Gjykata e Apelit Tiranë ka konsumuar një maskaradë të mirëfilltë për llogari të pushtetit që kërkon me çdo mjet t’i mbyllë gojën opozitës, thuhet në deklaratën e djeshme të Partisë Socialiste
Tre gjyqtarë botërisht të njohur si vegla qorre të këtij pushteti, vendosën dënimin e deputetit opozitar dhe Kryetarit të PS Tiranë, Saimir Tahiri, për llogari të dy fëmijëve të kryeministrit. Për të cilët deputeti socialist ka folur publikisht, mbi prova e fakte. Si edhe kolegë të tjerë të çuar në gjykatë nga familjarët apo shërbëtorët e kryeministrit, Saimir Tahiri ka shprehur një shqetësim shumë serioz jo vetëm të opozitës, po të mbarë publikut shqiptar.
Deputeti i opozitës është penguar të paraqesë prova dhe dëshmitarë, madje edhe të disponojë dokumente zyrtarë, që do të vërtetonin edhe para gjykatës atë, që sot e dinë të gjithë: Korrupsionin si mjet pasurimi frenetik të familjes kryeministrore.
Trupi gjykues e ka vënë në skenë maskaradën më të fundit antiopozitare pa respektuar as procedurën formale. Të tre gjyqtarët janë sjellë si zakonisht në këto raste, mu si një bandë vrasësish me pagesë. Dhe e kanë rivrarë përsëri drejtësinë për opozitën me çekiçin e gjyqtarit të pushtetit.
Në këtë Shqipëri të marrë peng nuk dënohet në gjykatë kush vjedh lekët e shqiptarëve dhe as kush vjedh ose blen votën e tyre me lekë të vjedhura nga shqiptarët. Nuk dënohet kush transferon miliarda parash të zeza jashtë vendit apo kush për punët e veta të zeza përdor qeverinë e vendit. Nuk dënohet madje as kush vret njerëz duke i hedhur në erë ose duke i gjuajtur me plumb nga dritaret e kryeministrisë. Sot në Shqipëri dënohet në gjykatë vetëm kush ndër politikanët ka kurajën të ngrejë zërin dhe ta tregojë me gisht, korrupsionin e pushtetit që vodhi votat për ta grabitur dhe rrënuar Shqipërinë.
Por sot, pas këtij ndëshkimi që në fakt i bën vetëm nder opozitës e deputetit të saj Saimir Tahiri, Partia Socialiste është edhe më e vendosur për ta shpëtuar atdheun e marrë peng. Për t’i fituar zgjedhjet e për të çelur një faqe të re në historinë e politikës shqiptare, duke e rilindur Shqipërinë.