Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e Kërshëndellave, e ka uruar edhe Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Në urim thuhet:
I nderuari Imzot Dodë Gjergji,
Me rastin e kremtes së Kërshëndellave, ju uroj Juve dhe të gjithë besimtarëve katolikë të Republikës së Kosovës që këtë festë ta kalojmë me gëzim e harmoni në familjet tona, me të mirat që na i ka dhuruar Zoti.
Vlerësoj lart angazhimin e Kishës Katolike dhe angazhimin tuaj për harmoninë dhe dashurinë mes njerëzve të të gjitha etnive e besimeve, për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë ne.
Në këtë fundvit, së bashku me festat, ne numërojmë edhe sukseset tona të deritashme, bëjmë një bilanc të punëve të kryera, si rezultat i angazhimit të pakursyer të qytetarëve dhe institucioneve, me përkrahje të vazhdueshme të partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Po kështu, në këtë përmbyllje viti, ne bëjmë planet për punët e mëdha që na presin vitin që vjen, për të përballuar sfidat përpara nesh dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve duke hapur horizonte të reja për qytetarët e për shtetin tonë.
Gëzuar për shumë mot Kërshëndellat!