English

Berisha: Pagat janë vonuar për mosparaqitje të listpagesave të zyrave të financave

Kryeministri Berisha sqaroi sot, në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave se arsyet e disa vonesave në shpërndarjen e rrogave dhe pensioneve, si dhe të pagave për një pjesë të invalidëve. Kryeministri u shpreh se zërat për mungesë fondesh janë abuzive dhe të pavërteta. “E vërteta është se nuk ka patur dhe nuk ka as edhe një mungesë të asnjë lloj fondi, në mënyrë kategorike. Ka patur një mosparaqitje të listpagesave të zyrave të financave, por rroga pa list-pagesa nuk mund të jepet dhe ky është një ligj themelor. Ato do të bëhen dhe do ti marrin që të gjithë dhe i kanë marrë ose do i marrin pa asnjë lloj vështirësie.” tha kryeministri.

Përsa i përket shpërndarjes së pagesave për kategorinë e individëve me aftësi të kufizuar (paraplegjikë dhe tetraplegjikë), kryeministri bëri të ditur se kjo vonëesë ka ardhur për dy shkaqe kryesore, së pari se në përllogaritjet e faturës së energjisë elektrike ka patur një abuzivitet të papranueshëm dhe për këtë arsye qeveria u detyrua të ndërrojë praktikën, si dhe për arsye se autoritet vendore në disa komuna dhe bashki të caktuara nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës për të siguruar një shpërndarje të shpejtë dhe brenda afateve të kësaj pagese.

Duke garantuar se kjo kategori personash kanë qenë, janë dhe do të mbeten në qendër të vëmendjes së qeverisë, kryeministri bëri të njohura disa shifra krahasuese me vitin 2005, lidhur me trajtimin e personave me aftësi të kufizuar (paraplegjikë dhe tetraplegjikë). “Meqenëse bëhet kjo zhurmë lidhur me trajtimin e tyre, unë të nderuar qytetarë dua tu sqaroj sa vijon: Në vitin 2005 buxheti për personat me aftësi të kufizuar ka qenë 6.1 miliard lekë. Buxheti aktual për personat me aftësi të kufizuar është 13 miliard lekë. Nuk është llogaritur këtu rritja e fondit të rimbursimit të ilaçeve, rritje nga e cila të parët që përfitojnë janë ky kontingjent, të cilët më shumë se çdokush kanë nevojë për medikamente. Kjo rritje është 5 herë më e madhe, ka qenë 50 milion dollarë, apo 5 miliardë lekë, tani është 250 milion dollarë apo 25 miliardë lekë.”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri siguroi se asgjë s’mund të errësojë qëndrimin njerëzor, përkushtimin e madh të qeverisë, ndaj këtyre qytetarëve.

KOMENTE