Në një intervistë për Zërin e Amerikës,Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se platforma e Serbisë për Kosovën, është zhurma e fundit që po bënë Beogradi dhe si e tillë ajo është e parealizueshme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Thaçi flet edhe për reformën kushtetuese në vend dhe bashkëpunimin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin e saj, Ramush Haradinaj.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, viti po përmbyllet me procesin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit me Serbinë, por ky proces po përcillet më paqartësi rreth regjimit doganor në veri. Çfarë po ndodhë në fakt atje?
Hashim Thaçi: Po ndodhë ajo që pritej të ndodhte. Po ndodhë ajo për çka jemi marrë vesh, për çka kemi arritur marrëveshje shteti i Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së. Po ndodhë implementimi i IBM-së. Kjo po ndodhë për herë të parë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Është një kriter dhe standard evropian, që nënkupton edhe vënien e kufirit në mes shtetit tonë dhe Serbisë. Në dy pika doganore veç ka filluar implementimi, ka filluar suksesshëm. Gjithçka është e qartë sipas marrëveshjes. Në do të respektojmë në çdo marrëveshje kushtetutën dhe ligjet tona dhe dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari. Ndërsa më datën 31 dhjetor, do të fillojë implementimi edhe në dy pika të tjera, në njërën pikë në veri dhe tjetrën tek Dheu u Bardhë. Kështu që, gjatë janarit, do të përmbyllet i gjithë procesi i funksionalizimit të pikave doganore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Por, ka pasur pakënaqësi me faktin se çështja e taksave doganore është interpretuar ndryshe nga Beogradi ndryshe nga Prishtina...?
Hashim Thaçi: Interpretimet kanë qenë të ndryshme nga Serbia për marrëveshjen, por, interpretimi dhe implementimi nga shteti i Kosovës është në përputhshmëri të plotë me autoritetet ndërkombëtare, me EULEX-in, është implementim i plotë i marrëveshjes së arritur në Bruksel. E di se ka pasur paqartësi apo pakënaqësi mund të themi në Beograd rreth kësaj çështjeje, apo më tepër te disa individë që kanë keqpërdorur gjendjen në veri të mos sundimit të ligjit. Sido që të jetë, mendoj se grupet teknike kanë arritur marrëveshjet përkatëse, kanë filluar së implementuari dhe tash ne si njerëz të politikës, si institucione bashkërisht edhe me autoritetet ndërkombëtare, duhet të punojmë që të funksionalizohet edhe më suksesshëm ky projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë
Zëri i Amerikës: Në prag të takimit të radhës ndërmjet jush dhe kryeministrit serb Ivica Daçiç, Beogradi doli me një platformë, e cila parasheh një shkallë të lartë autonomie për veriun. A po rrezikon kjo procesin e bisedimeve?
Hashim Thaçi: Në janar pritet të ndodhë takimi i katërtë me radhë ku do të diskutohen çështje jashtëzakonisht të rëndësishme. Domosdoshmëria e largimit të strukturave jo legjitime në veri, të strukturave të sigurisë, strukturave të dirigjuara, të kontrolluara dhe financuara nga Serbia. Ky është edhe zotimi i BE-së me mbështetje të SHBA-së. Projekti i ri i presidentit (Tomislav) Nikoliç, është një projekt që nuk do të realizohet në Kosovë. Është një projekt për konsum të brendshëm, është një projekt kundër paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe një projekt anti evropian. Unë jam konsultuar me të gjitha autoritetet në Bruksel dhe Washington. Prandaj, qëndrimi i Prishtinës është shumë i qartë, i njëjtë dhe i koordinuar me SHBA dhe BE-në. Pra ai projekt, nuk do të ketë ndonjë validitet për Kosovën, nuk do të jetë i realizueshëm në Kosovë dhe do të mbetet në sirtarët e Beogradit dhe në dëshirat e parealizuara të Beogradit në raport me Kosovën.
Zëri i Amerikës: A i keni diskutuar këto çështje në takimet e deritashme me kryeministrin Daçiç?
Hashim Thaçi: Kjo çështje nuk është diskutuar, sepse nuk lejoj të diskutoj për projektet e Beogradit për Kosovën. Unë diskutoj vetëm duke u nisur nga agjenda që ka Kosova, BE, SHBA, për të ardhmen e Kosovës, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe për procesin e agjendës për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe jo projekte të mentaliteteve të vjetra të Beogradit. Dhe nuk diskutoj me Beogradin për rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. Kjo është në autoritetin e shtetit tonë sovran, të respektimit të plotë të kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe pakos së presidentit Ahtisaari
Zëri i Amerikës: Por, zoti Kryeministër, ky sovranitet sfidohet në veri ku nuk pranohen dhe nuk njihen institucionet e Prishtinës. Si mendoni ta integroni...?
Hashim Thaçi: Sovraniteti i Kosovës është cenuar shpeshherë nga Beogradi, por ndryshimi ka ndodhur më 25 korrik të vitit të kaluar, kur definitivisht është shuar njëherë e përgjithmonë ëndrra e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Tani, pas atij zhvillimi, gjithë bota është ri fokusuar për Kosovën, në veçanti për domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve në veri, për rend dhe ligj, për demokraci, për zgjedhje të lira, për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj. Prandaj, sot Prishtina vepron e punon në mënyrë të koordinuar me BE-ne, SHBA-në, me NATO-n dhe EULEX-in. Ndërsa tash është duke u bërë zhurma e fundit e Beogradit në raport me Kosovën. Serbia dhe liderët në Serbi, janë të vetëdijshëm se Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe diçka të tillë në takime të mbyllura edhe me diplomatë e kanë pranuar dhe e pranojnë. Por, natyrisht se ata punojnë edhe për opinionin e tyre të brendshëm që të thirren ende në emër të Kosovës.
Zëri i Amerikës: A ka një afat kohor, bashkërenduesi juaj tha se qershori i vitit të ardhshëm mund të jetë njëfarë kuadri kohor për zgjidhjen e çështjes së veriut?
Hashim Thaçi: Nga kontaktet që kemi pasur me baroneshën (Catherine) Ashton, nga takimet dhe bisedat edhe me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të themi se besojmë që gjërat do të lëvizin më shpejt pas vitit të ri dhe orientimisht fundi i pranverës, fillimi i verës së vitit të ardhshëm, mendohet që të përmbyllet procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë- Serbi, që do të nënkuptonte një normalizim sipas standardeve dhe vlerave evropiane që do të përmbyllej në të ardhmen jo të largët edhe me njohjet reciproke ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe integrimin e vendeve tona në NATO dhe BE, jo vetëm Kosovës dhe Serbisë, por gjithë rajonit.
Zëri i Amerikës: Po u kthehemi pak problemeve të brendshme. Viti po mbyllet e ndërkaq ka ngecur reforma kushtetuese e zgjedhore. Ku ka ngecur procesi?
Hashim Thaçi: Realisht, fundi i vitit ka shënuar një rritje të dinamikës së dialogut të brendshëm ndërpartiak në Kosovë. Dhe Kosova sa i përket këtij dialogu pozitë – opozitë, është shembull në rajon, ku të gjithë komunikojnë me të gjithë dhe të gjithë ulen në një tavolinë të përbashkët për të diskutuar për çështje të interesit të përbashkët shtetëror. Ne kemi diskutuar, të gjithë liderët politik, në takimet e fundit për reformën elektorale, reformë e domosdoshme dhe që garanton zgjedhje të lira, demokratike, të pranueshme nga të gjithë. Orientimisht, të gjithë pajtohemi që procesi i votimit të jetë sa më i thjeshtë. Ka ende mendime të ndryshme, po jemi edhe përfaqësues të partive të ndryshme. Por, jemi duke diskutuar që ky proces të lëvizë më shpejt, por unë jam optimist që po ndërtohet gradualisht një konsensus i mjaftueshëm që do të lëvizte gjërat përpara. Na ka ndodhur një pështjellim i panevojshëm apo një gabim profesional nga LDK-ja që ka dërguar në Gjykatën kushtetuese interpretimin e amendamentit të dhjetë dhe tash kemi vendimin e gjykatës që na ka krijuar një situatë të re dhe skena politike kosovare vazhdimisht ka respektuar vendimet e gjykatës kushtetuese. Por, unë besoj që çështjen e presidentes e kemi ndarë anash për të punuar për reformat tjera elektorale që ndërlidhen me sistemin zgjedhor, me zonat zgjedhore, me pragun zgjedhor por edhe me respektimin dhe garantimin e të drejtave të afirmuara të komuniteteve joshqiptare.
Zëri i Amerikës: LDK dhe kryetari i saj Isa Mustafa, thotë se ju dhe presidentja Jahjaga nuk po e respektoni marrëveshjen. Si i përgjigjeni këtij pohimi zoti Kryeministër?
Hashim Thaçi: Mendoj se është një keqkuptim apo pretendim keqinformimi të opinionit publik. LDK e ka dërguar amandamentin dhjetë në Gjykatën kushtetuese dhe përgjigja që ka ardhur, është respektuar nga të gjithë. Sugjerimi ynë edhe miqësor edhe profesional për LDK-në, por edhe miqve ndërkombëtarë ishte që të mos dërgohet për interpretim ky amendament sepse, të gjithë kemi qenë të interesuar dhe edhe sot jemi të interesuar të respektojmë në plotni marrëveshje. Prandaj, PDK e sheh si bazë për nisje të reformave të mëtutjeshme respektimin e plotë të marrëveshjes mes PDK-së, LDK-së, AKR-së dhe gjithë spektrit politik kosovar të inkuadruar tash së fundi në këto reforma. Kështu që ekziston një vullnet i të gjithëve, një vullnet i mire dhe mendoj se në vend të akuzave ndaj njëri tjetrit, mendoj se secili duhet të jetë vetëkritik në lëshimet dhe dobësitë e veta, por edhe të shikojë me tepër në pikat që orinetimisht pajtohemi për të shkuar drejt reformave të suksesshme.
Zëri i Amerikës: Ish kryeministri Ramush Haradinaj thotë se ju ka paraqitur një oferte
për bashkëqeverisje por me kërkesën që t’i lëshoni postin tuaj. Cila është përgjigja juaj ndaj kësaj kërkese?
Hashim Thaçi: Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht stabile, mazhoranca është e fuqishme, ka një kredibilitet të fuqishëm edhe qytetar. Është ekipi me i mirë qeverisës në historinë politike të Kosovës. Rikthimi i zotit Haradinaj, ka qenë lajm shumë i mirë për atë personalisht, familjen e tij, shoqërinë, shtetin e Kosovës, për luftën që e kemi zhvilluar. Ne jemi takuar dhe kemi biseduar zyrtarisht, por edhe miqësisht. Jemi dakorduar të punojmë fuqishëm, bashkërisht për të ardhmen e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, për reformat elektorale, të ardhmen evropiane, për reforma të tjera të nevojshme demokratike, për dialogun, kanë marrë përgjegjësi AAK në këtë proces, duke emëruar presidentja e Kosovës zotin Shala si koordinator politik. Jemi duke bashkëpunuar shumë ngushtë. Zoti Shala e ka pasur dhe do ta ketë përkrahjen time të plotë. Ndërsa, gjithashtu është shprehur vullnet i dyanshëm që të punohet për një partneritet strategjik ndërpartiak, ndërsa për çështjet tjera, nuk është diskutuar.
Zëri i Amerikës: Domethënë as puna e një bashkëqeverisjeje të mundshme para zgjedhjeve?
Hashim Thaçi: Në do t’i shikojmë të gjitha mundësitë më të mira. Është një vullnet i dyanshëm që të diskutohet seriozisht rreth kësaj çështjeje. Mendoj që gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur dhe me një vullnet të përgjegjshëm shtetëror, politik dhe kombëtar mes PDK-së, AAK-së, duke pasur gjithmonë si bazë dhe si fuqi realitetin aktual të mazhorancës qeverisëse të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Pra, ju mbeteni kryeministër i Kosovës?
Hashim Thaçi: Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë të gjitha obligimet tona të marra nga besimi dhe kontrata që kemi me qytetarët e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, partia juaj tashmë është në procesin e zgjedhjeve. Si po shkon ky proces dhe a është prekur nga zhvillimet si rasti Limaj apo ajo që është quajtur aferë e përgjimeve?
Hashim Thaçi: PDK, vazhdon të jetë partia më e konsoliduar dhe më e mirë organizuar në spektrin politik kosovar. I ka hyrë një procesi të reformave të thella, që nuk janë edhe reforma të lehta. Por, unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë anëtarët, simpatizantët, elektoratin e PDK-së, gjitha strukturat për punën e tyre të mrekullueshme që janë duke e bërë në nivel të qendrës por edhe në nivel lokal. Ky proces është duke shkuar shumë mirë. Kanë përfunduar në shumicën e komunave kuvendte zgjedhore që kanë qenë jashtëzakonisht transparente dhe me prezencën e vazhdueshme të KQZ-së, të mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe të hapura për medie. Mendoj që ky ka qenë një model i mire për spektrin politik kosovar. Natyrisht jemi ballafaquar edhe me sfida që nuk kanë qenë edhe të lehta. Ndërsa sa i përket çështjes së zoti Limaj, dëshiroj të theksoj se që të dyja rastet për mua janë të pa akceptueshme dhe janë thjeshtë atakime të panevojshme. Unë besoj plotësisht në drejtësi dhenë pafajësinë e zotit Limaj.
Zëri i Amerikës: Po kjo që u quajt skandali i përgjimeve..?
Hashim Thaçi: Qeveria e Kosovës ka prezantuar qëndrimin e vet dhe tash mbetet në autoritete e EULEX-it dhe autoritete kosovare të hetojnë këto çështje, apo atë prezantim të jo ligjshëm.