Drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, me rastin e festës së fundvitit kanë vizituar familjet e katër të vrarëve nga dhuna shtetërore në 21 janar 2011. Kreu i PS-së, Edi Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Linda kanë vizituar familjen e Aleks Nikës në komunën Kolsh të Lezhës, ku janë pritur nga prindërit, bashkëshortja dhe vajzat e Aleksit si dhe të tjerë familjarë. Bashkëshortja e Kreut të PS-së, Linda Rama, ishte kujdesur vetë për të zgjedhur lodrat e dhuratat për vajzat e vogla të Aleksit. Të njëjtën gjë ajo ka bërë edhe me fëmijët e vegjël të Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit.
Përtej urimeve tradicionale të vitit të ri, biseda me të atin e Aleksit nuk mund të shmangte atë maskaradë që po zhvillohet në procesin gjyqësor për vrasjet e 21 janarit. I zoti i shtëpisë kërkon vetëm drejtësi. “Me halle, me probleme, me mërzitina. Nuk kemi ku shkojmë. Kam qenë tip çuni dikur, i fuqishëm, por me thanë të drejtën kjo më ka mposht. Se është vrarë kot, të kishte motiv vrasja do rrija më i fortë. Kështu kam dobësi. Dua ti dali e drejta. Mua më vret shumë” - ka thënë babai i Aleksit. Nga ana e tij kryesocialisti Rama ka theksuar se procesi i 21 janarit është një turp i madh dhe se zbardhja e kësaj ngjarjeje do të marrë udhë me ndryshimin e pushtetit në 2013. “Është drejtësi e shitur e gjitha. Ai proces është katastrofë, është një turp i madh. Vetëm ndërrimi i pushtetit e lehtëson zbardhjen e së vërtetës dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë”, i ka thënë Rama babait të Aleks Nikës.
Tek familja e Hekuran Dedës në Kamzë kanë bujtur deputetët socialistë Artan Gaci, Xhemal Qefalia, drejtuesi i PS-së për rrethin Tiranë, Pjerin Ndreu si dhe i deleguari i asamblesë për Kamzën, Rakip Suli. Drejtuesit socialistë janë përballur në këtë familje me një varfëri të tejskajshme, teksa babai i Hekuranit dergjej në shtrat i sëmurë, ndërsa nëna rriste me vështirësi fëmijët e tij. E megjithë vështirësitë ekonomike që kalojnë, farsa që po ndodh me zbardhjen e vrasjes së djalit dhe vëllait të tyre është një dramë shumë më e madhe për pjesëtarët e kësaj familjeje. “Ne jemi me dhimbjen tuaj dhe e ndiejmë si detyrim zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Jemi të angazhuar, që nga kryetari i partisë dhe të gjithë kolegët. Të jeni të bindur herët ose vonë ajo ngjarje do zbardhet. Nuk mund të fshihet gjithë ai krim në mes të qytetit”, u ka thënë familjarëve të Hekuran Dedës, deputeti Xhemali Qefalia. Ndërsa nëna e Hekuranit thotë: “Me duar në xhepa është shumë e rëndë. Po juve faleminderit që na kujtoni”. Deputeti Artan Gaçi ka theksuar: “Çdo njeri që punon dhe lufton bashkë me ne nuk lufton vetëm për të fituar Partia Socialiste. Po lufton edhe për të vënë drejtësi edhe për Hekuranin. Në qoftë se nuk gjen drejtësi është ajo si një gangrenë që vazhdon të nxjerr dhimbje. Siç ishte dhe rasti i babait tuaj që u rëndua dhe për shkak të mos vendosjes së drejtësisë dhe vazhdon të rijë i shtrirë në krevat”.
Në familjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, kanë qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi Ruçi i shoqëruar nga deputetët, Albert Çaçi, Arjon Muçaj, Ervin Koçi, Pirro Lutaj dhe përfaqësues të tjerë socialist të zonës. Familja e Faik Myrtajt është strehuar në një nga apartamentet sociale të Bashkisë së Fierit. Bashkëshortja e Faikut, ashtu si edhe familjarët e tjerë të viktimave të dhunës shtetërore të 21 janarit, ka vetem një kërkesë: “E dua drejtësinë të zbardhur komplet. Jam vrarë dy herë, ndaj nuk mund ta harroj këtë krim”. Ndërsa babi i Faikut e shpreh kështu dhimbjen e tij: “Zemrat tona janë të vrara si gjithë populli shqiptar, si gjithë njerëzit e këtij kombi. Drejtësia duhet të punojë mirë”. Gramoz Ruçi nga ana e tij është shprehur se pas dy vjetësh jo vetëm që drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e vet, por dora që i vrau ata po përpiqet t’i vrasë sërish. “Ju jeni vrarë dhe siç e kemi thënë dhe herë tjetër jemi vrarë të gjithë. Jemi vrarë të gjithë nga një dorë që është në pushtet. Sigurisht Faiku nuk vjen më. Ju u vratë dy herë, se veç Faikut iku dhe djali. Ishte një humbje mbi humbjet dhe ajo, ishte pasojë e ngjarjes. Do ishte qetësuar sado pak ajo dhimbje në qoftë se drejtësia do ta kishte thënë pas dy vjetësh tashmë, fjalën e saj. Por ajo jo vetëm s’e ka dhënë fjalën e saj dhe ajo dorë që i vrau po përpiqet t’i vrasë për së dyti”, ka thënë Ruçi.
Edhe në familjen e Ziver Veizit gjendja nuk ishte aspak më e mirë. “Ju ndjekim dhe ngrohtësi kemi ndjerë shumë, por jetojmë në fukarallëk. Pensioni jonë i kooperativës nuk del”, ka thënë gjyshi i fëmijëve, i cili tani rrit edhe fëmijët jetimë të të bijës. Djali i Ziverit nuk ka shkuar në shkollë dhe pse duhej të ishte në vitin e parë gjimnaz, pasi gjendja ekonomike është e rënduar dhe i duhet të punojë. Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi pasi u përcolli familjarëve urimet dhe përshëndetjet më të ngrohta të kreut të PS-së, Edi Rama është shprehur: “Ju ra një barrë e rëndë në një moshë të tillë. Erdhëm t’ju urojmë dhe t’ju themi se ju gjendemi pranë për dhimbjen e babait të tyre, jemi tërësisht të angazhuar që vërtetë babi s’kthehet më por drejtësia do vendoset. Ne nuk do t’ju lëmë vetëm në këtë çështje. Në një shtet normal duhej të mos mungonte kjo mbështetje. Jemi në këtë fazë që shteti që i vrau kërkon të bëj dhe padrejtësi për të manipuluar provat. Do ta përballojmë si vjen bashkërisht”.
Partia Socialiste e Shqipërisë, nëpërmjet kreut të saj, Edi Rama, prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj parimor dhe të palëkundur për të mos e harruar kurrë 21 janarin deri kur të bëhet drejtësia që do të qetësojë shpirtrat e atyre 4 burrave të pafajshëm dhe të lehtësojë plagët e tmerrshme të atyre katër familjeve të këputura shqiptare.