English

Krijohet Komiteti i Diasporës, që do të sjellë më afër shqiptarët në çdo cep të globit

Këshilli i Ministrave vendosi sot, krijimin e Komitetit të Diasporës. Duke prezantuar këtë vendim, Kryeministri Berisha tha se krijimi i këtij Komiteti është “një detyrim i madh, moral”, ndaj shqiptarëve kudo që janë.

“Komiteti i Diasporës – tha Kryeministri - do të bëjë ço gjë, do të përpunojë praktikat e skemat më të mira në mënyrë që të gjendemi më pranë tyre, më pranë njëri-tjetrit.”

Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot vendosim për krijimin e Komitetit të Diasporës. Ky Komitet është një detyrim i madh, moral, që u kemi shqiptarëve në të katër anët e botës. Fati na bëri që të kemi më shumë diaspore se shqiptarë në trojet shqiptare. Në këtë aspekt, u duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë se nuk ka qenë e mundur të kenë mbështetjen e merituar të Shqipërisë, por i garantoj se realizimi i saj është përparësi madhore.

Komiteti i Diasporës do të bëjë çdo gjë, për t’u gjendur afër shqiptarëve në të katër anët e planetit, nga Zelanda e Re, Alaska e Poli i Veriut. Dikush më bëri një mesazh, ku më thoshte: Ju përshëndes nga Poli i Veriut në Finlandë. Komiteti i Diasporës do të bëjë ço gjë, do të përpunojë praktikat e skemat më të mira në mënyrë që të gjendemi më pranë tyre, më pranë njëri-tjetrit.

Diaspora ka një rol historik, të jashtëzakonshëm, në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri e zhvillim. Të mos harrojmë se edhe Rilindja jonë, në tërësinë e saj, me ndonjë përjashtim, lindi jashtë trojeve shqiptare. Ky ishte fati ynë. Për të mos numëruar të gjithë aktet e avokatisë së jashtëzakonshme që i ka bërë kombit, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, ndonëse nuk është më e madhja dhe më e pasura, është absolutisht më zemërzjarrta për Shqipërinë e kombin shqiptar.”

KOMENTE