English

Çifti Berisha vizitë në Qendrën e Kujdesit të të Moshuarëve në Tiranë

Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha ishin dje mes të moshuarve të Qendrës së Kujdesit për të Moshuarit në Tiranë, për të ndarë me ta urimin për vitin e ri.

“Uroj të gjithë të moshuarit e Shqipërisë kudo që janë. Ju uroj shëndet, jetë të gjatë e mbarësi vitin që vjen.”

Kryeministri Berisha tha se është shumë e rëndësishme që shërbimet e kujdesit ndaj grupeve më të ndjeshme të shoqërisë të karakterizohen nga “ajo ngrohtësi, njerëzi e dashuri që kemi në familjet tona.”

Ky fundviti përkoi edhe me rikonstruksionin e mjediseve të kësaj Qendre, me fondet e buxhetit të shtetit në vlerën 50 milionë lekë. Me investimin e bërë është rritur kapaciteti i Qendrës, kushtet e akomodimit dhe cilësia e shërbimit. Me kapacitetet e reja Qendra është e gatshme të ofrojë shërbime jo vetëm rezidenciale për të moshuarit, por edhe ditore.

“Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për kushte gjithnjë e më të mira. Ju uroj gëzuar familjarëve tuaj kudo që janë dhe shpreh kënaqësinë time se sëbashku e festojmë vitin e ri në kushte shumë më të mirë se 3-4 vjet më parë në këtë shtëpi,” u shpreh Kryeministri, ndërsa apeloi për më shumë mbështetje nga biznesi dhe shoqëria në tërësi për ta. Kryeministri siguroi se përmirësimi i jetës dhe cilësisë së shërbimit ndaj tyre do të jetë gjithnjë një përparësi madhore.

Një urim për një vit të gëzuar, të moshuarit morën edhe nga zonja Berisha. “Kam kënaqësi kur vij tek ju për të gjithë ngjarjet e festat që ju keni, me dashuri, mirënjohje e nderim të madh për ju e për veprën tuaj. Ju siguroj se do të jemi gjithnjë pranë njëri-tjetrit. Ju uroj një vit të mbarë, të shëndetshëm e të gëzuar me njëri-tjetrin, në këto kushte kaq të mira që ju janë krijuar.”

Një moment të veçantë krijoi edhe aktorja e mirënjohur Drita Pelingu me recitimin e vargjeve “ti Shqipëri më jep nder”, marrë nga poema “Bagëti e bujqësi” e rilindësit Naim Frashëri.

KOMENTE