Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Turqi, sot është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu.
Hoxhaj dhe Davutoğlu kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, të cilat janë vlerësuar të shkëlqyera në rrafshin politik, diplomatik dhe në fushat e tjera.
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar kontributin që ka dhënë Turqia për shtetin e Kosovës duke qenë një ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë dhe duke vazhduar me përkrahjen e fuqishme në lobimin për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Hoxhaj ka kërkuar nga Davutoğlu vazhdimin e përkrahjes së Turqisë për Kosovën, me theks të veçantë në përmbylljen procesit të njohjeve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu e ka falënderuar homologun turk për mbështetjen e madhe që po jep Turqia për zhvillimet në Kosovë, mbështetjen në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it, por edhe mbështetjen në fushën e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimit tregtar dhe shkëmbimeve në arsim, shkencë, teknologji dhe kulturë.
“Dëshmia më e mirë për këtë është nënshkrimi i mbi 40 marrëveshjeve që e institucionalizojnë këtë bashkëpunim, investimet turke në Republikën e Kosovës si dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet dy shteteve. Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik, politik, ekonomik i Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai po ashtu e ka informuar homologun turk për jetësimin e Pakos së Ahtisaarit dhe ndërtimin e një shteti dhe shoqërie shumetnike, duke e falënderuar për rolin kyç që ka pas Turqia në misionin e ICO-së.
Hoxhaj e ka njoftuar ministrin Davutoğlu edhe për dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për temat e dialogut, zhvillimin e deritashëm të procesit dhe dinamikën e tij.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu, ka vlerësuar lart progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës.
Ministri Davutoğlu ka shprehur përkrahjen e fuqishme të Turqisë për forcimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me theks të veçantë në përmbylljen e procesit të njohjeve.
“Turqia mbështet fuqishëm procesin e njohjeve si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtar”, ka thënë Davutoğlu, duke vlerësuar rolin e Kosovës në paqen dhe stabilitetin në rajon.