Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq ka thënë në një intervistë për medien serbë në Bosnjë e Hercegovinë, se teksti përfundimtar i platformës për Kosovën duhet të jetë i gatshëm deri më 10 janar, sepse me këtë datë fillon dialogu Beograd – Prishtinë dhe se me shqiptarët është arritur marrëveshja që të mos ketë doganë deri më 10 janar. "Askush nga ne nuk e di përgjigjen se çfarë tjetër nga 11 janari, do të zbatohet pastaj?", ka thënë Nikoliq.
Presidenti serb, gjithashtu ka thënë se nuk janë të vërteta interpretimet se platforma parasheh ndarje të Kosovës.
“Dallimi në mes të Republika Sërpskes dhe komunitetit serb në Kosovë është se e para është pjesë e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa komuniteti serb në Kosovë do të jetë pjesë e një autonomie thelbësore dhe jo e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, sepse Serbia kurrë nuk do të mund, nuk do të dojë dhe nuk do të guxojë ta njohë Kosovën”, ka sqaruar Nikolliq.
Ai ka bërë të ditur se, qëllimi që i kësaj platforme ka qenë të formojë komunitetin serb në ato vende ku serbët janë shumicë dhe jo sipas vendosjes gjeografike dhe ka shtuar se nga serbët e pjesës jugore dhe veriore të Kosovës nuk ka dëgjuar as një kritikë të vetme përsa i përket platformës.