Presidenti i Republikës, njëherësh Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani, në ditën e parë të vitit të ri 2013, zhvilloi një video konferencë me kontingjentin e ushtarakëve shqiptarë, të cilët kryejnë misionin e tyre paqeruajtës në Afganistan, në drejtimin e forcave të Organizatës së Atlantikut të Veriut.
Në bashkëbisedimin me paqeruajtësit shqiptarë të përfaqësuar nga Kolonel Isuf Hamati – Komandant i Kontingjentit OMLT-3 (Ekipi i Këshillimit dhe Koordinimit Operacional) në Kabul, nga Nënkolonel Ekland Dauti - Komandant i Kontingjentit Luftarak “Eagle-5”, Kandahar dhe nga Nënkolonel Lavdërim Oshafi - Komandant i Kontingjentit të 11-të në Herat si dhe me oficerë amerikanë e spanjollë nga radhët e aleatët tanë të NATO-s të cilët vlerësuan lart profesionalizmin, përvojën dhe trimërinë e paqeruajtësve shqiptarë, Presidenti i Republikës u përcolli urimet më të ngrohta e të përzemërta për paqe, shëndet, suksese e mirëqenie.
Duke folur me këta ushtarakë dhe duke u uruar një vit të mbarë e mision të suksesshëm, Presidenti Nishani u shpreh se “Ne ju mbajmë çdo ditë në mendje, në zemër dhe në vlerësimin tonë. Ia keni rritur shumë emrin Shqipërisë, Forcave të Armatosura të saj, kështu që ne të gjithë së bashku jemi krenarë për ju, për gatishmërinë, për sakrificat, për profesionalizmin dhe për kontributin tuaj madhor!”
Më tej, Komandanti i Përgjithshëm vuri në dukje se trupat shqiptare ndodhen në misionet në Afganistan si heronj të vërtetë në shërbim të çështjes më madhore të njerëzimit: paqes, lirisë dhe sigurisë.
“Ju ushtarakët shqiptarë na keni bërë ne shqiptarëve kudo ku jemi sot të ndihemi krenarë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe kontributi juaj në mes të miqve, partnerëve dhe aleatëve të barabartë e ka ngritur emrin e Shqipërisë dhe flamurin e saj në dinjitetin më të madh të gjitha kohërave. Ne jemi krenarë për ju, por gjithashtu jemi të kënaqur dhe të lumtur se ju po ofroni përmes sakrificave tuaja dhe profesionalizmit tuaj një kontribut të madh për një popull të tërë siç është populli afgan, i cili meriton lirinë, paqen dhe sigurinë. Ne jemi krenarë për ju, sepse të gjithë shqiptarët përkulen me nderim përpara gatishmërisë tuaj, dhe nderojnë të rënët tanë në atë fushë beteje. Të gjitha këto sakrifica e kanë bërë më të fortë emrin e shqiptarit. E kanë lartësuar edhe më shumë flamurin tonë kombëtar. Unë dëshiroj njëkohësisht që përmes jush të përshëndes të gjitha Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm, të gjithë komandantët, oficerët, ushtarët, të cilët janë krenaria e vendit tonë. Jeni në pararojë të zhvillimeve të të gjithë shoqërisë sonë”, nënvizoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit duke çmuar se heroizmi i trupave shqiptarë bën krenarë jo vetëm kombin por edhe partnerët, u adresoi një përshëndetje të veçantë të gjithë aleatëve me të cilët trupat shqiptare bashkëpunojnë dhe luftojnë për të garantuar rendin, paqen dhe sigurinë në botë.
Në përfundim Presidenti Nishani e konsideroi këtë përshëndetje me trupat në Afganistan si një moment të veçantë të ditës së parë të 100-vjeçarit të dytë të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar duke i uruar të gjithë forcat paqeruajtëse shqiptare të kthehen shëndoshë e mirë në atdhe.
Në mjediset e Institucionit ku u zhvillua kjo video konferencë, ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, Komandanti i Forcës Tokësore dhe Gjeneral Major Dushku, Këshilltari Ushtarak i Presidentit, Gjeneral Jeronim Baze si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.
Kryetari i Shtetit u përshëndet gjithashtu dhe u takua nga afër me ta, duke u shprehur urimet më të përzemërta për paqe, mirësi e begati dhe duke vlerësuar lart rolin e paqeruajtësve shqiptarë.