Të gjithë besimtarët në gjithë botën festojnë lindjen e Jezu Krishtit, ku dita e sotme cilësohet si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore.
Kryeministri Berisha uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë, katolikë e ortodoksë, të krishterët Ungjillorë, por edhe të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Krishtlindjeve.
Kryeministri Berisha përcolli mesazhet e tij të urimit nëpërmjet vizitave të bëra në Katedralen e re Ortodokse “Rinngjallja e Krishtit”, Katedralen e Shën Palit, si dhe në Kishën Ungjillore (Protestante) në Tiranë, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndante me ta gëzimin e kremtimit të kësaj ditë të shenjtë e të bekuar në historinë e njerëzimit, Ditën e Lindjes së Krishtit. “Kjo ditë u shpreh Kryeministri, është dita e mrekullisë së madhe, e mrekullisë në shumë aspekte, e mrekullisë pasi lindi Hyji dhe burri, i cili ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e qytetërimit perëndimor, por edhe e mrekullisë tokësore.”
Kryeministri tha se këto Krishtlindje të cilat festohen në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë do të mbahen mend pasi shqiptarët në këtë përvjetor u ndjenë më pranë se kurrë me njëri-tjetrin dhe më të bashkuar se asnjëherë në historinë e tyre kombëtare. “Ideali i bashkimit kombëtar këtë 100 vjetor, erdhi më i fuqishëm se kurrë. Le të urojmë ne për Krishtlindje të tjera, të sigurtë se do të jemi shumë më afër shndërrimit në realitet të ëndrrave dhe idealeve tona, të bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane.” U shpreh në urimet e tij kryeministri.