English

Çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë 2012. (VIDEO)

Të gjithë jemi dëshmitarë për vitin që shkoi, për gjithçka që ndodhi në jetën politike dhe shoqërore në Shqipëri.

Dhe tashmë jemi në minutat e fundit të këtij viti dhe përsëri nga goja e njerëzve të këtij kombi dëgjon të njëjtën fjali: "asnjë ndryshim nga i pari, për të mos thënë më në varfëri".

Përmes videos së mëposhtme të realizuar nga zëri i amerikës jepet qartë përmbledhja e vitit që po shkon me gjithçka që ka ndodhur në të gjithë sektorët.

Viti u shoqërua me ngjarje, që arritën kulmin në muajin nëntor, kur vendi kujtoi dhe festoi me madhështi 100 vjetorin e pavarësisë. Por as 100 vjetori i pavarësisë nuk shërbeu si shtysë që klasa politike të gjente paqe qoftë edhe për një moment. Zgjedhja e presidentit të ri të vendit u shoqërua me polemika. Ngërçet e vazhdueshme do të bëheshin sërish pengesë për të hedhur një hap përpara drejt integrimit europian. Ndërsa efektet e krizës ekonomike do të ndjeheshin si asnjëherë më parë.
100 vjetori i pavarësisë ishte ngjarja më e rëndësishme e vendit, një nga ato momente që janë të papërsëritshme. Ajo përfshiu shqipëtarët jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë, të cilët më 28 Nëntor u derdhën me qindra mijëra në Tiranë dhe në Vlorë.

Polemika të shumta megjithatë i paraprinë kësaj ngjarje, që nga ato lidhur me vlerësimin e figurave historike të vendit, dhe hapësirës së madhe që ju kushtua mbretit Zog, eshtrat e të cilit u kthyen në atdhe pas 51 vitesh, deri te protokolli i cili sipas socialistëve la jashtë Vlorën si kryeqendër të festimeve. Por ngritja e flamurit në këtë qytet, në ditën e Pavarësisë, mbeti momenti kulmor i festës që kishte përfshirë prej disa ditësh vendin e veshur tërësisht kuqezi e të mbërthyer në një atmosferë inkandeshente e krijuar më së shumti nga ata qindra mijëra qytetarë që i gëzoheshin ditës simbol të kombit. Udhëheqës të trevave kryesore ku jetojnë sot shqiptarët u panë së bashku, dhe për një moment 28 nëntori afroi edhe politikanët e Tiranës, të cilët ashtu siç dhe e kishin nisur, vazhduan më tej festën të ndarë. Polemikat do të mbyllnin edhe këtë ditë, pasi në pritjen kryesore, atë të mbrëmjes së 28 nëntorit, presidenti Bujar Nishani i la foltoren e tij një të huaji, për më tepër një politikani, drejtuesit të së djathtës europiane.

Por më shumë gjurmë në këtë festë lanë tonet e larta nacionaliste, jehona e së cilave vazhdoi gjatë. Në Shkup, më 25 nëntor, kryeministri Berisha bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve:

“Dua ti bëj thirrje shqiptarëve, të punojmë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”.

Më e avancuar do të ishte deklarata më pas në Tiranë, më 27 nëntor, gjatë inaugurimit të shtatores së Adem Jasharit:

“Le të punojmë ne të gjithë krenar me heroizmin tënd, për një komb shqiptar të bashkuar në të gjitha trojet e tij etnike”.

Ndërsa po atë mbrëmje në Vlorë ai do të linte një dedikim qytetit dhe patriotrëve që shpallën “pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë të të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë”

Këto deklarata do të shqetësonin fqinjët. Presidenti maqedonas Giorge Ivanov dhe ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopoulos do të anullonin pjesmarrjen e tyre në festimet në Tiranë. Shqetësimet do i përcilleshin edhe Brukselit. Këshilli i Ministrave të BE do të përfshinte një paragraf në përfundimet e tij për Shqipërinë ku kërkonte shmangien e deklaratave që shkojnë kundër frymës së fqinjësisë së mirë. Kryeministri do të saktësonte më pas, në 12 dhjetor se “nuk ka as edhe një ambicje territoriale”, duke shtuar se ekziston një frymë albanofobe në rajon. Një qëndrim më i fortë do të vinte nga Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadorit Aleksandër Arvizu: “Duke parë rolin pozitiv që Qeveria e Shqipërisë ka luajtur tradicionalisht në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, nxisim drejtuesit e saj që të jenë të qartë në këtë element. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të dërguar mesazhe të përziera”.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT

Një tjetër moment kyç gjatë 2012 ishte zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Ndonëse shumica u ul në bisedime me opozitën, më së shumti për shkak të trysnisë ndërkombëtare, kryeministri Sali Berisha realizoi në fakt atë që kishte deklaruar që në krye të herës, zgjedhjen e një figure të Partisë Demokratike.

Çështja e presidentit të ri të vendit kishte nisur të debatohej që gjatë fundit të viti të shkuar. Për muaj me radhë mes palëve u luajt një lojë nervash. Sipas socialistëve kreu i shtetit duhej të zgjidhej me konsensus.

“Juve ju mungon legjitimiteti politik si mazhorancë për të zgjedhur të vetëm presidentin e Republikës”, deklaronte në Parlament kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi. Kryeministri Berisha herë përmendte kushtetutën “garantoj se do zgjidhet kryekëput me kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për zgjidhje suplementare në raport me kushtetutën do të pësojnë fatin e të tjerave” “dhe herë zgjedhjen nga radhët e partisë demokratike “kandidati do të jetë një nga personalitetet e partisë demokratike”.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta do të luajë pjesën e vet gjatë etheve për presidentin e ri. Disa deklarata për një figurë mbi palët duket se ngrohën marrëdhëniet me socialistët. Në fillim të majit kryetari socialist Edi Rama do të darkojë me zotin Meta në shtëpinë verore të këtij të fundit në Durrës. Ata do të takohen sërish pasi zoti Rama ndërmerr një tur takimesh me drejtuesit e partive parlamentare. Por zoti Rama duhet të përballet ndërkaq edhe më një tjetër problem. Në fushë ka zbritur sërish ish kryetari socialist Fatos Nano, i cili kërkon mbështetje për kandidaturën e tij.

“Unë dhe kryetari i Partisë Socialiste, dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, shpresoj dhe drejtues të forcave të tjera e kryeministri Berisha të vazhdojmë të mbështesim më të njejtin impenjim kombëtar realizimin e sfidës presidenciale në përputhje me objektivat e integrimit dhe ambiciet kombëtare”, deklaroi zoti Nano më 26 Prill pas takimit me kryetarin socialist Edi Rama. Ambiciet e tij do shuhen shpejt. Socialistët kërkojnë një proces bisedimesh përpara se të flitet për emra, ndërsa kryeministri Berisha do t’ja mbyllë derën duke i thënë se do të mbështesë një figurë demokrate.

Bisedimet mes palëve kërkohen me ngulm nga ndërkombëtarët. Dhe pas takimit me komisionerin Fyle në Tiranë më 3 maj, kryeministri do të shprehet në favor “domosdoshmërisht procesi duhet të kalojë me negociata” Takimi i parë mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare më 27 maj, do të dështojë. Socialistët paraqitën katër kushte: realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare, ndryshime kushtetuese për imunitetin dhe president konsensual.

Një ditë para votimit të parë, kryeministri Berisha mbledh aleatët dhe propozohet emri i anëtarit të Gjykatës kushtetuese Xhezair Zaganjori. Emri u vihet socialistëve në tavolinë mëngjesin tjetër. “Ky është një qëndrim i njëanshëm i pozitës, e cila ka zhvilluar monolog me partnerët e vet politik”, deklaroi pas takimit kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi.
Raundi i parë digjet. Edhe takimet mes zotit Berisha dhe kryetarit socialist nuk sollën asgjë të re. Emri i zotit Zaganjori do të mbetet në fuqi deri në raundin e tretë, pas të cilit ai do të tërhiqet për shkak të mungesës së konsensusit për emrin e tij. Një takim i dytë Berisha-Rama më 10 qershor, para raundit të katërt dështon. Shumica propozon emrin e Artan Hoxhës. Surprizat nuk mungojnë. Zoti Hoxha pak para seancës së votimit tërhiqet për shkak të akuzave mbi një bashkëpunim të mundshëm të tij me ish sigurimin e shtetit, për të cilën ai vetë do të flasë më vonë gjerësisht.

Këtë herë shumica nuk humbet kohë. “Kandidatura tjetër do të jetë zoti Nishani”, njoftoi zoti Patozi paraditen e 11 qershorit. Pas pak orësh, zoti Nishani do të zgjidhet president me 73 votat e shumicës. “Fatkeqësisht sot Shqipëria u gdhi me një noter partiak në rolin e Presidentit të Republikës”, do të deklaronte të nesërmen kryetari socialist, Edi Rama. Ceremonia e marrjes së detyrës do të zhvillohet më 24 korrik. Më pas ceremonia në presidencë. Zoti Topi do të largohet për t’ju rikthyer jetës politike dhe do të vihet pas disa javësh në krye të Frymës së re Demokratike, parti e formuar vetëm pak muaj më parë.

Presidenti Nishani do të jetë shpejt në qendër të kritikave të opozitës. Dy javë pas marrjes së detyrës ai propozon në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefën, i zgjedhur nga shumica në pushtet. Vendi kishte mbetur bosh pas dorëheqjes në shkurt të Kreshnik Spahiut, ndaj të cilit e djathta nisi një hetim parlamentar. Spahiu do të vihej në krye të Aleancës Kuqezi, e cila do të shndërrohej më pas në një parti politike që do të shkaktojë herë pas here zhurmë jo të vogël kryesisht për deklaratat e saj nacionaliste.

Po në gusht, presidenti do të shkarkonte edhe kreun e Shërbimeve sekrete Bahri Shaqiri, duke provokuar jo pak polemika e duke ngritur dyshime për vënien nën kontrollin e qeverisë, sipas opozitës, të të gjitha institucioneve kyçe të sigurisë dhe drejtësisë. Në krye të Shishit do të vihet Visho Ajazi, me një të kaluar në Shik-un e fillim viteve ’90. Me zhurmë do të shoqërohet edhe zëvendësimi në nëntor i i kryeprokurores Ina Rama.

“Kjo është porosia antikushtetuese e kryeministrit, që po e zbaton ministria e presidencës”, deklaroi kryetari socialist Rama.

Presidenti Nishani bëri kujdes në emrin e ri duke gjetur zoti Adriatik Llalla, drejtuesin e Inspektoriatit të verifikimit të pasurive, i cili ishte zgjedhur në atë post edhe me votat e opozitës, që megjithatë këtë herë abstenoi.

REFORMAT DHE STATUSI NË BE

Shumica dhe opozita realizuan së bashku nën trysninë e Bashkimit Europian, një seri reformash, por pa arritur të përmbushin kërkesat e Brukselit, I cili në Tetor përcaktoi miratimin e dy ligjeve dhe reformës parlamentare si kushte për të propozuar dhënien e statusit të vendit kandidat. Një shans i humbur për herë të tretë për shkak të kapriciove politike.

Brukseli do të ndjekë me vëmendje ecurinë e procesit të reformave si një sponsor i marrëveshjes së arritur nëntorin e vitit 2011. Drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin Stefano Sannino do të vijë disa herë në Tiranë. Në mars atij do t’i dorëzohet Plani i veprimit i hartuar nga qeveria në bashkëpunim me opozitën. Disa ligje dhe kode që kërkonin tre të pestat kaluan në parlament me konsensus, por reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare do të hasin në ngërçe të herëpashershme. Ndërsa palët në mënyrë të përsëritur do të akuzojnë njëra tjetrën.

“Nëse këto dy reforma nuk kalojnë siç duhet dhe në kohën e duhur, procesi i integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Europës, është tërësisht i kompromentuar”, deklaronte zoti Rama. “Doni me çdo kusht të bllokoni statusin. Por në mënyrë absolute kjo mazhorancë nuk do t’ju lutet juve të mos e bllokoni”, do shprehej nga ana e tij kryeministri Berisha.

Ky refren akuzash do të dëgjohet gjatë gjithë vitit, në çdo moment ngecjeje. Përpjekjet e partive të vogla për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor do të bien në vesh të shurdhër, ndërsa demokratët dhe socialistët do të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre vetëm në korrik, pas shtyrjes së njëpasnjëshme të afateve duke rënë dakort për zbatimin e numërimit elektronik në Tiranë dhe në Fier si dhe për ndryshimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas një procesi seleksionimi, në tetor zgjidhet edhe kryetarja e re e KQZ. Komisioni do të gjendet shumë shpejt përballë përplasjeve. Në dhjetor Presidenti do të dekretojë 23 qershorin e 2013 si datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Një tjetër ngërç mes palëve do të lindi pasi demokratët dorëzojnë më 6 korrik, në parlament nismën për heqjen e imunitetit përmes ndryshimit të kushtetutës.

“Kemi dërguar variantin të cilin opozita e ka mbështetur publikisht”, u shpreh zoti Berisha. Por socialistët thanë se “nuk do të ndërhyjmë më asnjëherë në kushtetutën e Republikës me nxitimin e katër viteve më parë”, deklaroi zoti Rama.

Palët do të bien dakort për formulimin për heqjen e imunitetit, por çështja do të mbetet pezull. Socialistët kërkojnë ndryshime të tjera kushtetuese që do të forconin sipas tyre garancitë për një sistem drejtësie të pavarur. Seanca e 6 gushtit për imunitetin dështon.

Demokratët janë kategorikisht kundër paketës së socialistëve. “Nuk kemi ndërmend të votojmë paçavuret e opozitës, pavarësisht se do të respektojmë të drejtën e tyre për t’ja futur edhe kot”, do shprehej në parlament më 3 shtator kryetari i grupit demokrat Patozi. Socialistët në fakt nuk këmbëngulin më tej. Do të mjaftohen me përfshirjen në diskutim të paketës e cila do të rrëzohet, në 14 shtator, në këshillin e legjislacionit brenda 5 orësh. Pak ditë më pas ajo do të bjerë përfundimisht në parlament ndërsa do të miratohet heqja e imuniteteve.

Por problemet nuk kanë të sosur. Ndërsa kanë mbetur vetëm pak ligje për t’u miratuar, ngërçi i radhës do të jetë Qarku i Fierit, drejtimi i të cilit sipas socialistëve u takon atyre, ndërsa tregojnë një numër vendimesh gjykatash që u japin të drejtë. “Fieri është shembulli më flagrant, më ulëritës, më kuptimplotë i kësaj ndarjeje me thikë mes ligjeve në letër që miratojmë për integrimin dhe realitetit të paligjshmërisë”, do shprehej zoti Rama.

Por për kryeministrin Berisha “të gjitha këto i ka vetëm pretekste se si e si të bllokojë statusin”.

Më 10 tetor Bruskeli i lë një tjetër dritare të hapur Shqipërisë për Statusin. “Komisioni rekomandon dhënien e statusit kandidat, me kusht që të përmbushen masat kyçe në fushat e gjyqësorit dhe reformës së adminstratës publike, dhe pasi rregullorja e parlamentit të rishikohet”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Në raportin për Shqipërinë vlerësohet se nga 12 objektivat janë përmbushur vetëm 4 dhe dy të tjerë janë në përmbyllje e sipër. Brukseli vë sërish theksin te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, te pavarësia e gjyqësorit, ndërsa mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme sipas standarteve ndërkombëtare konsiderohet si një parakusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Të njejtat mesazhe, por të veshura me tone të një dashamirësie të rallë, u përcollën pak ditë më pas në Tiranë, përmes një fjalimi mbresëlënës në parlament, nga sekretarja amerikane shtetit Hillary Clinton e cila do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë:

“SHBA kanë qëndruar me ju në 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndojnë edhe për 100 vitet e tjera të ardhshme e 100 vjet e 100 vjet të tjera më pas”.

Megjithatë asgjë nuk do të ndryshojë edhe në javët që do të pasojnë dhe praktikisht klasa politike shqiptare dogji me duart e veta shansin për të bërë një hap përpara në marrëdhëniet me Europën. Këshilli i Ministrave të BE, i mbledhur në 11 dhjetor, nuk ka ç’të bëjë tjetër veçse të rikonfirmojë se mbetet në pritje të sinjaleve pozitive nga Tirana.

EKONOMIA

Kriza e cila vazhdon të mbajë të mbërthyer veçanërisht eurozonën, u ndje fort në ekonominë shqiptare. Rritja e saj ra ndjeshëm. Ndërsa gjatë gjithë 12 muajve, investimet dhe konsumi mbetën të ulta. Qeveria nuk mundi të mbajë nën frena borxhin publik. Nevoja për fonde e financime bëri që në fund të vitit ajo të vendoste rritjen e kufirit, pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare për rreziqet e një lëvizjeje të tillë.

Asnjë shenjë nuk premtonte përmirësim të situatës ekonomike dhe ndonëse edhe një vit më parë ishte detyruar të ndërhynte në buxhet për shkak të pamundësisë së realizimit të objektivave të saj, edhe për 2012 qeveria u tregua tejet optimiste në parashikimet e saj për një rritje ekonomike prej 4.3 përqind. Një parashikim, i cili do të tronditej që në fillim të vitit nga të dhënat e tremujorit të parë, kur sipas Instat rritja kishte qenë negative me -0,2 përqind. Më tej situata do të përmirësohet, dhe në tremujorin e dytë rritja do të jetë 2,04 përqind.

Pothuajse gjatë gjithë vitit Banka e Shqipërisë përsëriti në mënyrë të vazhdueshme shqetësimin për rënien e konsumit dhe investimeve private. Ajo ndërhyri dy herë duke ulur në mars dhe korrik normën bazë të interest duke e çuar në 4 për qind, ndërsa në mesin e vitit guvernatori Ardian Fullani do të pranonte se rritja do të ishtë më e ulët edhe se vetë parashikimet e Bankës, nisur nga të dhënat e ecurisë së deriatëhershme “të cilat kanë zhvendousr në kahun rënës projeksionet tona bazë për ecurinë ekonomike në pjesën e mbetur të vitit”.

Në shtator edhe qeveria do të rishikojë në ulje parashikimet e saj. “Do të jetë një rritje rreth 3 përqind, e zvogëluar në krahasim me objektivin”, do të deklaronte ministri i Financave Ridvan Bode. Ndërsa në fund të vitit qeveria do të pranojë një shifër edhe më të ulët mes 1 dhe 2 përqind, duke ju afruar kështu më shumë parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare për një rritje mes 0,5 dhe 1 përqindshit. Industria dhe ndërtimi janë sektorët më të prekur. Ky i fundit prej muajsh në asfiksi të plotë. Ndërsa oksigjeni i financimeve nga bankat erdhi duke rënë gjithnjë e më shumë. Kreditë e këqija regjistruan një rritje progresive me afër 4 pikë duke shkuar në afër 29 përqind.

Një debat i fortë do të zhvillohet për borxhin publik, për të cilin qeveria premtoi në fillim të vitit reduktimin e tij. “Jemi në parametrat 58.9 të prodhimit të brendshëm bruto. Borxhi publik do të tentojë të normalizohet në parametrat e vitit 2007-2008”, do të deklaronte zoti Bode më 13 janar. Por në të vërtetë borxhi do të vijë duke u rritur e duke kapërcyer nivelin 60 përqindshit në fund të vitit, ndërsa për 2013 parashikohet në 62,6 përqind. Një nivel, i cili konsiderohet kërcënues nga institucionet ndërkombëtare.

Një tjetër kërcënim është situata energjitike. Më shumë se sa nga moti e keqja këtë herë erdhi nga brenda. Një konflikt i gjatë mes autoriteteve dhe kompanisë çeke, që kontrollon sistemin e shpërndarjes po e mban pezull sektorin me pasoja të rënda financiare. Çekët kanë njoftuar shitjen e aksioneve ndërkohë që Enti Rregullator pritet të vendosë heqjen e licencës. I deklaruar si një sukses, ky privatizim rezultoi në një dështim.

Ndërkohë pikëpyetje të mëdha po shoqërojnë një tjetër privatizim, atë të kompanisë Albpetrol. Oferta e bujshme prej 850 milion eurosh e një konsorciumi që fillimisht u paraqit si amerikan por që më pas doli se kontrollohej nga sipërmarrësi shqiptar Rezart Taci, rrezikon t’i ngjajë më tepër një flluske. “Kontrata nuk është nënshkruar. Kompania nuk ka depozituar 20 përqindshin e garancisë”, u shpreh më 10 dhjetor zëvendësministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj.

Megjithëse afatet ligjore janë mbyllur që në fillim të dhjetorit autoritetet prapë po presin me shpresën se një ditë paratë do të vijnë. Afër 110 milion euro të tjera të ofruara nga turqit e Kurum, pritet të merren nga shitja e katër hidrocentraleve, Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2.



1578

KOMENTE