Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe vendimin “Për fondin e ekselencës për mbështetje financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer”. Vendimi propozon që me fondin e ekselencës prej 150 milionë lekë në të mbështeten studentët që fitojnë të drejtën e studimit/master/doktoraturë në një nga universitetet më të mira të botës, sipas renditjes botërore të universiteteve të vitit të fundit. Vendimi parashikon zgjerimin e listës së universiteteve, sipas fushave të studimit në shkencat shoqërore apo shkencat natyrore, në bazë të renkimit të tyre botëror.
Duke prezantuar këtë vendim, Kryeministri Berisha tha se qeveria do të mbështesë studentë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët fitojnë të drejtën e studimit në një nga 10 universitetet më të mira të botës. “Kjo ofertë të jetë për të gjithë studentët shqiptarë. Nuk mund të bëjmë dallim. I takon Shqipërisë të krijojë mundësi më të gjera.”
Vendimi përcakton se studentët dhe doktorantët që do të formohen në universitetet më të mira të botës do të japin kontributin e tyre për 3 vjet në Shqipëri, në sektorin publik ose privat.
Kryeministri tha se Shqipëria ka personalitete të shquara, të cilët i bëjnë shumë nder jo vetëm kombit shqiptar, por edhe kombeve ku ata jetojnë e punojnë, ndërsa nënvizoi se duhet të bëhet gjithçka që lidhjet e tyre me Shqipërinë e shqiptarët të jenë lidhje sa më prezente.