English

Ksera: Arritjet në vitin 2012 dhe objektivat për 2013

Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministri Spiro Ksera ka prezantuar një analizë të detajuar arritjet e këtij institucioni gjatë vitit 2012 si dhe objektivat kryesore për vitin që sapo ka nisur.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Ksera:
Prezantimi i punës për vitin 2012, por edhe i objektivave dhe synimeve të MPÇSSHB për vitin 2013 tashmë u bë një traditë pozitive jo vetëm për të informuar në mënyrë transparente qytetarët shqiptarë, por është edhe një moment kulmor për të vlerësuar gjithë punën e administratës, bashkëpunimin ndërinstitucional, kontributin e institucioneve ndërkombëtare, por edhe aktorë të tjerë të përfshirë në këto arritje.
Arritja kryesore është jo vetëm indeksimi i përfitimeve, por edhe rritja e pensioneve, si në qytet ashtu edhe në fshat.
Rritja e pagës minimale dhe mbështetja më e madhe e grupeve të veçanta si: gratë kryefamiljare, jetimët, gratë e dhunuara dhe të trafikuara, fëmijët që lypin dhe punojnë në të zezë, të PAK, të moshuarit që jetojnë të vetmuar dhe ata që jetojnë në qendra rezidenciale, ish të përndjekur që jetojnë në vështirësi, foshnjat e braktisura, romëve etj. e rendit Shqipërinë dhe qeverinë e saj, si më të suksesshëm në rajon në përballimin e krizës dhe të efekteve të saj mbi qytetërim.
Ulja e papunësisë duke e krahasuar me vitin 2010 nga 13.7% në 13.1% dhe rritja e punësimit në koordinimin me të gjitha reformat e tjera të qeverisë që ndikuan pozitivisht në tregun e punës, ndikuan ndjeshëm në përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare dhe në reduktimin e mëtejshëm të varfërisë, sidomos të varfërisë ekstreme.

ARRITJET 2012
- Në fushën sociale - Ulja e varfërisë vazhdon të jetë në qendër të politikave tona. Arritjet e Qeverisë në këtë fushë janë konstatuar edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Nga të dhënat e LSMS 2008 të BB konstatohet se varfëria është përgjysmuar krahasuar me vitin 2005 nga 25% në 12.4%, edhe varfëria ekstreme është zvogëluar me tri herë, duke arritur në 1.2%.
Nga treguesit tanë dhe falë reformës së ndërmarrë në fushën e mbrojtjes sociale jemi të bindur se studimi i radhës i LSMS do të konfirmojë uljen e mëtejshme të nivelit të varfërisë në vend.
Nga 120 mijë familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike në 2005 - edhe pse me vendime të veçanta u rrit kategoria e përfituesve të ndihmës, ku tashmë përfitojnë edhe fëmijët kryefamiljarë, gratë viktima të dhunës dhe trafikut - numri i familjeve të mbështetura me ndihmë ekonomike nuk i kalon 100 mijë. Po ashtu, me rritjen e fondeve për këtë zë, nga 3.2 në 2005 në 4.4 miliard lekë sot, është arritur mbidyfishim i ndihmës ekonomike mesatare që përfitojnë familjet, duke arritur në 4 800 lekë të reja në muaj.
Mbështetja me të ardhura e të moshuarve vazhdon të jetë një objektiv i pandryshuar i kësaj Qeverie. Nga 2005 deri në 2012 pensioni minimal i fshatit është mbidyfishuar - nga 3 430 lekë në muaj ka shkuar në 7 841, pensioni minimal i qytetit është rritur 50% - nga 7 850 lekë në 2005, sot është 11 562.
Fëmijët dhe të drejtat e tyre janë në qendër të vëmendjes sonë. Vetëm në vitet e fundit është hartuar një legjislacion i plotë dhe në përputhje me dokumentat ndërkombëtarë dhe me legjislacionin e BE në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
Janë ngritur strukturat përkatëse që garantojnë mbrojtjen e këtyre të drejtave, duke filluar nga Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në nivel qendror dhe vazhdon puna për ngritjen e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në nivel vendor, ku gjatë 2012 në nivel qarku janë ngritur 2 njësi të reja, duke arritur në 11 të tilla, dhe në nivel bashkie dhe komune janë ngritur 44 njësi të reja, duke arritur në 72 gjithsej.
Tre vite më parë u ngrit dhe nisi nga funksionimi një shërbim i ri për fëmijët, kujdestaria e përkohshme. Gjatë 2012 ky shërbim u shtri në të gjithë vendin dhe familjet kujdestare që ofrojnë këtë shërbim për fëmijët që vijnë nga familje me probleme social-ekonomike mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit.
Legjislacioni për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve u plotësua gjatë 2012 me pesë Vendime të veçanta, të cilat përcaktojnë bashkëpunimin mes institucioneve dhe detyrimin e secilës prej tyre për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si dhe me Planin e Veprimit për Fëmijë 2012-2015.
Me një Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Punës dhe Ministrit të Brendshëm u ngrit rrjeti i grupeve mikse mes forcave të policisë dhe punonjësve social për identifikimin dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve që shfrytëzohen për lypje.
Përmirësimi i shërbimeve aktuale dhe ngritja e shërbimeve të reja sociale do të vazhdojë të jetë në qendër të politikave tona. Vetëm në 2012 u rikonstruktuan dy qendra kombëtare në Tiranë: Shtëpia e të Moshuarve dhe Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, e cila tashmë ofron shërbim bashkëkohor, duke u trasformuar në shërbim të tipit shtëpi-familje.
Personat me aftësi të kufizuar janë mbështetur në vazhdimësi nga politikat e Qeverisë, duke rritur numrin e përfituesve dhe masën e përfitimit.
Nga 90 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë të tyre që mbështeteshin me pagesa në 2005, sot numri i tyre ka arritur në 147 mijë, ndërsa buxheti është rritur nga 6.1 në 13 miliard lekë.
Në 2005 mbështeteshin me një pagesë prej 6 800 lekë në muaj 12 500 të verbër dhe kujdestarë, sot numri i përfituesve ka shkuar mbi 16 000, ndërsa masa e përfitimit ka shkuar në 10 900 lekë në muaj.
1 400 para-tetraplegjik dhe kujdestare në vitin 2005 janë mbështetur me një pagesë mujore prej 6 800 lekë në muaj, ndërsa sot mbi 12 mijë përfitues mbështen me 9 500 lekë në muaj. Në këto vite para-tetraplegjikët janë mbështetur me pagesë të veçantë për paketën higjeno-sanitare e cila arrin në 16 000 lekë në muaj, nga 0 lekë në 2005.
Në përgjigje të kërkesës së personave më aftësi të kufizuar, kujdestarët tashmë përfitojnë edhe sigurime shoqërore.
Megjithë këto arritje, impenjimi ynë është marrja e masave që garantojnë integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, kjo edhe në zbatim të detyrimeve që lindin pas ratifikimit në 2012 të Konventës së OKB “Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” që siguron të drejta më të mëdha për këtë kategori dhe parashikon trajtimin e paaftësisë jo thjesht nga këndvështrimi mjekësor, por edhe social.
Ministria jep shembullin e para në rikonstruksionin që i ka bërë ambienteve të brendshme të saj, duke bërë të aksesueshme mjediset për personat me aftësi të kufizuara. Gjatë 2013 do të nxisim dhe do të bashkëpunojmë edhe me institucionet publike qendrore dhe lokale për të bërë të aksesueshme ambientet e tyre.
Në 2012 përfunduan hartat dixhitale të shpërndarjes demografike të komunitetit rom në Shqipëri dhe aksesit të tyre ndaj shërbimeve, si dhe të Shërbimeve Shoqërore në Shqipëri. Këto harta dixhitale do të shërbejnë si bazë për planifikimin e ngritjes së shërbimeve në bashkëpunim me pushtetin vendor, shoqërinë civile dhe donatorët aty ku nuk ka dhe ku janë nevojat më të mëdha.
Harta e shpërndarjes demografike të komunitetit rom do të shërbejë gjatë 2013 për regjistrimin e këtij komuniteti. Gjatë 2012 u realizua sitemimi i 8 familjeve rome ne godinat e pershtatura te Qendres ne Kombinat.

Në Fushën e Tregut të Punës
Viti 2012 shënoi përmirësim të tregut të punës, ku vetëm nga zyrat e punës në të gjithë vendin u punësuan 20.450 vetë, ndërsa numri i të papunëve të regjistruar pranë zyrave të punës arriti në 141.930.
Punësimi i shqiptarëve në tregun vendas, por edhe atë europian është prioritet i Ministrisë. Gjatë 2012 filloi aplikimi i Marrëveshjes së punësimit me Italinë, nga i cili përfituan mbi 400 shtetas shqiptarë dhe u riaktivizua Marrëveshje e Punësimit me Gjermaninë falë nënshkrimit të Memorandumit që i hapi rrugën punësimit të infermierëve të parë shqiptarë në Gjermani. Këtë vit, po ashtu, u negocuan Marrëveshje punësimi me Kosovën, Katarin dhe Qipron.
Viti 2012 ka qene i sukseshëm edhe në fushën negocijimit te marreveshjeve me vendet e BE, por jo vetëm, per sigurimet shoqerore. Keshtu, gjate ketij viti janë negocijuar marrëveshje me Belgjikën, Rumaninë, Maqedoninë, Luksenburgun, Hungarinë dhe Çekinë.
Paga minimale pothuaj është dyfishuar në këto vite. Me rritjen e bërë në vitin 2012 paga minimale në shkallë vendi arriti 21 000 lekë, nga 11 800 që ishte në 2005.
Dialogu Social dhe krijimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me partnerët socialë është në qendër të punës sonë. Zhvillimi i dialogut social në Shqipëri ka marrë vlerësime pozitive edhe nga raport-progreset e fundit të BE. Qeveria ka respektuar Marrëveshjen e nënshkruar me Sindikatat në 2011, e cila parashikonte, ndër të tjera, mosrritjen e çmimit të energjisë për tre vjet, rritjen e pagës minimale në shkallë vendi dhe rishikimin e Kodit të Punës. Gjatë 2012 Këshilli Kombëtar i Punës ka konsultuar çështje të rëndësishme, përfshi ndryshimet në Kodin e Punës, ndryshime të cilat tashmë janë duke u konsultuar edhe më gjerë me grupe interesi.

Në fushën e Barazisë Gjinore & Dhunës në Familje
Dua të theksoj se vetëm në vitet e Qeverisjes demokrate u hartua dhe filloi zbatimi i një legjislacioni të plotë në fushën e barazisë gjinore dhe kundër dhunës në familje.
Tashmë impenjimi ynë mbetet përfundimi i procesit të ngritjes dhe funksionimit të strukturave vendore përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit, ku Mekanizmi Kombëtar i Referimit të Rasteve të Dhunës në familje gjatë 2012 u ngrit në 10 bashki të reja duke arritur në total në 24.
Prej më shumë se një viti, në zbatim të legjislacionit, kemi ngritur dhe funksion tashmë Qendra Kombëtare për pritjen e viktimave të dhunës në familje.
Në 2012 në Kodin Penal u fut për herë të parë parashikimi i dhunës në familje si vepër penale. Shqipëria ratifikoi Konventën e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.
Po ashtu në Ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” tashmë parashikohet përfshirja në programet e strehimit edhe të viktimave të dhunës në familje.
Një VKM e veçantë, për herë të parë, detyron të gjitha institucionet qendrore të planifikojnë në buxhetet e tyre objektiva të matshme për barazinë gjinore.
Tashmë kemi një Plan Masash kundër diskriminimit me bazë orientimi seksual dhe përkatësie gjinore 2012-2014.

OBJEKTIVA 2013
Gjatë 2013 do të përfundojë informatizimi i të gjithë sistemit të Ministrisë së Punës, me fokus kryesor informatizimin e shërbimeve. Në fillim të 2013 përfundon informatizimi i shërbimeve të punësimit dhe, në vazhdimësi, edhe ai i shërbimeve sociale, ku përfshihet skema e ndihmës ekonomike dhe pagesat e paaftësisë.
Objektiv kryesor i Ministrisë së Punës për 2013 mbetet rritja e mbështetjes për shtresat në nevojë dhe ulja e varfërisë, nëpërmjet rritjes së masës së ndihmës ekonomike për familje në masen 5.6%. Gjatë vitit 2013 fillon pilotimi i skemës së re të NE në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, që do të garantojë transparencë më të madhe, targetim më të mirë të grupeve dhe individëve në nevojë, duke përfshirë në skemë edhe familje dhe individë që aktualisht nuk përfitojnë ndihmë, por edhe duke përjashtuar çdo familje apo individ që abuzon.
Në Janar do shpallen projektet fituese të fokusuara tek ngritja e bizneseve sociale, të cilat do t’u krijojnë mundësi kategorive më në nevojë, pa të ardhura dhe me probleme të varfërisë dhe papunësisë të sigurojnë punësim të përhershëm dhe të ardhura të qëndrueshme nëpërmjet punësimit /vetëpunësimit në to.
Krijimi i bizneseve sociale, aplikimi i skemës së re të ndihmës ekonomike, rritja e buxhetit për pagesat ‘kesh’ dhe një kontroll më i mirë i skemave të mbështetjes do të sjellë rezultate të prekshme në luftën kundër varfërisë përgjatë vitit 2013.
Synimi ynë për 2013 është ulja e papunësisë nën nivelin 13% dhe rritja e punësimit, ku vetëm nga programet aktive të Ministrisë së Punës gjatë 2013 do të punësohen 16 mijë persona.
Edhe gjatë 2013 do të vazhdojë politika për rritjen e të ardhurave për 549 mijë pensionistë, e cila do të jetë mesatarisht në masën 3-4% ne qytet dhe 5% ne fshat;
Këtë vit do të rikonstruktohen Qendra polivalente në Poliçan, Qendra e Aftësisë së Kufizuar në Tepelenë dhe Qendra për Pritjen e Romëve në Kombinat të Tiranës.
Në 2013 do të përfundojë procesi i hartimit të Strategjisë së Mbrojtjes dhe Perfshirjes Sociale 2013-2020.
Gjatë 2013 do të fillojë mbështetja e fëmijëve rom që ndjekin arsimin e detyrueshëm me paketa ushqimore pranë insitucioneve arsimore.
Do të vazhdojë puna për ngritjen e institucioneve në nivel vendor dhe qendror të parashikuara në Ligjin “Për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe ligjin “për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje”.
Formimi profesional do të mbetet prioritet, ku parashikojmë çeljen e kurseve të reja në profesionet që janë më të kërkuara në treg, për të përgatitur punëkrkues të kualifikuar të gatshëm të thithen nga tregu i punës. Gjatë 2013 do të çertifikohen 9,000 persona, ku prioritet do t’i jepet grupeve në nevojë të cilët përfitojnë trajtim me tarifa të reduktuara.
Evidentimi dhe zbardhja e punës në të zezë, mbrojtja e fëmijëve nga puna dhe garantimi i kushteve të sigurisë në vendin e punës për çdo punëmarrës do të jetë në qendër të 16.500 inspektimeve që do të ushtrojë gjatë 2013 ISHP.
Në 2013 do të firmosen marrëveshjet e negociuara me gjatë vende në fushën e sigurimve shoqërore dhe do të vazhdojnë përpjekjet për çeljen e negocioatave edhe me vendet e tjera, kryesisht me ato ku numri i emigrantëve shqiptar është më i madh, me Italinë dhe Greqinë.

KOMENTE