English

Hugo Chavez po përjeton një infeksion të rëndë në mushkëri

Presidenti venezuelian Hugo Chavez ka një infeksion të rëndë në mushkëri, ndërsa përpiqet të marrë veten nga operacioni për kancer, që bëri në Kubë, konfirmojnë zyrtarë të qeverisë Chavez.

Chavez është duke u trajtuar për "vështirësi" të frymëmarrjes pas komplikacioneve nga një infeksion i rëndë i mushkërive.

Chavez nuk ka folur publikisht që prej operacionit tij në 11 dhjetor në Kubë, dhe spekulimet thonë se ai nuk ka gjasa të jetë në gjendje të bëjë betimin për një mandat tjetër siç ishte planifikuar në më pak se një javë. Kjo ishte hera e parë që qeveria e ka përshkruar infeksionin e mushkërive si "të rëndë", dhe konfirmimin se Chavez ka probleme serioze në frymëmarrje.

Karakterizimi i qeverisë ngriti mundësinë që Chavez mund të marrë frymë me ndihmën e një makine. Por qeveria nuk e ka adresuar këtë pyetje dhe nuk jep detaje të trajtimit të presidentit.
"Duket se ka një pneumoni shumë të rëndë që ai pësoi pas një dështimi të frymëmarrjes. Kjo nuk është shumë specifike", tha Dr Alejandro Rios-Ramirez, një specialist i mushkërive në Puerto Vallarta, Meksikë, i cili nuk është i përfshirë në trajtimin Chavez.

Dr Gustavo Medrano, një specialist i mushkërive në spitalin mjeko Centro në Caracas, tha se ai ka parë raste të ngjashme në pacientët me kancer të cilët kanë pësuar kirurgji, dhe "në përgjithësi është situatë shumë e keqe, mbi të gjitha pas një operacioni të tillë."

"Unë nuk e di madhësinë e infeksionit që ai ka, se sa mushkëritë e tij janë komprometuar dhe se sa organet e tjera janë prekur. Kjo nuk është e qartë," tha Medrano.

"Çfarë është më e mundshme është se ai është në ventilim mekanik", shtoi Medrano. Megjithatë, tha ai, mungesa e frymëmarrjes do të thotë se ka një përqendrim anomalisht të ulët të oksigjenit në gjak.

“Presidenti Chavez është në dijeni të plotë të gjendjes së tij që është komplekse. Ai është i vetëdijshëm rreth betejës që ka përpara dhe si gjithnjë është gati ta përballojë atë. Ai na porositi t’i themi popullit se ai po lufton dhe se në këtë luftë ka mbështetjen e të afërmve si dhe mbështetjen tonë”.

Zoti Maduro njoftoi se Presidenti Chavez do të kthehet së shpejti në Venezuelë, por nuk tha nëse do të kthehet para 10 janarit për të bërë betimin.

Para se të nisej për në Kubë, Presidenti Chavez tha se nënpresidenti Maduro do të jetë kandidati presidencial nëse ai nuk është në gjendje të shërbejë, ndërkohë që në bazë të kushtetutës zgjedhjet e reja duhet të mbahen brënda 30 ditësh.

Presidenti Chavez ka qënë në pushtet që prej vitit 1999. Gjendja e tij po ndiqet nga afër prej aleatëve që ai ka në Amerikën Latine, të cilët kanë përfituar prej tij si dhe nga investuesit në eksportet e mëdha të naftës venezueliane.

KOMENTE