English

Kredi të zbutur për çdo projekt rreth përpunimit të bimëve aromatike mjekësore në vend

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në Konferencën e Tetë Kombëtare të industrisë së përpunimit të bimëve aromatike mjekësore të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe shoqata EPCA. Të pranishëm në këtë konferencë ishte Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli, Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, si dhe specialistë të fushës, kultivues e përpunues të këtyre bimëve në Shqipëri.

Duke theksuar rëndësinë e sektorit prodhimit dhe trajtimit të bimëve mjekësore, Kryeministri Berisha u shpreh se, meqënëse këto bimë natyralisht kultivohen në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, ku varfëria është më e madhe, përpjekja e qeverisë do të konsistojë në fuqizimin e këtij sektori si një mekanizëm për të luftuar varfërinë në këto zona. “Ju garantoj se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për ta spostuar në një nivel shumë më të lartë qëndrimin ndaj kësaj pasurie të madhe natyrore, por kësaj pasurie nga e cila përfitojnë në tërësi familjet e varfra të vendit.” u shpreh kryeministri

Kryeministri theksoi se një rëndësi të veçantë merr zhvillimi i sektorit të përpunimit të këtyre bimëve, i cili do tu rrisë vlerën këtij produkti shqiptar kaq të vlerësuar në botë dhe do të krijojë më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura për familjet shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri premtoi se, qeveria do të mbështesë me kredi duke zbutur interesat e të gjitha projekteve për përpunimin e bimëve aromatike mjekësore në vend.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha tha se, “Qeveria do të mbështesë me të gjithë forcën e saj, laboratorët më modernë që duhen për të gjitha llojet e çertifikatave dhe vërtetimin e cilësive të tyre”.

KOMENTE