër; në rrugën Lidhja e Prizrenit; dhe tek European Trade Center (ETC), të cilat janë prona të zonjës Berisha dhe që ajo thotë se i ka dhënë me qera.
Dhe çfarë qerash mblidhka: 900 Euro në muaj, 1170 Euro në muaj dhe 1450 Euro në muaj. Për t’ju treguar më qartë shqiptarëve të thjeshtë dhe me plot halle se cila është diferenca e vërtetë ndërmjet tyre dhe vajzës së Kryeministrit, mjafton t’u themi se sipas deklaratave të pasurisë të kësaj zonje, për njërin nga këto apartamente, atë në rrugën Mustafa Matohiti, ajo ka shpenzuar plot 378 milionë lekë për ta blerë. Bëhet fjalë për një “shtim në sipërfaqen e apartamentit” siç deklarohet nga vetë ajo, prej 121 metrash katrorë, vijuar nga blerja e një tjetër apartamenti tjetër në po atë kat, me një sipërfaqe prej 195 metrash katrorë, në total 316 metra katrorë apartament.
Pra Zonja Argita Berisha, përveç pronave të tjera jeton plot salltanet në një kat të tërë pallati. Për këtë listë pronash pafund të paluajtshme duam ta pyesim edhe për një vilë qindra metra katrorë në Gjirin e Lalzit, vend i preferuar për oborrin e pushtetit dhe rezidenca verore e bllokut të ri blu. Një super vilë që po mbaron tashmë, pas shembjes së një vile tjetër. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto 200 milionë të ardhura, në deklaratën e vitit të shkuar shtohen edhe nja 8 mijë Euro, para xhepi, “pagesa të prapambetura nga aktiviteti tregtar”, që sipas vetë kësaj zonje e kishte ndërprerë dy vite më parë, për t’iu përkushtuar mësimdhënies.
Thënë më qartë vajza e kryeministrit të vendit fiton plot 17.5 milionë Lekë në muaj, pra më shumë se 210 milionë lekë në vit, një pagë kjo e krahasueshme me pagat e Presidentëve, zëvendës Presidentëve apo Kryeministrave të vendeve të zhvilluara. Po kjo shumë do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e dhjetëra familjeve të zhytura në nevojë nga babai i zonjës Argitë, duke filluar nga pensionet e invalidëve që nuk jepen prej muajsh.
Duke fituar 210 milionë lekë në vit kupton se pse neo-bllokmenët blu të Shqipërisë nuk kanë asnjë interes në përmirësimin e gjendjes në vend dhe nuk shohin ndonjë krizë ekonomike – sepse ndërsa 95% e shqiptarëve varfërohen, bllokmenët e rinj janë duke bërë pasuri përrallore. Sot në Shqipëri nëse je një mësues i zakonshëm të duhet të shtrëngohesh e të racionohesh për të arritur fundin e muajit, por nëse je vajza e Kryeministrit edhe mësuese bëhesh milionere. Duhet të sqaroj se këto 210 milionë lekë janë vetëm ato që janë deklaruar si fitime në një vit të vetëm. Në ditët në vijim ne do të vazhdojmë zbardhjen e këtyre padrejtësive që po pasuron një familje biologjike e politike në kurriz të të gjitha familjeve të këtij vendi.

KOMENTE