Kryeministri Berisha priti sot, në takim, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Mentor Shala dhe Drejtorin e Televizionit Bekim Hasani, të cilët ndodhen në Shqipëri, pas propozimit të Kryeministrit Berisha për unifikimin e hapësirës së valëve midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Zoti Shla, duke e falënderuar për pritjen e përzemërt, i tha Kryeministrit se propozimi i tij për një hapësirë shqiptare unike të valëve është mirëpritur jo vetëm nga komuniteti mediatik dhe ka gjetur një mbështetje të gjerë në Kosovë.
Kryeministri Berisha i përgëzoi për vullnetin e dëshmuar për të vënë në lëvizje unifikimin e hapësirës unike të valëve, ndërsa theksoi se ky është një hap i domosdoshëm, pjesë e një procesi të gjerë, në mënyrë që kombi të ndjehet një.
Duke shtjelluar këtë projekt, Kryeministri tha se realizimi i tij është plotësisht i mundshëm dhe se do t’i kërkojë RTSH-së mundësinë e vendosjes së repetitorëve të RTK-së në pikat e transmetimit të televizionit publik shqiptar në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa ftoi edhe të gjitha mediat e tjera në Kosovë, në rast se dëshirojnë, të shtrijnë transmetimet e tyre në Shqipëri.
Zoti Shala tha se RTK ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me TVSH-në dhe mbi këtë bazë do të punohet për realizimin e këtij propozimi, në mënyrë që t’i ofrojmë audiencave në Kosovë e Shqipëri, theksoi ai, programe të larmishme e veçanërisht t’i përcjellim aktualitetin dhe zhvillimet si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.