English

Ruçi: si e gjeti e si po e lë Shqipërinë kryeministri në ikje

Nënkryetari i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi u është përgjigjur akuzave të pabaza të kryeministrit të vendit ndaj opozitës shqiptare gjatë diskutimit në parlament të paketës fiskale. Duke marrë fjalën në seancën plenare të zhvilluar sot paradite Ruçi u shpreh se buxheti i paraqitur nga kjo qeveri nuk ndihmon rimëkëmbjen e ekonomisë, pasi rritja e saj ka ndaluar; se ky buxhet nuk ndikon në zbutjen e efekteve të krizës ekonomike, pasi në 7 vjet barra fiskale e të ardhurave nga puna për familjet është rritur nga 32% në 38%; se ky buxhet nuk shoqërohet me ulje të borxhit, por përkundrazi me rritje të borxhit; se ky buxhet nuk e zbut varfërinë, përkundrazi e shton atë; se ky buxhet nuk e ul papunësinë, përkundrazi e rrit atë. Dhe të gjitha këto sipas Ruçit nuk i thotë as Edi Rama dhe as PS-ja, po statistikat e qeverisë dhe institucionet ndërkombëtare FMN e BB.

Më tej kreu i grupit kuvendor të PS-së ka renditur njëra pas tjetrës të gjitha çmimet e produkteve ushqimore, që nga buka, mielli, orizi, sheqeri, vaji, e duke vazhduar më tej me produktet e tjera të nevojshme për familjet shqiptare si energjia apo karburanti, të cilat janë rritur në mënyrë të ndjeshme, deri edhe dy apo tre herë, gjatë qeverisjes së atij që Ruçi e quajti në vazhdimësi Kryeministri në ikje. Por lista krahasimore ka vijuar më tej me nivelin e borxhit publik, apo të analfabetizmit që po ashtu janë rritur në mënyrë dramatike. Aspak më e mirë paraqitet situata në fshat, prej nga ku Ruçi ka evidentuar çmimet e rritura të uresë, nitratit, DAP-it, superfosfatit, ushqimit për blegtorinë, frezimit për një hektar tokë, etj, etj. “E pra, për të gjitha këto ke propozimet tona për paketën fiskale, që do t’i propozojë grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Miratoji në qoftë se je pro fshatarësisë dhe pro fermerëve shqiptarë. Kështu diskutohet me përgjegjshmëri dhe jo me slogane dhe me mashtrime sa herë që diskutohet buxheti, zoti kryeministër në ikje” e ka përfunduar replikën e tij kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.

KOMENTE