English

Familja presidenciale uron të moshuarit e shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë

Në ditën e parë të vitit të ri, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, vizituan Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, për t’u shprehur atyre urimet më të mira për vitin 2013.

Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë fillimisht vizituan një të moshuar në dhomën e tij dhe më pas u takuan me të moshuarit e tjerë.

Duke vënë në dukje faktin se në këtë ditë të parë të Vitit të Ri të gjithë shprehin përkujdesjen, ngrohtësinë e dashurinë për njëri-tjetrin, familjarët, të afërmit, miqtë, Presidenti Nishani theksoi se është e domosdoshme që përkujdes i veçantë t’i kushtohet brezit të tretë, njerëzve, të cilëve mosha u flet shumë dhe prej të cilëve trashëgojmë gjithçka.

Kreu i Shtetit u shpreh se vëmendja dhe kujdesi ndaj të moshuarve tregon nivelin e qytetarisë, kulturës e mbi të gjitha vlerat njerëzore.

“Ne menduam që në këtë ditë të parë të vitit të jemi së bashku me ju që keni më shumë nevojë se të gjithë të tjerët për urime, për miqësi, për ngrohtësi, për përkujdesje, dhe t’ju urojmë nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri! Të keni jetë të gjatë!” uroi të moshuarit, Presidenti Nishani.

Presidenti i Republikës gjithashtu falenderoi stafin që kujdeset çdo ditë për të moshuarit e kësaj shtëpie dhe i inkurajoi që t’u ofrojnë atyre dashurinë dhe respektin që meriton nëna dhe babai.

“Jam i bindur që të gjithë atë përkrahje, të gjithë atë përkujdesje që ky staf i mrekullueshëm ju ofron, do ta forcojë akoma edhe më shumë përmes kujdesit dhe dashurisë për ju. Me kujdesin ndaj moshës së tretë çdonjëri ka nderuar veten e tij, prindërit, miqtë dhe njerëzit e afërt. Unë dëshiroj të falenderoj të gjithë ata njerëz që ju gjenden juve pranë në këto ditë festash. Dhe të gjithë ata që u kujdesën për ju në mënyrë të veçantë që këto festa të ishin të gëzuara edhe këtu mes jush: qoftë familjen Bramllari, qoftë Spitalin Hygeia që ofruan kontrollin mjekësor falas për secilin prej jush, sepse është një gjë që e keni të nevojshme. Mosha ka problemet e saj, por kur është përkujdesja, dashuria e miqësia, mosha nuk na tremb. E rëndësishme është që njerëzit të duan njëri-tjetrin”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani u përcolli të moshuarve mesazhet e dashurisë midis njerëzve, të respektit, përkujdesjes për njerëzit, duke i siguruar se do të jetë një mik i vazhdueshëm i tyre.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi përpjekjet e qeverisë për t’u krijuar të moshuarve kushte të mira për të jetuar, të cilat i vlerësoi si tregues të respektit për njeriun.

Kryetari i Shtetit vlerësoi lart sakrificat dhe mundin e personave të brezit të tretë, të cilët patën fatin të jetojnë në ditë të vështira për vendin.

“Ju jeni njerëz që keni punuar shumë për këtë vend. Keni derdhur djersë, keni dhënë mund, keni pasur sakrifica dhe ditë të vështira, sepse jeni një brez që keni kaluar një periudhë të vështirë të Shqipërisë. Pra për të gjitha këto sakrifica që ju keni bërë, për të gjithë atë mund, për të gjithë atë kontribut, ju meritoni një respekt të pafund”, u shpreh Presidenti Nishani duke u uruar të moshuarve një jetë të qetë dhe me sa më pak probleme.

Në përfundim të vizitës, Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë u përshëndetën nga afër me të moshuarit, duke u uruar shëndet e pleqëri të mbarë, dhe në mënyrë simbolike trokitën gotat me ta duke bashkëbiseduar miqësisht.

Çifti presidencial në bashkëpunim edhe me biznese të tjera i dhuruan Shtëpisë së të Moshuarve tetë kaloriferë të blerë dhuratë nga Institucioni i Presidentit, ndërsa falenderuan edhe bizneset për mbështetjen ndaj këtyre të moshuarve.

KOMENTE