English

Viti i Ri nëpër botë

New Yorku e priti vitin e ri me një festë madhështore në sheshin Times, duke u bërë një nga vendet e fundit që hyri ne vitin 2013.

Rreth 1 milion vetë të mbledhur në shesh numëruan njëzëri sekondat e fundit të vitit 2012, ndërsa nga globi i kristaltë prej 6 tonësh e plot drita mbi kokat e tyre vezullonte shifrat "2013".

Vendet në mbarë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Azi kanë mirëpritur vitin e ri, ndërsa festimet vazhdojnë rreth e rrotull globit.

Fishekzjarret ndriçuan qiellin mbi dhjetra qytete për të festuar ardhjen e vitit të ri 2013, duke përfshirë festimet në Athinë, Moskë dhe Londër.

Dubai, shënoi vitin e ri me një shfaqje dritash në ndërtesën më të lartë në botë, ndërsa në Itali, Papa Benedikti vizitoi skenën e lindjes së Krishtit në Sheshin e Shën Pjetrit.

Vendet aziatike ishin të parët që lajmëruan ardhjen e vitit të ri me fishekzjarre të shumta në Sydney dhe Hong Kong.

Qyteti më i madh i Birmanisë, Rangoon, organizoi një mbrëmje të madhe të Vitit të Ri për herë të parë, ndërsa vendi del nga një diktaturë e gjatë disa dekadash ushtarake, i cila zakonisht ndalonte tubime të mëdha publike.

Në Filipinet jugore, gëzimet festive u zbehën nga pasojat e një taifuni që vrau më shumë se 1.000 njerëz në fillim të dhjetorit.

Dhe në Indi, shumë hotele dhe bare pakësuan veprimtaritë ose i anuluan mbrëmjet e Vitit të Ri nga respekti për një grua të re, e cila vdiq të shtunën pas përdhunimit nga një bandë gangsterësh në Nju Delhi - incident brutal që ka tronditur mbarë Indinë.

KOMENTE