English

Busti i Skënderbeut në Gjenevë të Zvicrës. Historia e vendosjes dhe pranimi nga Zvicra

Mërkur Bua Shpata, shqiptari i cili para 500 vjetësh ndikoi në neutralitetin e Zvicrës

Vite më parë, mu desh të bëja kërkime në historinë e Zvicrës për të gjetur argumente për lidhjen e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, me atë vend.

Këtë punë e bëra sipas porosisë me shkrim të z. Flavio Koti, president i Konfederatës zvicerane dhe kryetari OSBE në atë kohë, për të mbështetur me argumente kërkesën për vendosjen e bustit të Skëndërbeut në Zvicër. Kërkoheshin të dhëna mbi lidhjet e kësaj figure të madhe shqiptare me historinë e Zvicrës. Përndryshe, autoritetet vendase nuk mund ta pranonin kërkesën. Unë arrita të gjej se kur Gjeneva ishte pushtuar një natë nga Duka i Savojës, paria e saj filloi me të madhe përforcimin e ndjenjës së patriotizmit me të gjitha format. Një nga këto ishte edhe botimi i librit për Skëndërbeun në gjuhën frënge prej 1000 faqesh të francezit Lavërden, rrëfen fillimisht veprimtari shqiptar Astrit Leka (kryetar i shoqatës ndërkombëtare “Solidest”) për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë” i cili qe dy decenie jeton dhe vepron në Gjenevë i cili me miqtë zviceran ia arriti të vente bustin e heroit tone kombëtar Skenderebut buzë liqenit të këtij qyteti pak metra afër OKB-së

Në vazhdim z.Leka rrëfen se “Gjenevasit e shtypën librin ,nga ngutësia që kishin, në dy shtypshkronja dhe e shpërndanë në popullsinë prej 14 000 vetësh të asaj kohe të qytetit. Qëllimi ishte të shtonin besimin e popullit të tyre në vlerën e qëndresës ndaj Dukës së Savojës, fuqi e madhe e kohës, me krushqira me Austrinë dhe Spanjën. Duka donte ta bënte me çdo kusht Gjenevën kryeqytet të zotërimeve të tij.

Shembulli i qëndresës heroike të Skëndërbeut u zgjodh në tërë historinë evropiane për shkak se ai udhëheqës i një populli të vogël e ruajti pavarësinë për 25 vjet, duke luftuar kundër një kundërshtari shumë të madh siç ishte perandoria otomane, më e fuqishmja e kohës, e drejtuar nga një sulltan i lavdishëm si Mehmeti i dytë.

Ky argument dhe disa të tjera më shërbyen që të pranohej projekti i shoqatës sonë SOLIDEST (shoqatë ndërkombëtare solidariteti për zhvillim e popujve të Lindjes) për ngritjen e bustit të Skëndërbeut në Gjenevë.

Madje, kjo ndodhi në vitin 1997, kur imazhi i Shqipërisë u paraqit para botës në gjendjen më të ulët të historisë së saj.

Busti i Skëndërbeut hyri si përmendorja e parë e një heroi kombëtar të një populli tjetër në tokën zvicerane.

Titulli i vendimit për pranimin e kërkesës sime, që qeveria e Gjenevës më drejtoi ishte: Mesazh paqe për Shqipërinë.

Kjo punë kërkuese për të mbrojtur projektin tonë të bustit të Skëndërbeut në Gjenevë më dha mundësinë të thellohesha deri diku në historinë e vetë Zvicrës. Në fakt, para se ta pranonin projektin në fjalë, në librin bazë të historisë së Gjenevës botuar në vitin 1993, u njoh fakti se emri i Gjenevës e kish prejardhjen nga gjuha ilire që flitej nga një popull që banonte në jug të Ballkanit. (pra nga shqiptarët).[1]

Këtë e kanë konfirmuar shkencëtarë të tjerë të mëdhenj.

Busti u vendos pikërisht buzë liqenit më të madh të Evropës, pas Ladogës, të formuar nga lumi Ron, përballë Malit të Bardhë, më të lartit në Evropë dhe përballë lagjes më të pasur të Gjenevës, ku jetojnë Alen Delon, familja e Aga Kanit, Sofie Loren, etj, pranënë ndërtesave të institucioneve të Kombeve të Bashkuara.

Në hulumtimet e mia ndesha në një personalitet shqiptar, Mërkur Bua Shpata, stërnip i Gjin Bua Shpatës, i cili kishte lozur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e tërë Zvicrës.

Portret I Mërkur Bua Shpatës (Lorenzo Lotto)

Kush është Mërkur Bua Shpata, konti i Akuinos dhe Rokasekas, i Perandorisë së shënjtë romane gjermanike?

Ai është pasardhës i familjes princore shqiptare të Gjin Bua Shpatës, me prejardhje nga bregdeti i Shqipërisë së sotme, e vendosur në Peloponez. Të parët e tij kishin qënë despotë të Angelokastrës dhe të Artës, si edhe baronë të Despotatit të Moresë.

Stema e familjes së kontit Mërkur Bua Shpata

Pas pushtimit otoman të gadishullit helenik, Petro Bua, i ati i Mërkurit, ishte shpallur kryetar i shqiptarëve të Greqisë.

Flamuri i kontit Mërkur Bua Shpata i njohur nga perandori i shënjtë roman Maksimalian (1510)

Petro Bua mërgoi në gadishullin Apenin. Aty Mërkuri u shqua si luftëtar dhe prijës trim i mercenarëve shqiptarë e ballkanas. Duhet thënë se mercenarizmi në atë kohë ishte një profesion nderi dhe i vlerësuar nga historia. Mërkur Bua është i njohur si një komandantët ushtarakë më trima të Evropës, në fund të shekullit XV, fillimi XVI. Kudo që ai shkonte për të luftuar, dilte fitimtar. Në aleancë me Venedikun, në vitin 1496 ai fitoi kundër fiorentinëve, milanezëve dhe kundër francezëve me në krye Luigjin VIII.

Si aleat i Luigjit XII të Francës ai mundi spanjollët.

Në vitin 1506 i ngarkuar nga francezët, ai e shpëtoi Papën Julius II, duke i thyer keqas forcat e tiranit të Bolonjës, Xhovani Ventivolio.

Mërkur Bua u gjënd përkrah perandorit gjermanik Maksimilian i parë kundër forcave rebele. Madje ai sulmoi edhe aleatët e vet venecianë dhe doli fitimtar kundër tyre, për të vazhduar me fitoret e veta kudo ku ai kalonte me kalorësit shqiptarë.

Historiani grek Koroneo thotë për Mërkur Buan se “ai është pasardhës i vërtetë i Pirros, i Akilit, i Eneas dhe i Aleksandrit të Madh”.

Madje një poet ka bërë një poemë me mijëra vargje ku ka përshkruar bëmat heroike të Mërkur Buas, ngjashëm me Eneidën e Virgjilit.

Në vitin 1515, më 13 -14 shtator, u zhvillua beteja e madhe e Marinjanit, pranë Milanos, që mori emërin në histori si “beteja e gjigandëve”, nga pjesëmarja e ushtrive më të rëndësishme të Evropës. Nga Franca erdhi Françesku i parë, ushtritë e Papës, ushtria e Venedikut, ushtria zvicerane, kundërshtare e tyre dhe ushtria e Maksimilianit, perandorit gjermanik.

Në betejën e Marinjanit me 13 shtator herë dukej se fitonte njëra palë, herë pala tjetër. Madje edhe vetë mbreti Françesk u plagos. Të nesërmen, aty, kah mesdita, zviceranët sulmuan dhe po mundshin francezët. Atëhere mbreti i Francës kërkoi ndërhyrjen e 40 000 ushtarëve të Venedikut.

Këmbësoria e rëndë e Venedikut në kohën kur francezët po mundeshin, ishte e vendosurnë Lodi, katër orë larg në këmbënga fusha së betejës. Pra kur të vinte ajo në ndihmë, zviceranët do ta kishin fituar betejën.

Rrethanat historike e deshën që Mërkur Bua Shpata, trimi shqiptar, drejtuesi i kalorësisë shqiptare në shërbim të Venedikut, arriti në fushën e betejës. Hyrja e tij në luftë tronditi udhëheqjen ushtarake të 40 000 zviceranëve, aq më tepër që masa e ushtarëve të tyre britën “San Marko! San Marko!” dmth erdhi kalorësia e Venedikut në ndihmë të Francës.

Duke kujtuar se kish të bënte me 1000 kalorës shqiptarë, ajo mori vendim të tërhiqej duke pranuar humbjen. Në të vërtetë aty kishin hyrë vetëm 300 kalorës shqiptarë. Mërkur Bua ndonëse i plagosur arriti të kapë 6 flamuj dhe katër topa të ushtrisë zvicerane.

Beteja u fitua nga ai.

Historianët thonë që u mund ushtria zvicerane që për 1500 vjet, që nga koha e Jul Cezarit nuk kishte njohur dështime. Një vonesë më pak se një ore e Mërkur Buas në betejën e gjigandëve, sipas historianëve, do ja jepte fitoren zviceranëve.

Është shkruar se në mbrëmjen e asaj dite të fitores, mbreti Françesku i parë i Francës, kur po festonin fitoren, e paraqiti Mërkur Bua Shpatën e plagosur si shpëtimtarin e jetë së tij.

Historianët këtë fitore ja kanë atribuar Françeskut të parë, mbretit të Francës. Por një mbret 21 vjeçar që bënte pagëzimin e luftës për herë në atë atë ditë nuk mund të qe strategu i fitores se betejes së gjigandëve. Kjo provohet edhe nga fakti që dhjetë vjet më vonë, në betejën e Pavias, mbreti Françesku i parë, aleatin Mërkur Bua Shpata e kish kundërshtar. Ai u mund, ra rob lufte dhe po ë mos të kishte qenë autoriteti i Mërkur Bua Shpatës edhe do ishte vrarë nga mercenarët katalanas. Mërkur Bua Shpata ua mori mbretin Françesk katalanasave dhe i bëri këtij nderimet si mbret, si aleat e vartës i dikurshëm, të zgjidhte suitën dhe të kishte trajtim mbretëror.

Ushtria e vet duhet të mbeste rob e fitimtarit për t’u shkëmbyer sipas rregullave të kohës.

Pas këtij trajtimi mbrojtës dhe nderues nga ana e Mërkur Bua Shpatës, Françesku i parë i shkroi të ëmës një letër ku i thotë frazën e famshme që sot përmendet gjërësisht: Ne kemi humbur gjithçka me përjashtim të nderit!

Për mua kjo frazë është një ndihmesë e kulturës shqiptare për kulturën botërore.

Gjenialiteti zviceran, humbjen e madhe historike të betejës së Marinjanit ku thuhet se janë vrarë 12000 zviceranë dhe 10000 francezë dhe mijëra të tjerë, e ktheu në fitore. Pse?

Sepse rreth dy muaj më pas, zviceranët u mblodhën dhe vendosën që mos të dalin kurrë jashtë kufijve të vet, si pushtues, sikurse kishin vepruar deri atëhere.

Ata shpallën asnjanësinë pa kufizuar aspak dërgimin e mercenarëve të vet jashtë shtetit për të sjellur të ardhura në vend, gjë normale për atë kohë.

Krahina italiane e Ticinos, me këtë rast, u bë zvicerane.

Duke bërë një paralelizëm historik jo simetrik, me betejën e Kosovë m ë 1389, në vitin 1989 Millosheviçi , në vend që të gjente rrugën e paqëtimit të Ballkanit dhe natyrisht të vetë Serbisë, zgjodhi thellimin e konfliktit ndëretnik. Në kundërshtim me zviceranët gjenialë, humbjen e betejës së Kosovës e ktheu në varr të Serbisë.

Për mua Zvicra ia detyron asnjanësinë e saj pesë shekullore kaq të dobishme për të (me përjashtim të periudhës napoleniane 15 vjeçare) shqiptarit Mërkur Bua dhe sigurisht gjenialitetit zviceran, që e ktheu humbjen e madhe në fitore. Pa atë pësim në betejën e Marinjanit që Zvicra e ktheu në mësim, ajo nuk do ishte ajo që është por do ndiqte rrugën e krijimit të një perandorie zvicerane si ajo e Perandorisë austrohungareze e cila pas Luftës ë Parë botërore u katandis në atë Austrinë e sotme “të rëgjuar”.

Rezultatet e këtyre hulumtimeve të mia unë ia kam përcjellur, krahas të dhënave periodike të tjera për Kosovën e më gjerë, ministres së jashtëme të Zvicrës, Mishelin Kalmi Re. Sigurisht që kjo ka pasur ndikim te ajo sepse më vonë, kur isha në Bernë, në një pritje, më ndali një nëpunës i saj dhe më kumtoi lajmin se “Shefja u kishte thënë vartësve të vet se neutralitetin e kemi nga shqiptarët!”

Unë nxora përfundimin se ajo e ka përdorur këtë ngjarje historike për të bazuar edhe mbrojtjen konstante që u duhej bërë shqiptarëve.

[1]Lumi Ron i cili hyn në liqenin Leman dhe krijon liqenin e Gjenevës për të dale sërish nga liqeni si lumi Ron në qëndër të qytetit dukle krijuar një gju, apo gjuni si në ilirishte, përkatësisht shqipe, që më vonë u shndërrua në Gjenevë.

KOMENTE