Me gëzimin për të ndarë frymën e festave me fëmijët, për të ndarë dashurinë me ta, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha ndezën dje, sëbashku me fëmijët e komunitetit rom, dritat e pemës së krishtlindjeve dhe vitit të ri, të vendosur në sheshin para Galerisë Kombëtare të Arteve.
Ndërsa ndriçuan pemën, në një atmosferë festive, Kryeministri Berisha tha se shpirti i festave janë pikërisht fëmijët. Ai tha se për të është një gëzim shumë i madh por edhe kënaqësi që e nis festimin e krishtlindjeve dhe vitin e ri më së pari me këta fëmijë, të cilët siç tha ai, janë më të bukurit, më të gëzuarit, më të mirët e të gjithë Tiranës. “Ndaj dhe ju uroj me shumë zemër, ju uroj gëzuar këto festa ti kaloni bukur ato me njëri tjetrin me familjen dhe të keni gjithnjë gëzime, shëndet, suksese në shkollë gjithnjë e më të mëdha”, u shpreh kryeministri.
Duke i uruar që ata ti kalojnë sa më të gëzuar këto festa , kryeministri Berisha siguroi se do bëhet gjithçka për të ndihmuar, për të lehtësuar e për të përmirësuar jetën e tyre dhe shkollimin e tyre. “Do bëjmë gjithçka që fëmijët në Shqipëri dhe veçanërisht fëmijët rom, të kenë një jetë gjithnjë e më të mirë”, theksoi kryeministri në fjalën e tij.
Ndërsa zonja Liri Berisha duke i uruar fëmijët që të jenë gjithmonë të lumtur e të shëndetshëm theksoi se pema që u ndez sot do të jetë pema e tyre.
Gjatë festës, Kryeministri dhe zonja Liri Berisha shpërndanë dhurata për fëmijët dhe shkëmbyen biseda të shkurtra gazmore me ta.