English

Viti 2013. Sfida të mëdha i presin ekonomitë më të mëdha të botës

Parashikimet për vitin 2013, tregojnë një sfidë të vërtetë për ekonomitë superfuqi të botës.
Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia kanë përjetuar ndryshim të udhëheqjes së vendit ndërkohë që India ka përjetuar ngadalësim të rritjes ekonomike, rritje të papunësisë dhe shtim të varfërisë shkruan Zëri i amerikës. Në vitin e ri do të vazhdojnë përpjekjet për daljen nga kriza financiare e 2012. Në vazhdim do t’i hedhim një vështrim pritshmërive ekonomike në botë për vitin 2013.

Paqëndrueshmëria në tregun e aksioneve në vitin 2012 shkaktoi protesta të mëdha kundër masave shtrënguese në Greqi dhe Spanjë.

Protestuesit në Athinë shprehën zemërimin e tyre ndaj shkurtimeve të thella dhe u përleshën me policinë. Forcat përdorën gaz lotësjellës dhe pompa uji në përpjekje për të rivendosur rendin.

Në fillim të nëntorit, pas shumë muajsh negociatash, parlamenti grek miratoi një numër masash shtrënguese të nevojshme për ta mbajtur gjallë ekonominë e vendit.
Marrëveshja mbi shkurtimet e mëdha hapi rrugën për lirimin e fondeve prej 31,5 miliardë euro për ta shpëtuar këtë vend nga falimentimi. Kjo pati një ndikim pozitiv në tregun e aksioneve duke krijuar një ngritje në tregun global të aksioneve.

Por, pasiguria ekonomike në Evropë vazhdon të ketë ndikim negativ në jetën e njerëzve. Në Spanjë, një në katër banorë është i papunë dhe mijëra të rinj nuk mund të gjejnë punë.

Shumë vende janë në vështirësi, ndërkohë që tkurrja ekonomike e shkaktuar nga rënia e tregut të shtëpive në vitin 2008 çoi në një recesion të dyfishtë ekonomik.
Borxhi i Spanjës ka arritur në 145 miliardë dollarë ndërkohë që vendi po përpiqet të shmangë atë që i ka ndodhur Greqisë, Irlandës, Portugalisë dhe Qipros- nevoja për të kërkuar ndihmë financiare ndërkombëtare.

Në Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe e botës, presidenti Barack Obama u rizgjodh për një mandat të dytë, pas një fushata të ashpër zgjedhore. Më 20 janar të vitit 2013, presidenti Obama bën betimin për mandatin e tij të dytë presidencial.
Për presidentin Obama, sfida e parë është rritja e taksave për të pasurit.

Nëse presidenti nuk arrin një kompromis me ligjvënësit republikanë për buxhetin dhe për rritjen e taksave për të pasurit, Shtetet e Bashkuara mund të përballen me pasojat e “greminës fiskale”.

Reagimi i tregut të aksioneve ndaj mungesës së një kompromisi për çështjet financiare është i paparashikueshëm.

Ken Simonson është president i Shoqatës Kombëtare të Ekonomistëve të Biznesit në Uashington.

“Nëse kongresi dhe presidenti arrijnë një kompromis për të shmangë rritjen masive të taksave dhe shkurtimet e mëdha të shpenzimeve në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë ekziston një pritshmëri se ekonomia do të vazhdojë të rritet me një ritëm të ngadaltë, por ndoshta mund të ketë rritje më të shpejtë me kalimin e kohës”.

Paqëndrueshmëria ekonomike në Evropë mund të ketë ndikim negativ në sektorin amerikan të prodhimit. Prodhuesit e makinave si kompania Ford dhe General Motors varen nga shitjet e makinave në Evropë.

Rritja ekonomike në vendet në zhvillim vazhdon të ketë një rëndësi të madhe. Kina pritet t’ia kalojë Shteteve të Bashkuara për nga zhvillimi ekonomik brenda 20 viteve të ardhshme.

Por rënia në ekonomitë evropiane ka patur ndikim negative në eksportet kineze. Tani Pekini po përpiqet të forcojë konsumin brenda vendit.

Udhëheqja e re e Kinës pritet të fillojë zbatimin e politikave të reja ekonomike në vitin 2013 me një numër masash, përfshirë uljen e inflacionit dhe uljen e nivelit të papunësisë. Në vitin 2013, prodhimi i brendshëm në Kinë pritet të rritet në nivelin 8 për qind.

Xiangfang Ren është analist për çështjet e Kinës në organizatën IHS Global Insight.

“Mendoj se udhëheqja e re ka sjellë veprime më dinamike, prandaj unë pres që Kina në vitin e ardhshëm, si në aspektin shoqëror ashtu edhe në aspektin ekonomik, të jetë më dinamike”.

Rusia ka një president të ri por të njohur, Vladimir Putinin. Që nga ardhja e tij në pushteti ai ka premtuar krijimin e 25 milion vendeve të reja të punës.

Sfida e zotit Putin në gjashtë vitet e ardhshme është rritja dhe modernizimi i sektorit të prodhimit, dhe kalimi nga ekonomia tradicionale në një ekonomi të drejtuar nga tregu e cila varet më pak nga eksportet dhe burimet minerale.

“Në thelb çështja kryesore për ekonominë ruse është sigurimi i rritjes ekonomike përmes shfrytëzimit të mundësive që vijnë nga tranzicioni i saj nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi të tregut dhe deri më tani këto mundësi nuk janë shfrytëzuar”, thotë Yevgeny Yasin, profesor në Fakultetin Ekonomik të Moskës.

Analistët thonë se ekonomia ruse do të përballet me vështirësi nëse nuk reformohet.
India po përballet me nivel të lartë të inflacionit, nivele të larta të interesit, defiçit të madh fiskal, dobësim të monedhës dhe një mjedis të pasigurtë të politikave, të cilat kanë goditur konsumin dhe investimet.

Rritja ekonomike ka rënë në 5,3 për qind në tremujorin e tretë, duke ngelur në nivelin më të ulët në tre vjet ndërkohë që Nju Deli po përballet me vështirësi në zbatimin e reformave për të ringjallur ekonominë e tretë në Azi.

Dobësimi i ekonomisë vështirëson përpjekjet për krijimin e vendeve të punës për popullsinë e re indiane, për balancimin e buxhetit dhe në të njejtën kohë për pagimin e programeve sociale me kosto të lartë para zgjedhjeve kombëtare që pritet të zhvillohen më 2014.

KOMENTE