Kryeministri Sali Berisha priti dje në mesditë kampionin e botës në kik boks Ismail Keta duke përgëzuar për lartësimin e emrit të sportistit shqiptar në lartësitë më të larta të këtij sporti.
Kampioni i botës në kik boks Ismail Keta tha se telefonata e Kryeminstrit të Shqipërisë Berisha dhjetë minuta pasi ai ishte shpallur kampion bote në Mynih të Gjermanisë kishte qenë befasia më e bukur e jetës së tij dhe se ia kishte bërë dhuratë Atdheut në 100 vjetor titullin Kampion Botë. Ai tha se kish gjetur një tjetër Shqipëri, pas festimeve të 100 vjetorit, ndërsa e falënderoi Kryeministrin Berisha për ndikimin e madh që po jepte në bashkimin e shqiptarëve me njëri -tjetrin në Europë.
Kryeministri Berisha i tha Kampionit të Botës Ismail Keta se vetëdija kombëtare e shqiptarëve, pas 28 Nëntorit, është tani krejt tjetër gjë dhe se ai do të bënte çdo gjë që procesi i bashkimit të shqiptarëve me njëri -tjetrin në Europë të përfundonte me sukses. Shqiptarët, tha Kryeministri Berisha, dëshmuan me festimet e 100 vjetorit se ideali udhëheqës i tyre është ideali i bashkimit kombëtar.
Kryeministri Berisha i premtoi Kampionit të Botës në kik boks Ismail Keta se do ta përkrahte në deshirën e tij që, mbrojtjen e titullit të Kampionit të Botës në kik boks, ta bënte në Tiranë.