English

Hebrejtë u mbrojtën me trimëri nga shqiptarët. Filmi "Besa" shfaqet përsëri (VIDEO)

Ndoshta jo të gjithë e dinë apo dhe e kanë parë filmin shqiptar "Besa" i cili flet për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftë së Dytë Botërore.

Filmi "Besa" ka marrë përsëri pjesë në Festivalin e filmit dhe këtë herë në Festivalin e Filmit Hebraik që po zhvillohet këto ditë në zonën e Uashingtonit.
Me regji të Rachel Goslin, filmi flet mes të tjerash, për historinë e një shqiptari mysliman, të cilit i duhet të përmbushë premtimin ndaj një familjeje hebraike. Kjo është familja, që i ati e tij e ka strehuar gjatë luftës.

Producenti i filmit, Jason Williams thotë se e shtyu një arsye e fortë për t’u marrë me këtë dokumentar:
“Filmi u bë sepse, kjo histori është ndër ato historitë e jashtëzakonshme të cilën e di çdo shqiptar, por pjesa tjetër e botës nuk e ka dëgjuar kurrë. Është një ndër ato histori që duhet treguar, aq më tepër që është një histori e cila po harrohet.”

Johanna Newmann ishte fare e vogël kur familja e saj mori vizë nga ambasada e Mbretit Zog në Berlin për të ardhur në Shqipëri. Familja mendonte se do të mund të udhëtonte nga Shqipëria për në Amerikë, por më 7 prill 1939 vendi u pushtua dhe ata u bllokuan në Durrës.

Johanna tregon në film se si familja u mbrojt nga shqiptarët. Por kur vendi u pushtua nga Gjermania, gjendja për hebrejtë në Shqipëri u bë jashtëzakonisht e rrezikshme.

“Fakti është se jo vetëm populli shqiptar me bujari dhe trimëri shpëtoi hebrej gjatë luftës, por qeveria e tyre e asaj kohe bashkëpunoi me këta individë, që hebrejtë të mos kishin frikë se mund t’i dorëzonin tek gjermanët kur këta kishin pushtuar Shqipërinë. Pikërisht ky bashkëpunim bëri të mundur që të gjithë ne të shpëtoheshim në Shqipëri.”
Festivali i Filmit Hebraik po zhvillohet në bashkëpunim me organizatën ASHA, Akademia Shqiptaro-Amerikane, në një qendër të komunitetit hebre në Rockville pranë Uashingtonit.
1596

KOMENTE