Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës komunikon se në këtë javë të fundit të vitit, si dhe në muajt në vazhdim të vitit që vjen, është plotësisht e siguruar e gjithë kërkesa për energji elektrike e konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë. Gjatë kësaj kohe, qeveria shqiptare ka importuar në vazhdimësi dhe do të vazhdojë të importojë çdo kilovat/orë në mënyrë që energjia të mos mungojë në asnjë qytet, në asnjë komunë, në asnjë fshat dhe në asnjë familje.
Ditët e fundit përsëri jemi ndeshur me raste jo të pakta të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë. Përgjegjës për këtë situatë të shkaktuar, në kushtet kur energjia nuk mungon aspak, është kompania “CEZ Shpërndarje”, e cila problematikën e rëndë të brendshme të saj e ka transmetuar tek konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë.
Me afrimin e festave, si çdo vit, pritet një rritje e konsiderueshme e kërkesës për furnizim me energji elektrike të konsumatorëve. METE dhe strukturat e saj janë duke monitoruar nga shumë afer situatën. Siç është në praktikën tonë të çdo fundviti, ne kemi vënë në dijeni të gjitha organet kompetente si dhe institucionet përgjegjëse përkatëse, dhe jemi duke punuar ngushtë me to për të sigurur që çdo gjë të shkojë normalisht!
Ndërkaq, duke i kujtuar kompanisë “CEZ Shpërndarje” se furnizimi me energji elektrike i konsumatorëve është detyrë vetëm e saja, me prioritet absolut, i kërkojmë gjithashtu:
1. Të reagojë me urgjencë për të riparuar çdo defekt apo problem tjetër me furnizimin me energji;
2. Të marrë masa për plotësimin e bazës materiale të saj, sepse METE nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që mungesa e tranformatorëve, kabllove rezervë, pjesëve të këmbimit të kabinave elektrike apo pajisjeve të tjera të domosdoshme, të ndikojë ne furnizmin normal me energji elektrike;
3. Ne i bëjmë thirrje çdo punonjësi, çdo tekniku, çdo specialisti që është pjesë e sistemit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji të konsumatorëve, të zbatojë me përgjegjësi personale ligjin dhe vetëm ligjin, të përmbushë detyrat sipas funksionit që mban, për të siguruar furnizimin normal me energji elektrike të të gjithë vendit.
Edhe një herë, METE rikujton se ka marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit!