Studentja indiane që u përdhunua në grup dhe u rrah brutalisht në Nju Delhi, ndodhet në gjendje të rëndë në një spital në Singapor.
Kështu është shprehur Drejtori i spitalit Dr. Kelvin Loh i cili foli për gjendjen shëndetësore të 23-vjeçares, duke thënë se pacientja ka shfaqur shenja të mosfunksionimit të organeve.
Zoti Loh tha se spitali kishte informuar pjesëtarët e familjes së viktimës për gjendjen e saj të rëndë.
Studentja po udhëtonte me një autobus privat në Nju Delhi, kur një grup burrash e përdhunuan dhe e goditën me shufër hekuri dhe më pas e hodhën nga autobusi. Policia ka arrestuar gjashtë të pandehur, të cilët akuzohen për përdhunim dhe tentativë për vrasje.
Kryeministri i Indisë është shprehur se bashkohet me ndjenjën e tronditjes dhe revoltimit që ka përfshirë vendin lidhur me këtë krim të shëmtuar. Ai tha se qeveria është e përkushtuar për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur.