Ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo ka urdhëruar mbylljen e reanimacionit polivalent pranë Kirurgjisë së Përgjithëshme në QSUT brenda një periudhe kohe tre mujore, gadishmëri të të gjitha shërbimeve për të ofruar ndihmë mjekësore ndaj të sëmurëve, që dalin nga gjendja e reanimimit, shfrytëzim sa më efikas të reanimacionit të neurologjisë dhe infektivit. Urdhëri ngarkon Drejtorinë e QSUT –së dhe shefat e shërbimit të marrin masa dhe siguruar infrastrukturën e nevojshme. Ky urdhër parashikon dhe masa administrative në raste të mos zbatimit të tij.
Ministri i Shëndetësisë së bashku me një grup specialistësh dhe përfaqësuesish të nivelit të lartë të Ministrisë ka vizituar personalisht ambjentet e reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”. Objekt i vizitës kanë qënë dhe ambjentet e urgjencës, shërbimet e reanimacionit pranë kirurgjisë dhe neurologjisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave z. Pëllumb Pipero gjatë një konference për shtyp ka bërë publik urdhërin e fundit “ Për shfrytëzimin sa më të mirë të reanimacionit polivalent në QSUT”.
“Reagimi i Ministrit, në raport me shërbimin, që duhet ofruar në terapinë intensive në QSUT ka qënë i menjëhershëm. Dua të informoj opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e QSUT dhe me drejtues të spitaleve të tjera rajonale në vendin tonë, po merr masa dhe po bën maksimumin, që në sistemin shëndetësor veçanërisht në atë të reanimacionit të mos ketë asnjë mungesë në medikamente. Bëhet fjalë për medikamente bazë, për medikamente të urgjencës, për medikamente që duhen në praktikën e përditëshme mjekësore. Dhe në rast se mungon një emër i caktuar të mos mungojë alternativa për medikamente të ndryshme, në mënyrë që t’i shërbehet sa më mirë pacientëve”, u shpreh z. Pipero .
“Deklarimi i bërë dje, që në reanimacionin e spitalit universitar “nuk ka asnjë medikament, përfshi këtu antibiotikët”, dua t’iu konfirmoj me përgjegjesi se nuk qëndron. Në prani të ministrit është bërë ballafaqimi me Drejtorin, Farmacinë e Spitalit, Farmacinë e Reanimacionit dhe dua t’iu deklaroj se Farmacia Qëndrore e Spitalit është e furnizuar. Konfirmoj se nuk ka asnjë mungesë në alternativa, jo në emra të përveçëm, po flas në alternativa, që gjithësesi mbulojnë mjekimin e përditshëm të këtyre të sëmurëve. Edhe nëse ka ndonjë mangësi u dha porosi që të merren të gjitha masat për të mos pasur asnjë mangësi në trajtimin bazë të të sëmurëve”, u shpreh z. Pipero.
Gjithashtu ministri ka urdhëruar rritjen e kapacitetit shfrytëzues të reanimacionit të ri në QSUT, shfrytëzimi maksimal i Reanimacionit të Infektivit, Reanimacionit apo Terapisë Intensive në Neurologji gjithashtu, duke mundësuar që në një periudhë prej tre muajsh reanimacioni i kirurgjisë ekzistues të mbyllet, pasi nuk plotëson standartet e një reanimacioni bashkëkohor. Gjithashtu është dhënë porosi e veçantë që shërbimet e tjera në QSUT, të tregojnë përgjegjësinë maksimale për hospitalizuar të sëmurët që marrin shërbimin dhe dalin nga gjendja në kirurgjinë e përgjithëshme apo reanimacion.
Z. Pipero në lidhje me malarjen:
Gjithashtu në lidhje me sensibilitetin e malarjes dua të qartësoj se vendi ynë nuk është një vend malarik. Nuk ka raste autoktone të malarjes, gjatë vitit të kaluar vendi ynë ka pasur rreth 9 raste malarje të importuar nga vende të huaja (punonjës kryesisht nga Vlora që kanë punuar në vende të huaja) . Vemendja e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe shërbimeve shëndetësore shqiptare janë në maksimum, për të identifikuar në kohë reale dhe mjekuar çdo rast me malarje.