Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës z. Petrit Vasili ka shpërndarë pako dhuratash për fëmijët e çerdhes nr. 56 në kryeqytet. Gjatë ditës së sotme, ka përfunduar shpërndarja e 3 mijë dhuratave për fëmijët e çerdheve të Tiranës, ndërkohë që të hënën përfundon shpërndarja e 6 mijë dhuratave për fëmijët e kopshteve. Gjatë fjalës së tij, Vasili tha se në këtë çerdhe erdhëm jo vetëm thjesht si drejtues të Bashkisë së Tiranës, por edhe si prindër, për t’u dhuruar fëmijëve të kryeqytetit një dhuratë simbolike dhe për t’ua bërë edhe më të bukura festat e fundvitit.
“Edhe ambienti shumë festiv dhe i mrekullueshëm që kanë krijuar drejtuesit e çerdhes, edhe nën kujdesin e jashtëzakonshëm të gjithë strukturës që e mbulon të tërë këtë shërbim në qytetin e Tiranës, falë mbështetjes së pakursyer edhe të partnerëve, do të nënvizoja bankën “Credins”, ua bëjnë sigurisht më të bukur dhe më interesante këtë fund- viti. Edhe gëzimi i fëmijëve, me të cilët ne ndamë këto dhurata të vogla simbolike na mbush dhe besoj që të tërë ne do të kthehemi në shtëpitë tona”- u shpreh nënkryetari Vasili.
Z. Vasili tha se Bashkia e Tiranës, kërkon që këtë traditë të shkëlqyer të këtij fund- viti, ta ndajë me vogëlushët.
“Unë u uroj gëzuar të gjithë qytetarëve të Tiranës! Në radhë të parë të gjithë personelit që shërben dhe sakrifikohet për të mbajtur një nivel kaq të mirë, por njëkohësisht edhe të gjithë prindërve të fëmijëve, të cilët kanë besuar dhe besojnë në shërbimin publik të Bashkisë së Tiranës. Festa të lumtura për të gjithë sëbashku!”- ka përfunduar Vasili.