English

Pakistani emëron ambasador jo-rezident në Prishtinë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, ka pranuar sot një notë verbale nga Ambasada e Pakistanit në Turqi, me të cilën njoftohet për vendimin e Qeverisë së Republikës Islamike të Pakistanit për emërimin e ambasadorit në Turqi, Muhammad Haroon Shaukat, ambasador jo-rezident në Republikën e Kosovës.
Vendimi i Pakistanit vjen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës më 24 dhjetor 2012.

Ambasadori Muhammad Haroon Shaukat, është një diplomat pakistanez i karrierës, me një përvojë të gjatë në shërbimin diplomatik të Pakistanit, duke shërbyer në misione të ndryshme të këtij shteti, si në Paris, Nju Jork e vende të tjera, si dhe ka qenë ambasador i Pakistanit në disa vende shumë të rëndësishme të botës përfshirë edhe Brazilin, Bolivinë, Kolumbinë dhe Paraguain.

Republika e Kosovës në vazhdimësi ka shprehur vullnetin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral me Pakistanin.

Në kuadër të lobimit për njohjen e Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë kontakteve të shpeshta me udhëheqësit e Pakistanit, përfshirë edhe takimet me ministren e Punëve të Jashtme, Hina Rabbani Khar, përveç që kishte kërkuar njohjen nga ky shtet, kishte theksuar vullnetin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale më Pakistanin.

Tashmë, pas njohjes së Kosovës nga Pakistani, dy shtetet po ecin me hapa të shpejtë drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe avancimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve.

KOMENTE