Prej disa javësh tensionet politike në Luginën e Preshevës po rriten si rezultat i një kërcënimi nga autoritet e Beogradit për heqjen e monumentit të Martirëve të Lirisë që ranë në trojet e tyre etnike, në mbrojte të lirisë dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Preshevës, të mohuara nga regjimi barbar i Sllobodan Millosheviçit. Ky kërcënim i autoriteteve serbe është një dëshmi tjetër e albanofobisë së politikës zyrtare të Beogradit.
Ushtria Çlirimtare e Luginës së Preshevës lindi në kohën kur qytetarët shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare në jugun e Republikës së Serbisë ishin, sipas raporteve të OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, qytetarët më të shtypur të Evropës e madje, ndoshta të botës. Me luftën dhe sakrificën e tyre sublime luftëtarët e lirisë i imponuan regjimit të Millosheviçit një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar, zbatimi i të cilës është jetik për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe i domosdoshëm për paqen e stabilitetin në rajon. Shtojmë këtu se në çdo vend të lirë janë autoritetet vendore dhe jo ato qendrore që vendosin për monumentet historike apo kulturore që duan të ngrenë në territorin e njësisë së tyre vendore.
Marrja e këtyre kompetencave autoriteteve lokale të Preshevës nga qeveria e Beogradit përbën shkelje flagrante të Konventave Evropiane për liritë dhe të drejtat njerëzore, autonominë e autoriteteve vendore dhe asaj për minoritetet. Republika e Serbisë, si anëtare e Këshillit të Evropës, është e angazhuar dhe e detyruar t’i respektojë ato.
Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje serioze për uljen e tensioneve në Luginën e Preshevës. Ajo ka inkurajuar qëndrimin konstruktiv dhe pjesëmarrës të pakicës shqiptare në Serbi në jetën e vendit. Por qëndrimi i fundit i autoriteteve të Beogradit, mosrespektimi deri në alergji i të rënëve të kombit shqiptar nga ana e tyre është një provokim ndaj mbarë shqiptarëve, përpjekjeve të tyre serioze për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon, nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve të reja me fqinjët e tyre.
Qeveria shqiptare i bën thirrje autoriteteve të Beogradit të lënë mënjanë praktikat e vjetra albanofobe, të respektojnë pakicën shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Serbi dhe jep ndihmesën e saj në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Qeveria shqiptare i bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos provokohen në asnjë rrethanë nga ata, të cilët kanë vetëm një qëllim: të spastrojnë etnikisht komunat e tyre, t’i largojnë ata me një mënyrë apo një tjetër nga trojet e tyre etnike mijëravjeçare. Vërtetë vandalët mundet që me forcën dhe dhunën shtetërore të rrënojnë një përmendore të luftëtarëve, atë të Martirëve të Lirisë së shqiptarëve, por ky është vetëm akt frike. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!