English

Berisha: Rruga e shpëtimit të ekonomisë nga kriza, është mbështetja te biznesi dhe favorizimi i tij

Kryeministri Berisha pati sot, një drekë pune me anëtarë të Dhomës Amerikane e Tregtisë, gjatë së cilës shkëmbeu mendime dhe iu përgjigj disa problematikave të ngritura.

“Së pari, dëshiroj t’u përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj me mirënjohje për ftesën që më bëtë për të diskutuar së bashku, në këtë drekë, për probleme, të cilat shqetësojnë Dhomën Amerikane të Tregtisë, në Shqipëri. Më lejoni t’ju siguroj se krijimi i një klime miqësore për biznesin është dhe mbetet prioriteti më madhor i kësaj qeverie. Në qoftë se Shqipëria ju shëmbëllen sot, me Davidin, në betejën e saj me krizën, kjo, para së gjithash, është në sajë të përpjekjeve të mëdha të kësaj qeverie dhe i përcaktimit të saj se rruga më e sigurt për të mbrojtur këtë vend dhe këtë ekonomi nga kriza është që të mbështetemi tek biznesi dhe të bëjmë gjithçka për suksesin e tij. Në qoftë se vështroni të dhënat më solide ndërkombëtare, ato dëshmojnë se kjo ka qenë një politikë e suksesshme.

Të dhëna të institucioneve më serioze, Organizatës Botërore të Tregtisë, OECD-së etj., provojnë se, në rast se në tërësi në botë investimet e huaja u ulën me 37 përqind, në Shqipëri, në një hark kohor 4 vjeçar, ato janë rritur me 316 për qind. Shqipëria është një nga më të paktat vende që pati dyfishim të eksporteve, nga viti 2009 në vitin 2011. Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë që ruajti një rritje ekonomike konstante dhe nuk ra në recension.

Shqipëria i arriti të gjitha këto, jo për shkak të gjetjes dhe shfrytëzimit të rezervave të jashtëzakonshme të gazit, naftës a floririt, por i arriti duke u bazuar në parimin: mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kriza është të ndihmojmë biznesin.

Shqipëria ka sot një prej barrave fiskale më të ulëta. Natyrisht ajo nuk është Kina, por me barrën fiskale prej 23 përqind, Shqipëria është një nga vendet e lakmueshme në këtë aspekt.

Shqipëria ka bërë shumë për të zhdukur pengesat dhe rëndesat burokratike mbi biznesin. Falë një programi të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 2007 e më tej, biznesi regjistrohet në 30 minuta, me një kosto prej një euro. Sot ka një qendër licencash e lejesh, e cila funksionon shumë mirë. Sot ka një dixhitalizim të shërbimeve, të regjistrit të tokës dhe të shërbimeve të tjera. Për të mbrojtur në pikën më të dobët të saj investitorët e huaj, Shqipëria ka vendosur një ligj diskriminues pozitiv, çka do të thotë se investitori i huaj, i cili e blen tokën mbi bazën e dokumenteve origjinale shtetërore, nuk mund të ketë më pengesa nga askush dhe për të gjitha është përgjegjëse dhe do përgjigjet qeveria. Ndërsa ia do të vazhdojë investimin e tij.

Vetëm në këtë buxhet, iu la biznesit së paku rreth 100 milionë euro, duke hequr TVSH-në për çdo makineri - vendimi është vetëm për ata që kanë kosto mbi 500 mijë, por ajo do të zbresë për të gjitha makineritë – si dhe TVSH-në për hekurin dhe çimenton që përdoret për energjinë e rinovueshme.

Shqipëria ka tregun e punës më të leverdishëm në Europë.

Natyrshëm, jemi të bindur se ky mjedis, i faktuar miqësor ndaj biznesit, ka nevojë për përmirësime dhe përsosje të mëtejshme. Pra, të dashur miq, ne besojmë se kemi vetëm një mburojë nga kjo krizë dhe kjo mburojë është të mbështesim biznesin, të mbrojmë biznesin nga burokracia, të shohim me kujdes se ku mund të ndërhyjmë për të lehtësuar më tej barrën fiskale dhe të bëjmë çfarë është e mundur që të thjeshtojmë gjithnjë e më shumë rëndesën burokratike mbi biznesin.

Zoti President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ju keni parashtruar këtu një seri çështjesh, të cilat ju garantoj se janë ashtu si ju i shtruat, por, nga ana tjetër, ekziston një vullnet i qeverisë për të ecur në zgjidhjen e tyre. Unë dua t’u rrëfej një gjë: që javën e parë si kryeministër, me bashkëpunëtorët e mi të financave dhe ekonomisë kemi vendosur në themel të të gjithë përpjekjes sonë, lirinë ekonomike. Unë besoj se aty është e gjithë energjia krijuese e një ekonomie, e një shoqërie. Lirinë ekonomike nuk e kërcënon asgjë tjetër më shumë, sesa korrupsioni, të cilin në ekonomi, unë e marr si informalitet. Unë gjithnjë kam qenë dhe mbetem i bindur se informaliteti në ekonomi është korrupsion. Nuk ka asgjë të padukshme. Asgjë nuk lëndon më shumë një biznes, në qoftë se një biznes tjetër, për shkak të informatitetit, është i vendosur në kushte të barabarta me të. Absolutisht nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë qëllim parësor - dhe kjo mund t’ju duket çudi - të ardhurat në arkën publike. Nëse do të kishim këtë qëllim kryesor, ne do të qëndronim te politika e taksave të larta, nuk do të hiqnin TVSH-në, ku, siç e thashë më lart, vetëm për TVSH-në për të gjitha makineritë, çimenton dhe hekurin për hidrocentralet, humbin çdo vit rreth 100 milionë euro, madje edhe më shumë në të ardhmen. Qëllimi ynë më madhor është liria ekonomike e tregut. Pastaj, ju në përputhje me aftësitë tuaja ndërtoni suksesin dhe ndonjëherë edhe mossuksesin tuaj.

Është e vërtetë se autoriteti tatimor ka arbitraritete, por është edhe e vërtetë se ka një sistem të shqyrtimit të ankesave. Në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në çdo vend të lirë autoriteti tatimor, përsa i përket kompetencave ngjason me pushtetin gjyqësor në një shkallë dhe me një institucion ekzekutiv. Në këtë kontekst, unë nuk mund të them se mund të ketë mbrojtje të plotë nga arbitrariteti i autoritetit tatimor, edhe pse është dëshirë, është e pamundur, por ka një sistem të shqyrtimit të ankesave dhe ky sistem do të ecë duke u përmirësuar. Nuk mund të jetë ndryshe, përveçse reformimi dhe konsolidimi i pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tjera. Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të thjeshtuar procedurat, por kundërshtitë midis biznesit dhe autoritetit tatimor janë një dukuri e rëndomtë.

Së dyti, çështja e prapaveprimit. Personalisht jam kundër, por në doktrinën e taksave nuk pranohet. Unë personalisht, duke ju folur si kryeministër, nuk mendoj se duhet të japësh veprim prapaveprues, por po të shohësh doktrinën tatimore, investigimi ka veprim retrospektiv. Ju ngritët raste konkrete. Në qoftë se ligji autorizon si shpenzim të zbritshëm një sasi të caktuar, për shembull, karburanti dhe kjo sasi trefishohet dhe autoriteti tatimor konstaton se nga kjo sasi ka dalë në treg, as kryeministri e askush tjetër mund ta pengojë atë të bëjë hetimin e vet. Dhe ky hetim është edhe interesi më i mirë i biznesit. Këtu nuk është çështja e të ardhurave, por është tek liria ekonomike. Në qoftë se një biznes fut në treg naftë pa akcizë, natyrisht ata që paguajnë akcizën ndjehen të vështirësuar. Kështu që hetimi tatimor është një proces që nuk ndalet dot nga ekzekutivi, por e rëndësishme është që ky hetim të ketë transparencën më maksimale dhe ne qëndrojmë për këtë. Ju keni shumë të drejtë dhe ju siguroj se do të marrë zgjidhje.

Zëri juaj duhet të dëgjohet në mënyrë të vazhdueshme. Pranë ministrisë së Ekonomisë ekziston një Këshill Konsultativ i Biznesit, i cili mund të mos shprehë përfaqësimin real të biznesit. Ai është miratuar me ligj disa vite më parë, por një gjë është e sigurt: nuk ka ligj që pengon të dëgjohet zëri i biznesit, qoftë me përfaqësim si Dhoma, qoftë edhe individual. Dua t’ju siguroj se çdo ankesë e dërguar në zyra dhe po flas për zyrën time, në mënyrë kategorike nuk mbetet pa shqyrtim dhe shqyrtohet me përparësi të madhe, por ajo është ankesë dhe jo mendim. E rëndësishme është të merret mendimi dhe ne jemi shumë të interesuar për të marrë mendimet më të mira tuaja, që janë edhe interesi më i mirë i zhvillimit ekonomik.

Problemi i TVSH-së ekziston dhe ne po përpiqemi. Ne kemi vendosur parimin, e sanksionuar edhe në ligj, të kompensimit automatik, por se ku bllokohet do të shqyrtohet me përparësi. Jemi të gatshëm të vendosim format më të sigurta të disbursimit të TVSH-së. Në qoftë se mekanizmi automatik nuk funksionon, ka edhe mekanizma të tjera që mund të vendosen dhe ne qëndrojmë për këtë. Interpretimet e ndryshme, në rastet kur vijnë nga paqartësi të ligjit, qeveria në mënyrë konstante qëndron për zhdërvjelltësimin e ligjeve, por kjo nuk do të thotë se ato mund të shmangen.

Edhe një herë kërkoj të kuptojmë se, në qoftë se ka një autoritet, që në pamje të parë duket ekzekutiv, por që është e duhet të jetë absolutisht i pavarur është autoriteti tatimor. Që në momentin e parë që ky autoritet të veprojë mbi urdhrin e ministrit apo kryeministrit, ju garantoj se futet në një orbitë shumë të papërshtatshme, në radhë të parë, për ju dhe për vendin në tërësi. Nëse krijohet precedenti me urdhër, kjo krijon premisa. Unë jam i bindur se bëhen padrejtësi, por duhet të kemi durim, në interesin më të mirë tuajin, që të ndiqen rrugët ligjore të trajtimit të tyre. Zëri juaj nuk mund të mos dëgjohet. Ai është shumë i dëgjuar.

Edhe një herë ju bëj thirrje të fuqizoni këtë Dhomë Tregtie, në kuptimin e asaj që të shndërroheni në magnet. Ju më thatë 150 kompani amerikane dhe unë uroj që ato të zbarkojnë që javën që vjen në Shqipëri. E rëndësishme është të mos presim të zbarkojë suksesi, por ta ndërtojmë sëbashku atë, me përpjekje të përbashkëta. Historitë e suksesit janë të shumta. Historitë e tjera duhet të ndërtohen dhe unë ju falenderoj shumë për vërejtjet që ngritët, vëmendjen që më kushtuat dhe për drekën e shijshme që shtruat për mua.”

KOMENTE