English

PS: Kolegji Zgjedhor nga arbitër u kthye edhe rregullshkrues, për interes të një partie politike (VIDEO)

“Kolegji Zgjedhor dha një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Kolegji Zgjedhor nga arbitër u kthye edhe rregullshkrues, për interes të një partie politike duke e komprometuar veten që në vendimmarrjen e parë për zgjedhjet. Njëanshmëria e vendimmarrjes në favor vetëm të interesave politike të PD, nuk krijon besim dhe klimë për zgjedhje të ndershme dhe të gjithëpranuara, gjë që po kërkohet nga i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar”. Ky ka qenë qëndrimi i Partisë Socialiste, lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri ka deklaruar se ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor sipas ligjit është një çështje që i takonte KQZ dhe që nuk ishte në kompetencë të kolegjit, për më tepër që projekti i parë i administratës së KQZ me 76 ZAZ mori dakordësinë edhe të opozitës.

Për Sekretarin e PS shtimi i ZAZ në vetvete nuk ndikon në fatin e zgjedhjeve dhe nuk përben problem për opozitën , por natyra e vendimit të kolegjit krijon një precedent të rrezikshëm për besimin e palëve në arbitrin dhe rregullat që kane shkruar vetë. “Me vendimin e djeshëm, po tentohet të hidhen në erë të gjitha ato garanci ligjore për vendime kolegjiale që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat duhet të gëzojnë besimin e aktorëve politik dhe që shkruhen në KQZ. Kolegji Zgjedhor po vë në rrezik të gjitha standardet ligjore që ka arritur politika me konsensus në lidhje me vendimmarrjet e rëndësishme, duke u kthyer në një komision zgjedhjesh, i kontrolluar nga ekzekutivi”, ka theksuar Damian Gjiknuri.

Deputeti socialist ka siguruar më tej se Partia Socialiste do të vazhdojë të këmbëngulë në zbatimin e rregullave të vendosura me ligj dhe nevojës për vendimmarrje kolegjiale në KQZ, pavarësisht nga roli që po kërkon t’i japë kolegji vetes, si komision zgjedhor i gradës më të lartë. “Sali Berisha i zënë nga paniku i humbjes së zgjedhjeve por përdor çdo shantazh politik duke asgjësuar konsensusin në KQZ dhe duke përdorur Kolegjin Zgjedhor si një instrument partiak në shërbim të tij. Veprime të tilla provokojnë popullin, por votuesit janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që i kërcënohet zgjedhjeve të lira dhe do të dinë t’i dalin për zot votës së tyre, pavarësisht rolit që do të luajë drejtësia e kontrolluar nga Berisha”, ka mbyllur deklarimin e tij Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri.
1586

KOMENTE