English

Task - forca e Bashkisë së Tiranës inspekton përsëri tregjet

Task - forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe dje inspektimet në tregjet e kryeqytetit, për t’i prerë rrugën abuzimit me çmimet. Sot, task - forcës në tregun e ish - uzinës “Dinamo” i është bashkuar edhe zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Petrit Vasili. Z. Vasili tha se situata vazhdon të mbetet në parametra normalë.

“Sot, - tha z. Vasili - janë riverifikuar dy raste të shkëputura, me një luhatje të lehtë çmimi, e cila është rikthyer në normalitet”.

"Gjithsesi, do të doja të bëja me dije që i tërë grupi ynë i inspektimit, përfshirë këtu të gjithë komponentët që e përbëjnë do të veprojnë në këto pak ditë që kanë mbetur, deri në mbylljen e festave, me shumë ashpërsi për këdo që do të tentojë të ndërmarrë veprime të karakterit spekulativ dhe sigurisht që një veprim spekulativ me çmimin do të thotë edhe fshehje nga fitimet që krijohen dhe janë jashtë syve të publikut, ndaj edhe për këtë gjë do të veprohet shumë rreptë, duke sekuestruar edhe mallin e kujtdo që tenton të bëjë një veprim të tillë, pasi sigurisht kërkon të fshehë edhe fitimet, edhe paligjshmërinë e tyre.

Njëkohësisht, strukturat tona të parapërgatitura janë krejtësisht të gatshme dhe u verifikua edhe më parë, se nëse do të ndodhte qoftë edhe një situatë ku çmimet do të lëvizin, aktivizimi i tregut alternativ është diçka që mund të ndodhë brenda pak orësh.

Pra, i gjithë mekanizmi në tërësinë e tij, në të gjithë trupat tona të inspektimit është në vëmendjen maksimale dhe me të gjithë seriozitetin e ashpërsinë e duhur, që fenomeni i shemtuar i spekulimit me çmimet të mos ndodhë për asnjë arsye dhe kushdo që do të guxonte ta bënte një veprim të tillë, kishte një përballje shumë të fortë me përfaqësuesit tanë të ligjit dhe kontrollorët” – vijoi zv/Kryetari Vasili prononcimin e tij.

KOMENTE