English

Lena Grishaj, tenton të helmosë veten, në kujtim të tragjedisë së 9 janarit 2004

9 janar 2004. Një ditë e zezë për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për familjet që humbën familjarët e tyre.
20 persona humbën jetën dhe 8 të tjerë rezultojnë akoma të zhdukur. Tragjedia ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës.

Viktimat ishin kryesisht nga Shkodra dhe Lezha.
Dhe po sot në kujtim të kësaj tragjedie ka tentuar t'i japë fund jetës dhe një prej familjarëve të personave të zhdukur.

Lena Grishaj 22 vjeç nga Lezha, ka tentuar t`i japë fund jetës duke konsumuar një sasi helmi.
Ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku po merr edhe një ndihmë më të specializuar.
Ndërkohë 22-vjeçarja ka humbur vëllanë dhe nusen e tij në tragjedinë e 9 Janarit që sot shënon edhe 9 vjetorin.

Në këtë përvjetor, të afërm të viktimave dhe familjarë të tyre shprehen të zhgënjyer nga drejtësia, e cila sipas tyre nuk ka bërë si duhet punën e saj.
Në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, familjarët i kërkuan vënien para përgjegjësisë ligjore të fajtorëve të vërtetë.
“Kërkojmë që në Shqipëri t’i hapet rrugë drejtësisë me qëllim që funksionarët e lartë të shtetit të jenë të hetueshëm, të vihen përpara drejtësisë. Kjo është e vetmja rrugë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, tha një nga familjarët e viktimave, duke i kërkuar kryeministrit Berisha, i cili në krye të herës në vitin 2004 kur ishte në opozitë u kishte dalë garant duke u thënë se do të bëhej avokat mbrojtës i tyre në zbardhjen e tragjedisë dhe vënies para ligjit të shkaktarëve të saj".

KOMENTE