Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka mbajtur sot edhe konferencën e fundit të vitit 2012 me gazetarët.
Ajo ka falënderuar të gjithë median duke bërë një përmbledhje të punës së kuvendit si dhe pasqyrimin e tij përmes medias.
Fjala e plotë e kryetares Jozefina Topalli si dhe përgjigjet dhënë disa pyetjeve nga ana e gazetarëve:
Kam kënaqësinë të bëj të njohura disa nga zhvillimet më të rëndësishme të aktivitetin të Kuvendit të Shqipërisë në këtë vit jubilar të pavarësisë tonë, në të cilën kujtuam e nderuam ngjarjet dhe personalitetet e kombit shqiptar më të rëndësishmit, që mundësuan themelimin dhe konsolidimin e shtetit dhe institucioneve të gjithë shqiptarëve.
Si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, në përmbylljen e shekullit të parë të Pavarësisë së Shqipërisë, pata nderin dhe kënaqësinë të propozoj dhe të gjej konsensus në Kuvend për nxjerrë në dritë të vërtetat e parlamentarizmit shqiptar, duke u mbështetur në kritere juridike dhe etike solide, duke filluar gjeneza e parlamentarizmit tonë në vitin e largët 1920 me Kongresin e Lushnjes dhe me zhvillimet e mëvonshme qoftë në Republikën dhe Monarkinë shqiptare, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë pas saj, për të ardhur në rivendosjen e shtetit demokratik me kushtetutën dhe themelimin e institucionet e tij pas viteve 1990.
Tashmë, në rrugëtimin e njëjtë të parlamentarizmit demokratik shqiptar sikurse në të gjitha shtetet demokratike, ne jemi në legjislaturën e VII dhe mbyllëm me sukses sesionin e shtatë të kësaj legjislature.
Në këtë vit ne kemi miratuam 203 akte parlamentare, 131 ligje, 55 vendime dhe 17 rezoluta.
80 ligje që kërkonin shumicë të thjeshtë morën votën pro të opozitës. Tre ligjet që kërkonin votë të cilësuar me vite e muaj , deri në ditën e djeshme për fatin tonë të keq , me keqardhje ju them nuk e morëm përsëri konsensusin e opozitës.
Dhe kështu lanë Shqipërinë pa mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat që ishte propozuar me 10 tetor nga Komisioni Europian.
Zhvillimet legjislative kulmojnë me miratimin e ligjeve që shënojnë reforma të jashtëzakonshme në dobi të progresit të vendit dhe në përmbushjen detyrimeve të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Pas dhjetë vitesh përpjekje, e pabesueshme, që nuk duhet të ndodhte në fakt, pas propozimit të ardhur përpara që në vitit 2003, nga Grupi Parlamentar i PD-së u miratuan ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe gjyqtarëve duke hequr çdo lloj pengese a preteksti për procedimin penal sikurse ndodh për të gjithë qytetarët e tjerë. Pra,i bëmë të gjithë të barabartë.
Dhjetë vite për të arritur një moment që është një standard i të gjitha vendeve të tjera demokratike. Unë jam e kënaqur që ja arritëm këtë vit të realizojmë këtë reformë.
Reforma të rëndësishme u kryen në Kodin Civil dhe atë Penal. Nuk po flas për Kodet Rrugore, Ajrore etj.
Një ligj i ri mundëson krijimin e Gjykatës Administrative, i cili ka mbetur përsëri pa u zbatuar për shkak të mos votimit të këtij Ligji për Gjykatën e Lartë që vazhdon të qëndrojë në axhendën parlamentare. Por që nuk merr votën e opozitës.
Jam shumë e kënaqur që Kuvendi ka miratuar ligjin për Konferencën Gjyqësore si institucioni i vetëm i komunitetit të gjyqtarëve që tani ka një ligj të ri bashkëkohor.
Reforma zgjedhore është përmbyllur me sukses duke implementuar në ligjin zgjedhor të gjitha rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe propozimet e opozitës.
Këtu ka punuar edhe opozita dhe ka një kontribut të çmuar.
Kontributi i opozitës ishte për t'u vlerësuar në miratimin e këtyre ligjeve por fatkeqësisht, prej 18 shtatorit 2012, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, opozita nuk ka pranuar të japë konsensus për miratimin projektligjit për Gjykatën e Lartë (i propozuar prej saj), projektligjit për nëpunësin civil dhe reformën parlamentare, duke privuar të gjithë shqiptarët që Shqipëria në 100 vjetorin e pavarsisë së saj të jetë vend kandidat i Bashkimit Europian, megjithëse Komisioni Europian propozoi ne tetor dhënien e statusit të vendit kandidat me të vetmin kusht votimin në parlament të këtyre tre projektligjeve.
Ky refuzim nuk lidhet me zhvillimet në axhendën parlamentare pasi opozita ka votuar pro për shumë ligje të tjera përpara dhe pas kësaj date duke përfshirë edhe ligjin për dhënien e amnistisë si ligj me shumicë të cilësuar, por jo tre ligjet që kërkonte Komisioni Europian.
Në 11 qershor të këtij viti Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi Presidentin e Republikës përmes një procesi parlamentar luajal dhe kushtetues. është ngjarja më e madhe parlamentare zgjedhja e Presidentit të Republikës.
Shumë ligje të tjera u miratuan në përmbushje të reformave të rëndësishme në të gjitha fushat . Por nuk po përmend ligjet në fushat ekonomike, sociale, në arsim, në shëndetësi, paketa fiskale etj.
Kuvendi ka ushtruar kontroll parlamentar efikas mbi ekzekutivin dhe institucionet e tjera në vartësi të tij përmes 12 interpelancave me Kryeministrin dhe ministrat si dhe 2 seancave të posaçme pyetjesh me ministrat, duke shtuar që ekzekutivi dha 129 përgjigje zyrtare për pyetjet me shkrim të deputetëve.
Gjatë seancave dëgjimore në komisionet parlamentare ministrat u janë përgjigjur më shumë se 588 pyetjeve të deputetëve.
Kuvendi i Shqipërisë, përmes 17 rezolutave vlerësoi veprimtarinë vjetore për vitin 2011 të institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe u ka caktuar atyre objektivat që duhet të arrijnë për vitin pasardhës.
Unë dua të falënderoj të gjithë kolegët e mi deputetë, anëtarë të komisioneve.
Komisionet parlamentare kanë shqyrtuar për këtë vit 133 ligje dhe kanë në proces edhe disa ligje të tjera duke propozuar 770 amendamente. Komisionet parlamentare ftuan 81 grupe interesi për tu konsultuar me to, si subjekte jo publike.
Në mbledhjet e komisioneve, deputetët morën përgjigje nga përfaqësuesit e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera publike ne komisione, për 1539 pyetje me gojë si dhe bënë 904 diskutime.
Ministrat u paraqitën në 55 seanca dëgjimore para komisioneve të përhershme parlamentare, kurse zëvendësministrat në 70 mbledhje komisioneve.
Komisionet kanë organizuan 17 seanca dëgjimore me drejtues të institucioneve kushtetuese apo të krijuara më ligj për raportimin mbi veprimtarinë vjetore të këtyre institucioneve.
Për ndjekjen e planit të veprimit për plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, nga komisioni parlamentar përgjegjës, u organizuan 8 seanca dëgjimore me ministrat.
Në këtë vit sikurse edhe në vitet paraardhëse, Kuvendi i Shqipërisë konsolidoi më tej transparencën ndaj publikut dhe ju jeni dëshmitarë të saj.
Seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare ishin të hapura dhe ju keni dhënë një kontribut të çmuar dhe për këtë ju falënderoj.
Procesverbalet e tyre u publikuan në faqen zyrtare të Kuvendit. Punimet e Kuvendit u pasqyruan nga, gazetarë të akredituar të 18 televizione, dhe 21 gazetave.
Unë nuk dua të rri dhe të përmend numrin ligjeve të cilat ju i keni përcjellë gjatë këtyre viteve.
Të reformave të jashtëzakonshme që 98-99 përqind kanë ardhur nga qeveria.
Dua të përmend ligjet që janë miratuar nga marrëveshja e nëntorit; Kodet, Kodi Civil, Kodi Penal,Kodi Ajror, Kodi Rrugor. Dua të përmend Kodin Zgjedhor. Dua të përmend Heqjen e Imunitetit, Konferencën Gjyqësore.
Dua të përmend të gjithë ato marrëveshje që kanë kaluar në parlament dhe me miratimin e të cilave ne kemi bërë të mundur të kontraktojmë mbi 240 milion të cilat do shkojnë për By-Pass e Vlorës, për rrugën Fier- Tepelenë, për rrugën Levan- Vlorë. Për furnizimin me ujë, për kanalizime, të Beratit , të Fierit, të Leshnjes, të Kuçovës, të Sarandës.
Marrëveshje që kemi miratuar në parlament me Fondin e Abu Dabi-t që shkon për tunelin e Elbasanit. Marrëveshjet me OPEC-un që shkon për rrugën jashtëzakonisht të rëndësishme që vjen e dyta pas rrugës së Kombit, ajo e Elbasanit.
Sigurisht që ndryshimet Kushtetuese janë më të rëndësishme, maja e ngjarjes më të rëndësishme parlamentare.
Dua të falënderoj të gjithë ata profesorë, pedagogë , titullarë institucionesh të cilët bënë të mundur së bashku me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, në këtë sallë, që ne për herë të parë ndryshimet Kushtetuese ta bëjmë përmes një procesi, një dëgjese që nuk kishte ndodhur përpara në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë prej 20 vitesh.
Ata kanë qenë shumë serioz, kanë ardhur shumë të përgatitur. Diskutimet e tyre, ndërhyrjet e tyre janë një kontribut shumë i vlefshëm dhe i çmuar.
Nga gjithë kjo punë dhe këto reforma. Të gjithë këto marrëveshje që ne kemi kaluar kanë pasur një impakt të padiskutueshëm në jetën e qytetarëve.
Të kalosh projektligje dhe marrëveshje qoftë edhe për modernizimin e sistemit social, marrëveshje për rrugë, për By-Pass, për tunele, për sigurinë e digave janë të gjitha para që kontraktohen që hidhen në tregun shqiptar dhe përkthehen në punësim dhe sjellin zhvillim.
Të gjitha këto reforma gjatë këtij viti dhe viteve të mëparshme janë përkthyer në atë që ka qenë edhe raporti i fundit i SEDO-s që për mua i cili është një raport për t'u studiuar në të gjitha grafikët, statistikat, përveç kapitujve , të rezymeve qe ju e keni përcjellë.
Atë që quhej përkthimi i pasurimit në mirëqenie, i rritjes ekonomike dhe në mënyrë të veçantë grafikut përkthimi i rritjes ekonomike dhe të pasurimit në mirëqenie të shqiptarëve kur Shqipëria është 1 ndër 7 vendet në botë që e realizuan të dyja këto indikacione . Kjo për shkak të reformave të guximshme .
Ju shihni me interes se çfarë ndodh në Itali, në SHBA, një debat interesant fiscal click dhe po ti klikoni në internet me duken si tre ligjet tona.
Është një sfidë që ekonomitë, parlamentet, qeveritë e botës po bëjnë këtë vit .
Gjatë gjithë këtyre viteve, pas Post Lehman Crises, Shqipëria, pas Gjermanisë, Polonisë është ndër te vetmet që nuk ka rënë në recesion.
Unë i bëj pyetje vetes çfarë do të kishte ndodhur sikur ne mos kishim votuar guxuar po mos kishim ndërmarrë reforma të guximshme, të vështira, të mundimshme, me paketat fiskale, në sektorin e energjisë, në infrastrukturë, në sektorin e dixhitalizimit.
Pse ne Shqiptarët nuk jemi në recesion dhe të tjerët janë ?
Është më e thjeshtë për në Shqiptarët, jemi një ishull nga vendet e tjera ? Mendoj se modeli dhe reformat që kanë ardhur në parlament dhe Kuvendi ka miratuar kanë bërë të mundur. Jo se vendi ynë nuk ka probleme, ka varfëri, ka mjerim në disa raste, por të paktën ne nuk jemi në krizë.
Edhe ne jetojmë në epokën e globalizmit të Post Lehman Crises .
Ne nuk jemi ne krize. Pse ?
Sepse kemi guxuar dhe ka rezultuar se modeli dhe reformat që kanë ardhur në Parlament, dhe që Kuvendi ka miratuar, ka rezultuar se modeli jonë ekonomik ia ka dalë me sukses. Edhe po t’i referohemi paketës fiskale të fundit, është guxim i madh, të heqësh TVSH-në për sjelljen e makinerive të biznesit të vogël, të biznesit të mesëm dhe të madh. Të gjithë rrisin taksat, ne nuk i kemi rritur taksat, të gjithë rrisin borxhin, ne e kemi rritur dhe e kemi kthyer në rritje ekonomike. Kjo rritje ekonomike sipas studimit të SEDA-s është kthyer në mirëqenie.
Kjo s’do të thotë se ne jemi të pasur, aspak. Jemi një vend që nuk jemi i pasur, por jemi një vend që nuk jemi në krizë. Jemi një vend që kemi konsoliduar shtresën e mesme dhe kjo të jep qëndrueshmëri ekonomike. Dhe qëndrueshmëria ekonomike të jep perspektivë për të ardhmen. Ndaj dhe në studimet që bëhen për shqiptarët ato rezultojnë si një popull që sheh me optimizëm, që sheh me pozitivitet.
Kthehemi tek axhenda parlamentare, përveç ligjeve, sigurisht që një punë e jashtëzakonshme është bërë në diplomacinë parlamentare që unë e kam shumë përzemërt dhe që është një dimension i ri edhe për parlamentet e vendeve të tjera. Edhe në këtë fushë, ky vit ka qenë një vit historik. 100 vjetori i Pavarësisë bëri jehonë në të gjithë botën dhe urimet kanë mbërritur nga çdo cep i saj nga Kryetarë të Parlamenteve e Senateve që nga Japonia e largët e Islanda.
Këto janë të gjithë letra të ardhura nga miq të rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë duke filluar nga India, Japonia, Kina, Amerika, Kanadaja, Franca, Gjermania, vendet baltike, vendet nordike, vendet e Ballkanit sigurisht.
Diplomacia Parlamentare ka qenë edhe më dinamike se vitet e tjera. Këtë vit ka qenë një një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua, por mbi të gjitha ka qenë një vlerë për imazhin e vendit, ardhja e mbi 200 parlamentarëve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, organizuar për herë të parë në Shqipëri.
Në 20 vite në Shqipëri nuk ishte zhvilluar kurrë Asambleja Parlamentare e OSBE, ishte hera e parë. Natyrisht ne e kishim një sfidë, e kishim të vështirë por ia dolëm mbanë. Kjo Asamble ishte një sukses i plotë, reflektoi angazhimin, seriozitetin, devotshmërinë, qytetarinë, vokacionin europian të shqiptarëve. Dhe jo vetëm në mbledhjet në të cilat u zhvillua. Kuvendi i Shqipërisë, administrata, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, Protokolli kanë bërë një kujdes shumë të madh për t’u treguar të gjithë këtyre deputetëve që vinin nga të gjitha vendet e Europës për të parë bukuritë e vendit tonë. Ata janë mahnitur.
Po i’u them një gjë. Unë kam takuar gjatë këtyre viteve Kryeministra, Presidentë, Kryetarë Parlamentesh nga të gjitha vendet. Kam kuptuar se pavarësisht se ata janë xhentil, ata kanë një lloj paragjykimi për shqiptarët dhe jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri. Kam zgjedhur një mënyrë, ose jam përpjekur që të vijnë sa më shumë prej tyre në Shqipëri. Pasi bëjnë vizitat zyrtare, drekat apo darkat zyrtare, administrata ime i shoqëron ato në zonën e ish-Bllokut. Një nga personalitetet më të rëndësishme të Parlamentit Europian, për të ardhur në Shqipëri, kishte kaluar nga Kosova, Maqedonia e më pas në Shqipëri. Pasi bëri një vizitë në Tiranë, ai tha: "Ju jeni europianë! Jeni vërtetë europianë, jeni një Europë e vërtetë!” "Sigurisht, i thashë, që ne jemi europianë."
Ne kemi nevojë që këta miq europianë ta njohin Shqipërinë në atë që ne shqiptarët jemi në të vërtetë. Pa ardhur në Shqipëri, pa prekur këtë realitet, ata kanë një diferencë të madhe midis perceptimit që kanë në mendjen e tyre dhe realitetit shqiptar në Shqipëri, por edhe përtej. Kështu që Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, kolegët e mi, Komisioni i Punëve të Jashtme kanë bërë një punë të madhe për të sjellë një numër jashtëzakonisht të madh të delegacioneve të huaja në Shqipëri, delegacion gjerman, delegacion hungarez, delegacion nga Franca, delegacion nga Pakistani, delegacion nga vendet nordike, delegacioni i Komisionit të Punëve Publike dhe Transportit në Norvegji, të cilët kur u kthyen në vendin e tyre bënë një shkrim për infrastrukturën moderne që po ndërtohej në Shqipëri.
Kuvendi i Shqipërisë ka bashkëpunuar në zhvillimin e 11 konferencave ndërkombëtare në Shqipëri, të Asamblesë së NATO-s, IPALMO-s, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, etj. Me shumë kënaqësi kam pritur në Kuvend, Kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, e cila po ashtu mbajti një fjalë përpara deputetëve, nga ku përcolli mesazhin e mbështetjes së plotë të Austrisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Vizita këtë vit e Kryetarit të Parlamentit të Jordanisë, shënoi vizitën e nivelit më të lartë politik që është realizuar midis dy vendeve.
Po ashtu vizita e Kryetarit të Parlamentit të Danimarkës, ishte e para vizitë e një niveli kaq të lartë nga Danimarka. Kam pritur në vizita zyrtare Kryetarin e Parlamentit të Italisë, Fini, i cili erdhi në ditën e 100 vjetorit të Pavarësisë, Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit. Bashkë me delegacionet parlamentare kemi takuar Kryetarin e Parlamentit të Libanit, që shënoi vizitën e parë të këtij niveli të lartë politik nga Shqipëria në Liban në këto 20 vite.
Kemi takuar e biseduar gjithashtu në vizita zyrtare me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, i pari, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kam pasur fatin dhe nderin të bëj vizitën e dytë zyrtare në Gjermanisë, dhe të takoj dhe të bisedoj me Presidentin e Bundestagut gjerman, për herë të dytë, një mik i jashtëzakonshëm, një njohës fort i mirë i Shqipërisë, i çështjes shqiptare dhe i Ballkanit. Uroj që ai të bëj vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri vitin e ardhshëm. Natyrisht vizita zyrtare në Francë, pritja që më është bërë aty, megjithëse nuk ishte e organizuar më parë nga Kryetarja e Senatit, Chiari apo dhe Kryetarja e Senatit. Sigurisht shkova për të diskutuar për çështjen e statusit. Vizita zyrtare dhe pritja nga Kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, në Maqedoni etj.
Në kuvend kam pritur dhjetëra delegacione parlamentare nga Kina, Gjermania, Franca, Hungaria, Maroku, Polonia, sigurisht nga Kosova, si dhe kam marrë mesazhe urimi për 100 vjetorit të Pavarësisë nga homologët e mi nga e gjithë bota, që nga Japonia, Irlanda, Islanda, Pakistani e deri te fqinjët tanë Mali i Zi e Maqedonia.
Të gjithë janë miq të Shqipërisë. Jemi vend i vogël që kemi nevojë për miq të mëdhenj. Dhe i kemi. I kemi sepse ata vlerësojnë përpjekjet tona, historinë tonë të suksesit drejt BE-së.
Në Kuvend kemi pasur ngjarje kulmore, historike. Kemi pasur nderin e madh që nga foltorja e Parlamentit t’i adresohet shqiptarëve, Sekretarja e Shtetit amerikan Hillary Clinton, ardhur me ftesë të Kryeministrit për festimet e jubileut të Pavarësisë.
Do të mbeten në memorien e kombit fjalët e saj se: “Nëse doni të shihni një demokraci në zhvillim, ejani në Shqipëri.” Në eksperiencën time shumëvjeçare, dy janë momentet që më kanë mbetur të pashlyeshme. Fati që kam pasur për të qenë e ftuar nga Kryeministri Berisha në drekën për Presidentin Bush. Pata fat, sepse isha pranë tij dhe dreka zgjati dy orë. Dhe mundësia që pata për të folur për gruan më të jashtëzakonshme, për avokaten më të madhe për çështjen e të drejtave të gruas. Për gruan që ka një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen në botë, që nuk u lodh kurrë, dhe vizitoi shumë vende anë e mbanë botës për t’i inkurajuar në rrugën drejt demokracisë dhe paqes. Sa të mëdhenj aq edhe të thjeshtë. Sa të rëndësishëm, aq edhe njerëzor. Sigurisht që këto do mbeten si vizita historike në vendin tonë.
Unë si Kryetare e Parlamentit jam shumë e privilegjuar që pata mundësi t’i njoh gjatë nga afër dhe që të dëgjoj nga zëri i tyre mbështetjen e sinqertë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sigurisht këtë vit Shqipëria ka pasur presidencën e Këshillit të Europës. Në tërësi ka qenë një vit me ngjarje të jashtëzakonshme, unë do doja të thoja një vit feste. Ndodh ndonjëherë, ndodh edhe në familje, ndodh edhe në shoqëri, që të gjendet gjithmonë dikush, atë që italianët e quajnë guastafeste, pra që prish festën, ndodh edhe për datëlindje, ndodh edhe nëpër martesa, ndodh edhe më përtej.
Do t’iu jap vetëm një shifër. Nga të gjitha ligjet që janë votuar me shumicë të thjeshtë janë 124 ligje, nga këto 124 ligje kanë marrë konsensus të plotë nga opozita 79 ligje. I falënderoj deputetët e opozitës për votën që kanë dhënë për ato ligje, për të cilat mazhoranca nuk kishte nevojë për votën e tyre. Ata i kanë votuar, është detyra e tyre t’i votojnë dhe unë i falenderoj. Por gjetën votën dhe vullnetin e mirë për të votuar 79 ligje, apo 2/3 e ligjeve për të cilët mazhoranca nuk kishte nevojë për votën e tyre dhe për tre ligje që kërkon Komisioni Europian nuk gjejnë tre sekonda për të votuar, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, kjo është përgjegjësi e madhe, kjo është më shumë se guastafesta. Kjo është e papranueshme.
Po të hedhësh sytë prapa dhe të shohësh historinë, në historinë tonë kemi pasur Hamza Kastriotin, kemi pasur Haxhi Qamilin, kemi pasur në çdo moment, në çdo shekull, njerëz që janë bërë pengesë dhe mur, zhvillimit apo ecjes përpara të Shqipërisë. Kemi qenë të fundit që kemi marrë pavarësinë, kemi qenë të fundit, gati për t’u lënë si Kuba, për të kapërcyer sistemin diktatorial sepse gjithmonë të tillë njerëz janë gjetur brenda Shqipërisë dhe ne duhet ta pranojmë. Haxhi Qamilët janë krijesa shqiptare, Hamzai është krijesë shqiptare dhe sot edhe në 100 vjetorin e pavarësisë gjendet një, që pengon Shqipërinë.
Ndodh edhe në vende të tjera, në parti të vogla, në parti ekstremiste që të ketë të tillë personazhe, nuk ndodh kurrë në forcat të mëdha politike që një lider të mos lejojë të votojë për ecjen përpara të Shqipërisë, ose të vendit të tij në një proces të një perspektive që jep zhvillim dhe stabilitet. Është më shumë se guastafesta, dhe për këtë kam keqardhje të madhe. Por për këtë, unë nuk fajësoj në asnjë sekondë, në asnjë moment deputetët e opozitës, të cilët për ligjet e tjera ishin të lirë dhe kanë dhënë kontributin e tyre edhe pse nuk duhej vota e tyre.
Unë duke e mbyllur dua të falënderoj edhe njëherë administratën që ka punuar ndonjëherë edhe në tension edhe në stres. Të falënderoj bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë që punojnë orar pa orar, mbrëmjeve vonë, edhe të shtunën edhe të dielën. Dua t’i jap një falënderim të veçantë këshilltares sime më të mirë, Linda Ihsanit, pa cilën shumë nga veprimtaritë e Kuvendit nuk do të kishin qenë të mundura. Edhe Botimi Special i Kuvendit të Shqipërisë me Aktet e Themelimit të Shtetit shqiptar është vepër e saj, nuk është vepër e imja.
Në Janar do shihni diçka shumë të rëndësishme nga Kuvendi i Shqipërisë, është vepër e saj, jo e imja. Sigurisht që bashkë me të dhe me bashkëpunëtorët e mi ne kemi projekte të tjera, bashkë me këshilltaret e mia, ne kemi një axhendë shumë të pasur. Dhe do të pasurojmë axhendën parlamentare edhe në dimensione të tjera për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e gjithë shqiptarëve. Për ta bërë parlamentin shtëpinë e çdo shqiptari. Dhe duke e mbyllur, do t’iu them një element që më bën shumë përshtypje.
Sa herë që salla e Parlamentit mbushet me gjimnazistë e me nxënës, në karrigen e Kryetares së Parlamentit ulet gjithmonë një vajzë. E kanë ndarë mendjen në karrigen e Kryetarit të Parlamentit duhet të jetë një grua. Është diçka shumë e bukur sepse është një nxitje që i bëhet grave për të marrë pjesë në politikë, për të pasur kurajon që gratë të jenë në krye të institucioneve të rëndësishme dhe kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.
më tej, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve
Taulanta Boja – Ju sapo e thatë që tri ligjet e integrimit mbetën pa u miratuar. Unë dua të di: a do të mbeten këto ligje në axhendën e punimeve të Kuvendit edhe gjatë sesionit të ri parlamentar, apo kjo do t’i mbetet parlamentit të ri?
Pyetja e dytë ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Ju e cilësuat një sukses të maxhorancës dhe të opozitës miratimin e reformës zgjedhore, por, në fakt, sfida mbetet aplikimi i këtyre ndryshimeve më 23 qershor: a mendoni se do të jenë një sukses zgjedhjet e 2013-s, apo sërish do të jetë vullneti politik që do t’i dëmtojë ato?
Jozefina Topalli – Për sa i takon vullnetit politik, pa dyshim ekziston një vullnet i fortë politik për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Dua të them diçka: përpiqu të lexosh mbi zgjedhjet e vendeve të tjera. Nuk do të gjesh një vend të dytë që ka zgjedhje më transparente se zgjedhjet shqiptare dhe nuk do të gjesh në asnjë vend tjetër që humbësi të mos pranojë rezultatin.
Taulanta Boja – Tri ligjet?
Jozefina Topalli – Tri ligjet do të vazhdojnë të jenë në axhendën parlamentare dhe në rendin e ditës deri sa të votohen. Të jesh e sigurt se do ta vendosin shqiptarët më 23 qershor dhe ato do të votohen sapo shqiptarët... do të zgjedhin shqiptarët, nuk e zgjidh dot më unë në parlament, sepse nuk kam fuqi imponuese për t’i detyruar që të votojnë tri ligjet, në mënyrë që të marrim statusin. Këtë gjë do ta zgjidhin shqiptarët më 23 qershor. Pjesë tjetër i ka ngelur vetëm horoskopi. Lexoni gazetat: flasin vetëm për horoskop, se gjë tjetër nuk kanë në terezi.
Ilirian Agolli – Përshëndetje, zonja Kryetare!
Unë jam përfaqësues i Zërit të Amerikës. Nëse më lejoni, dua t’ju bëj dy pyetje: ju jeni Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Është një punë jo e lehtë dhe në skelat historike emri juaj padyshim që do të shënohet përherë, por më lejoni të veçoj dy detaje nga kritikat e opozitës. Midis shumë deklaratave të tjera, juve ju kanë akuzuar si një nga shkaktaret e acarimit të marrëdhënieve ndërmjet pozitës dhe opozitës. Çfarë mund të bëni më shumë që bashkëpunimi mes opozitës dhe pozitës të jetë më i mirë dhe më frytdhënës? Çfarë mund të kontrollojë parlamenti më shumë që ligjet të zbatohen? Me komisione kontrolli nëpër institucione, ndoshta? Sepse opozita thotë që ligjet i kemi shumë të mira, por ato nuk zbatohen përgjithësisht.
Faleminderit!
Jozefina Topalli – Të falënderoj për pyetjet!
Sigurisht që ligjet janë shumë të mira, pasi janë bërë edhe me konsulta. Ju e patë numrin e grupeve të interesit, që ftohen në komisionet parlamentare. Këto janë detyrat e Kuvendit: e para, ligjbërja dhe, e dyta, kontrolli parlamentar. Unë mendoj që në legjislaturën tjetër, bashkë me kolegët e tjerë, duhet të fokusohemi më shumë tek institucionet e ngritura me ligj dhe të votuara në parlament, që kanë një pushtet të rëndësishëm mbi tregjet, financat, kontrollin e ligjeve etj., pra ato që ne nuk i përmendim shumë dhe që nuk dalin shumë në media. Nëse duke bërë një analizë të punës do të gjeja një hapësirë të lirë, do t’u kushtoja më shumë rëndësi institucioneve të krijuara me ligj dhe të votuara nga parlamenti, duke filluar nga institucioni i konkurrencës, prokuroria, gjykatat e të gjitha me radhë.
Kjo është demokracia, është shumë e shtrirë: qeveria ka një pjesë, parlamenti ka një pjesë, por ky i fundit duhet të rrisë rolin e vet kontrollues mbi institucionet e tjera, me synimin e mirë për t’i nxitur ato për punë dhe për të qenë sa më eficient, më efikase dhe për të pasur llogaridhënie ndaj vetes dhe qytetarëve.
Ne deputetët votohemi dhe shkojmë përpara gjykatësve - ditën e votimit gjykatësit janë shqiptarët dhe ata vendosin për ne. Nuk shkojnë gjykatësit, as prokurorët, as ju gazetarët, media, por vetëm deputetët, por secili prej nesh ka një detyrë të rëndësishme. Edhe media ka një punë jashtëzakonisht të rëndësishme, themelore, një mision të jashtëzakonshëm. Në fakt, të gjithë kolegët e mi, ndoshta s’më besoni, por të majtë a të djathtë për mua janë shqiptarë dhe janë kolegët e mi. Mos harroni diçka: mendojeni qoftë edhe për një sekondë, sikur secili prej jush të ishte në karrigen time dhe nga salla dëgjoni gjëra që...
Por unë këto dua t’i harroj. Kur i thanë Çurçillit: “Shiko se në parlament ke disa budallenj”, ai u përgjigj: “Kjo është prova më e mirë që kjo është demokraci përfaqësuese”. Unë nuk besoj se në parlamentin shqiptar ka të tillë. Përkundrazi, janë më inteligjentët e të gjithë shqiptarëve, madje të gjithë deputetët, por ata duhet të kenë më shumë kurajë për të vënë kombin përpara interesit apo listës së deputetëve.
Ardi Bita – Përshëndetje! Zonja Kryetare, meqë u bë traditë për të bërë dy pyetje, edhe unë po i bëj dy.
Së pari, partia aleate e qeverisjes, PDIU-ja, ka dorëzuar një rezolutë në parlament për çështjen çame: po diskutohet, apo negociohet nga Partia Demokratike, meqë jeni edhe nënkryetare e saj?
Jozefina Topalli – Ajo ka ardhur në tavolinën time. E kam sigluar dhe ia kam kaluar Komisionit të Jashtëm. Ky i fundit ka kalendarin e vet të punës. Nuk e di se çfarë ka bërë. Sigurisht që do të shqyrtohet sipas procedurave parlamentare. Unë do t’ju sugjeroj diçka, nëse ju do ta pranoni! Në vitin 1996 ka kaluar Traktati i Miqësisë me Greqinë. Lexojeni për kuriozitetin tuaj intelektual. Lexojeni, sepse është një ndër traktatet ku është punuar më shumë dhe ka kapituj të tërë që përfshijnë të gjitha çështjet në diskutim. Lexojeni për kulturën tuaj, por edhe për vetëdijen tuaj. Është jashtëzakonisht i mirë. Po, pyetja e dytë?
Ardi Bita – Pyetja e dytë lidhet me një kuriozitet gazetaresk në fakt. Për herë të dytë ju nuk e keni votuar një kryeprokuror. Kjo ndodhi me zotin Llalla, megjithëse nuk ishte votë kundër që duhej shpjeguar, as abstenim, por mosvotim.
Jozefina Topalli – Jam e sigurt se Prokuroria e lexon mirë qëndrimin tim. Mbi të gjitha, ai është një qëndrim për të thënë dhe për të kërkuar fort që të bëjnë një betejë pa kompromis kundër korrupsionit, të mos konfortohen, të mos përdoren politikisht, të mos kthehen në instrumente politike, të mos kenë frikë, të hapin të gjitha dosjet dhe të mbyllin kapitullin e pazareve, të shitblerjeve, të dosjeve dhe të çështjeve në prokurori. Është një betejë e vështirë, e rëndësishme dhe do burra, do shtyllë kurrizore. Të mos presë njeri se do t’i shtrohet rruga deri te shtëpia. Të mos e pranojë kurrë. Duhet ta bësh vetë me kurajë dhe t’i dalësh me gjoks përpara. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për ne në Shqipëri. Nuk ka shtyllë me delikate, e cila ka nevojë për t’u konsoliduar, se sa drejtësia. Provojeni veten si qytetarë të thjeshtë që shkojnë i shesin dhe i blejnë dosjet, apo shiten nëpër tenderë. Është ftesë. Është thirrje. Është kërkesë. Është një betejë kundër korrupsionit, është detyrë e tyre. Është betejë kundër krimit, është detyrë e tyre. Kanë marrë votën e të gjithëve, kështu që ta kthejnë në vepër. Kjo është ftesë, thirrje, kërkesë. Ky ishte qëndrimi im. Ata e lexojnë mirë dhe e dinë mirë se çfarë dua t’ju them.
Indrit Maraku – Ju thatë se parlamenti duhet ta rrisë kontrollin ndaj institucioneve të tjera. Pikërisht në këtë drejtim, opozita ka kërkuar që parlamenti të ushtrojë kontroll në Ministrinë e Mbrojtjes për shkeljet që mendon se janë kryer. Ata kanë kërkuar nga ju që t’i ndihmoni në këtë drejtim, sepse gjejnë pengesa nga Ministria e Mbrojtjes: ju do të tregoheni të paktën vitin e ardhshëm e gatshme që ta ndihmoni opozitën që ta kryejë këtë funksion?
Jozefina Topalli – Sipas ligjit, sigurisht. Në shkelje të ligjit, asnjëherë. Sipas ligjit, në çdo çast dhe sa herë ta kërkojnë. Në thyerje të Kushtetutës, të ligjit dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kurrë. Asnjëherë, sa të jem kryetare e Kuvendit, qoftë edhe deputete e thjeshtë.
Indrit Maraku – Me lejoni t’ju bëj edhe një pyetje tjetër të shkurtër.
Jozefina Topalli – Por, në shtesë të kësaj, ne përpara një jave apo dhjetë ditësh, kemi kaluar edhe një ligj, i cili i rregullon më mirë marrëdhëniet midis ministrisë përkatëse dhe agjencive përkatëse brenda kësaj ministrie dhe ligjit.
Indrit Maraku – Nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet e ardhshme, ju do të vazhdoni të jeni Kryetarja e Parlamentit, apo e shikoni veten në një tjetër pozicion?
Jozefina Topalli – Unë do të bëj çdo për sa më takon mua, që së bashku me kolegët me kolegët e tjerë, të punojmë për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Ne nuk e kemi me horoskop. Ata e kanë me horoskop. Ne e kemi me punë, me projekte dhe me objektiva të caktuara që deri në vitin 2017 Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar.
Është sfidë e madhe dhe e vështirë, sidomos në kohë krize, por unë mendoj se ne ia dalim.
Unë e shoh me shumë optimizëm, por këtu nuk po flas më si kryetare parlamenti.
Indrit Maraku - Ju në cilin pozicion e shikoni veten vitin e ardhshëm?
Jozefina Topalli – Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Deputete e thjeshtë. Kënaqësia më e madhe është të shoh vendin që ecën në perspektivën e një vendi të zhvilluar për vitin 2017.
Anduela Ndreu – Jam Anduela Ndreu, nga radiotelevizioni “Ora News”.
Kjo pyetje më lindi në moment duke ju dëgjuar që thatë: “Ne e bazojmë punën tonë në projekte”. Opozita ka akuzuar mazhorancën se i ka vjedhur programin “Për një rilindje shqiptare”. Keni ndonjë koment për këtë?
Jozefina Topalli – Kjo është një barsoletë e paparë, pa projekt, pa program.
Anduena, t’i thuash shqiptarëve se janë 1 milion të papunë, të kesh qenë vetë njëmbëdhjetë vite në pushtet dhe kur qeveria përgjysmonte taksat, ti i trefishoje ato, kur qeveria i ulte në 10%, ti i katërfishoje ato, pastaj kujtohesh dhe thua: “T’i heqim të gjitha taksat e biznesit të vogël”, por asnjë njeri me intelekt mesatar nuk të pranon të të dëgjojë më, jo të të besojë. Është njësoj si t’i thuash shqiptarëve do të hani me lugë të artë. Këtë ia kanë thënë 70 vite më parë. Nuk e besojnë më shqiptarët. Ata janë inteligjentë dhe të shkolluar. Historia e tyre i ka bërë të reflektojnë thellë.
Ky 100-vjetor ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për një reflektim të veçantë për secilin prej nesh, për historinë tonë, për të pyetur se kush jemi ne dhe si sillemi në momente kyçe të historisë. Kemi histori jashtëzakonisht të dhimbshme dhe jashtëzakonisht të vështirë. Kjo jo për fajin tonë. Por ne dimë të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime. Nuk na izolojnë më, nuk beson njeri te luga e artë, nuk tallesh dot me shqiptarët duke u thënë: “Unë të heq të gjithë taksën e biznesit të vogël”. E para, nuk qëndron si koncept ekonomik dhe, e dyta, vetë, kur ke qenë 11 vite në pushtet, ke bërë të kundërtën. Nuk të beson më njeri. Në qoftë se ti gënjen herën e parë, ta pranon, po ta pranon edhe herën e dytë, por herën e tretë nuk ta fal njeri. Shqiptarët kanë veten e tyre të parën, kanë fëmijët e tyre, kanë familjen e tyre, kanë kombin e tyre, nuk kanë liderët.
Luis Tanushi – Ku ka ngecur kompleksi i ri parlamentar?
E dyta, nga monitorimi i parlamentit, kemi parë që deputetët, e të dy krahëve, shpesh herë votojnë për kolegët e tyre dhe firmosin për kolegët e tyre.
Jozefina Topalli – Kjo është e vërtetë. Ndodh ndonjëherë. Ndodh edhe në parlamentet e tjera. Këta deputetë quhen pianistë.
Për kompleksin, unë nuk mund t’ia lejoj vetes që në kohën e një krize globale të pretendoj të marr nga buxheti miliona euro për kompleksin e ri parlamentar. Këtë moment jo. Sigurisht, në legjislaturën e ardhshme unë besoj se do të bëhet. Kjo nuk do të thotë që stafi im nuk ka punuar gjatë kësaj periudhe dhe nuk do të punojë për të ecur përpara me çështjet teknike. Sepse kjo është për simbolikën shqiptarëve dhe të shqiptarizmës në demokraci. Unë prej kësaj nuk heq dorë. Besoj se legjislaturën e ardhshme duhet ta bëjmë. Natyrisht kërkoj mbështetjen tuaj dhe të opinionit publik në tërësi.
Edhe një herë ju falënderoj!
Ju uroj gëzuar, në familjet tuaja, juve personalisht!
Suksese!
Një falënderim të veçantë për ju, sepse e di që qëndroni net të vona në seancat plenare, në komisionet parlamentare dhe bëni një punë të shkëlqyeshme.
Faleminderit të gjithëve!