Në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt një takim midis zyrtarëve më të lartë të MSh-së dhe institucioneve vartëse të saj me dy ekipe ekspertësh nga SHBA, të cilët janë në një vizitë pune në Ministrinë e Shëndetësisë për të mbështetur procesin e reformës shëndetësore pas miratimit të Ligjit të ri të Shëndetësisë.
Ekipet e ekspertëve nga SHBA; njëri nga Brandy University, kurse tjetri nga “Tuck Busines es School” nga Instituti i Dartmouthit janë njoftuar nga Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani, drejtues të QKUK-së, IKSHP-së dhe të shërbimeve profesionale shëndetësore të themeluara dhe atyre në themelim lidhur me aspektet e reformës shëndetësore, përfshirë edhe aspektet organizative dhe ato të financimit, ndërsa e kanë vlerësuar lart përkushtimin e Ministrisë në zbatimin e një programi të reformave të thella në shëndetësi.
Ministri Agani ka vlerësuar se në dizajnimin e reformës shëndetësore është punuar ngusht me mekanizma të rëndësishëm vendor dhe ndërkombëtar, ndërsa reforma ka për qëllim ngritjen e një sistemi efikas shëndetësor që përbëhet prej tri shtyllave: Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitare, Agjencionit të Financimit të Shëndetësisë dhe Odave të Profesionistëve Shëndetësor.
Pas një takimi të këmbimit të përvojave, dhe përcaktimit edhe të veprimeve konkrete dhe fushave në të cilat këto ekipe ekspertësh do ta ndihmojnë Ministrinë në zbatimin e reformës, ishte konkludim i përbashkët se partneriteti do të forcohet dhe reforma shëndetësore do të mbështetet në hapat e mëtejmë, duke integruar me sukses brenda saj zgjidhjet adekuate, të cilat do të rezultojnë me krijimin e një sistemi shëndetësor efikas dhe me një financim të qëndrueshëm.
Ekipet e ekspertëve nga SHBA do të qëndrojnë në Kosovë deri në fund të javës dhe ata do ta ndihmojnë Ministrinë edhe në krijimin e mekanizimeve që do ta lehtësojnë zbatimin e reformës shëndetësore gjatë këtij viti.