English

Berisha: gjatë këtij mandati de facto media ka qenë opozita e vendit

Me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Berisha dha dje në mbrëmje, në mjediset e Pallatit të Brigadave, një pritje koktej për gazetarët, botuesit dhe drejtuesit e medias në vend. Duke iu shprehur atyre urimet më të mira për vitin 2013, Kryeministri Berisha vlerësoi si të jashtëzakonshëm rolin dhe kontributin e medias në shoqërinë shqiptare.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

"Unë kam një arsye më të veçantë për të qenë mirënjohës ndaj jush. Të gjithë politikanët duhet të jenë mirënjohës ndaj mediave, sepse, në fakt, më shumë se atyre pakkujt i detyrojnë karrierën. Por unë kam arsye të dyfishtë, sepse gjatë këtij mandati de facto ju keni qenë opozita e vendit, një opozitë e shkëlqyer. Kjo është e vërteta. Nuk ka asgjë më të vështirë për një qeveri, në një vend dhe shoqëri të lirë, sesa të qeverisë pa opozitë. Ishte thënë në mënyrë të përsëritur pas zgjedhjeve të vitit 2009, por unë kisha mendim tjetër, isha i bindur se vendi nuk ishte pa opozitë. Mediat në Shqipëri përbëjnë realisht pluralitetin më të fuqishëm të vendit. Kjo është e vërteta dhe ky është zhvillimi më pozitiv i këtyre njëzet viteve. Ky pluralitet është një vlerë kolosale për lirinë e shqiptarëve. Ndaj dhe unë ju ftova juve sonte për t’ju falënderuar me shumë mirënjohje për rolin tuaj të jashtëzakonshëm që luani në shoqërinë shqiptare."

KOMENTE