English

Konferenca “Diplomacia publike në epokën digjitale”

Më 20 dhjetor 2012, Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel organizoi në hotel “Rogner” konferencën “Diplomacia publike në epokën digjitale”. Në konferencë morën pjesë dhe folën përfaqësues të shoqërisë civile, ambasadorë, diplomatë, gazetarë dhe të ftuar të tjerë. E ftuar në konferencë ishte edhe ambasadorja e R. F. të Gjermanisë znj. Carola Muller-Holtkemper, e cila, në fjalën e saj, përshëndeti punimet e kësaj konference. Fjalën e hapjes e mbajti Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, i cili, duke folur për rolin e mediave dhe të shoqërisë civile në një shoqëri të hapur demokratike, e vuri theksin në funksionin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të diplomacisë publike në epokën digjitale, si dhe bashkëpunimin e ngushtë të dikasterit që ai drejton me aktorët e ndryshëm jo qeveritarë, siç janë OJQ-të, në të mirë të funksionimit të një shoqërie të hapur e demokratike dhe të proceseve integruese të vendit. Më poshtë, fjala e plotë e z. Panariti:

Është kënaqësi për mua të ndodhem sot këtu mes jush dhe të përshëndes një veprimtari që mbart një domethënie mjaft kuptimplotë përsa i përket bashkëkohësisë dhe dinamikave të saj; me të parën kam parasysh Diplomacinë Publike në krejt dimensionin e saj dhe, me të dytën, epokën e digjitalizimit në të cilën jemi përfshirë vrulltazi dhe e përjetojmë orë e çast, në punën dhe jetën tonë të përditshme. Prandaj dhe e shoh me vend e të goditur temën e përzgjedhur nga Akademia jonë Diplomatike, si dhe bashkëpunimin e frytshëm në këtë rrafsh me Fondacionin Hans Seidel, të cilët, përfitoj nga rasti t’i falënderoj e t’i ftoj, njëkohësisht, ta vazhdojnë e zgjerojnë bashkëveprimin me ne në sferën më publike të diplomacisë, duke qenë se bashkëveprimi profesional me një fondacion të huaj është një vlerë e shtuar krahas atij me shoqërinë civile shqiptare.

Veprimtaria e sotme është një shprehje elokuente e bashkëpunimit midis institucioneve të ekzekutivit dhe shoqërisë civile, një pikë takimi e natyrshme midis aktorëve të një shoqërie demokratike, si dhe një model i frytshëm i shfrytëzimit të hapësirave të bashkëpunimit të ndërsjellë në shërbim të shoqërisë sonë në përgjithësi. Unë dhe institucioni që drejtoj kemi qenë dhe do të jemi pjesë aktive e nismave të ndërmarra në suazë të jetës sociale, politike dhe kulturore. Ministria e Jashtme, ka luajtur dhe do të vijojë të luajë një rol të dorës së parë në drejtim të aplikimit të një diplomacie publike profesionale, efektive dhe pragmatike.

Frytshmërinë e këtij aspekti nuk e shoh dhe aq në marrëveshjet formale me karakter burokraktik dhe propagandistik, të cilat, më pas, mbeten thjesht në letër, por në shfrytëzimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe, sidomos, të një aksioni të zhdërvjellët politik, civil, diplomatik, publik, kulturor e mediatik si shprehje e një mendësie dhe fryme të re në sferën tonë.

Gjenerimi i ideve dhe pasurimi i tezave mund dhe duhet të jetë një tjetër territor, edhe pse deri më sot pak i eksploruar, për t’u përpunuar dhe shfrytëzuar së bashku. Kjo është një ftesë që unë po ua bëj duke përfituar nga ky takim pune.

Dialogu me publikun, si shprehje e dimensionit të ri të diplomacisë publike, përfaqëson një nga aspektet më të reja dhe më thelbësore të procesit, i cili rrok të gjitha fushat me interes të ndërsjellë: atë politike, ekonomike dhe kulturore. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët shoqërorë ka një karakter dhe impakt të fortë strategjik, duke qenë se merret me probleme të përbashkëta që ndajnë mes tyre shumë prej partnerëve socialë. Ajo çka ne sot e konsiderojmë mjaft të rëndësishme në kuadër të zhvillimeve më të fundit bashkëkohore dhe dinamikave sociale është dhënia e një profili të ri, të orientuar ndër të tjera, edhe drejt projekteve dhe rezultateve konkrete. Ministria e Punëve të Jashtme ka luajtur dhe do të luajë krahas hartimit dhe implementimit të politikave edhe një rol bashkërendues, ndërkohë që u takon edhe partnerëve tanë të angazhohen me projekte dhe vizione ambicioze në të gjitha hallkat e procesit.

Një studiues i huaj e ka quajtur diplomacinë publike një eufemizëm, emërtim modern të përdorur nga qeveritë për të maskuar termin tashmë të diskredituar: Propagandë.

Po ky studiues vijon më tej, duke thënë se diplomacia publike nuk është më një term në modë, por një veprim në modë. Përtej gjykimit të rreptë të mësipërm, diplomacia publike, duhet këqyrur si një element emancipues dhe demokratizues i politikës së jashtme. Kjo është qasja që ne kemi pasur dhe që do vijojmë të kemi edhe në të ardhmen.

Falë këtij procesi, mund të themi se, e kemi zhvendosur politikën e jashtme dhe për rrjedhojë diplomacinë shqiptare nga propaganda, si element i manipulimit të opinionit publik tek informacioni korrekt dhe pozitiv.

Ndërkohë që jemi në udhë e sipër drejt asaj që mund ta quajmë veprimtari publike ndëraktive, një sinergji me të gjitha shtresat e shoqërisë. Këtij qëllimi i kanë shërbyer diplomacia publike me gjithë elementët e saj përbërës, por edhe ajo që kemi adoptuar së fundi, diplomacia digjitale: një komunikim i hapur, i drejtpërdrejtë me të gjithë qytetarët shqiptarë brenda e jashtë vendit nëpërmjet rrjeteve socialë që mund t’i gjejnë në faqen elektronike të Ministrisë sonë.

Nuk mund të flasim për politikë të jashtme, diplomaci publike, kulturore, ekonomike, integrim pa nisur nga vetë procesi i demokratizimit të vazhdueshëm të mbarë shoqërisë sonë. Dhe ky demokratizim nuk mund të kuptohet dhe realizohet pa një ndërveprim mes të gjithë aktorëve të shoqërisë sonë; mes identiteve të ndryshme etnike, fetare e kulturore, si një domosdoshmëri humane në radhë të parë, por edhe si shprehje të një stadi të ri emancipues e qytetar, sepse vetëm kësisoj ne jemi në gjendje të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, por edhe të mësojmë prej njëri-tjetrit, madje edhe atëherë kur idetë dhe mendimet janë të ndryshme, në mos të papajtueshme me të tonat.

Në mbyllje të fjalës sime përshëndetëse, më lejoni t’i uroj punë të mbarë dhe të frytshme kësaj konference dhe organizatorëve të saj.

Ju faleminderit!

KOMENTE