Projekti strategjik i lançuar nga Kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale, ka nisur të marrë jetë, falë dhe mbështetjes së qeverisë franceze. Me një grant prej 720 000 eurosh të qeverisë franceze, kompania e njohur ndërkombëtare “Egis” do të bëjë në fazën e parë, studimin e fizibilitetit për linjën e tramit Kombinat –Kinostudio dhe në fazën e dytë projektin paraprak dhe strategjinë e implementimit për këtë linjë.
Ambasadorja franceze në Tiranë, znj. Christine Moro tha sot në një takim me Kryebashkiakun Basha, se duke iu përgjigjur kërkesës së Bashkisë, do të bëhet e mundur që të hidhet një hap vendimtar dhe i shpejtë, sa i përket realizimit të linjës së parë të tramit në Shqipëri.
“Ne fillojmë këtë vit të ri me një bashkëpunim të ri dhe të rëndësishëm mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë franceze. Me kërkesën e z. Kryetar të Bashkisë, qeveria franceze pranoi të financonte studimin e fizibilitetit dhe projektit paraprak të një linje tramvaji në Tiranë. Tramvaji është një zgjidhje e cila është aplikuar me sukses nga shumë qytete të mëdha në mbarë botën e po kështu në këtë drejtim është angazhuar edhe qyteti i Tiranës.
Fondi i qeverisë franceze, në shumën 720 000 euro i jep mundësi Bashkisë të iniciojë këtë projekt strategjik për zhvillimin urban të Tiranës. Studimi do të realizohet përmes “Egis International”, një ndërmarrje e inxhinierisë franceze, për infrastrukturën e transportit, me shtrirje ndërkombëtare dhe mjaft e njohur në Shqipëri, duke qenë se kontribuon në zhvillimin e projekteve strategjike në Shqipëri që prej 15 vitesh, në veçanti sa i përket rrugëve dhe autostradave.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Bashkisë, ne sjellim kësaj radhe përmes “Egis”, një kontribut i cili është në të njëjtën kohë financiar por edhe teknik dhe që do të mundësojë të hidhet një hap vendimtar dhe i shpejtë, sa i përket realizimit të linjës së parë, duke e parë këtë projekt në dritën e një vizioni global dhe që merr parasysh nevojat e së ardhmes, për t’i shërbyer edhe lagjeve të tjera të qytetit. Në këtë drejtim, interesi i shprehur nga qeveria franceze, modernizimi i pajisjeve të vëna të dispozicion të popullsisë, kontribuon gjithashtu në progresin e Shqipërisë drejt standardeve evropiane dhe drejt integrimit të saj evropian.” - theksoi znj. Moro.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka falënderuar qeverinë franceze, që iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Bashkisë së Tiranës dhe Kryebashkiakut Basha, për të sponsorizuar studimin e fizibilitetit dhe studimin paraprak për linjën e tramit Kombinat-Kinostudio. Kryerja e studimit nga “Egis” - tha z. Basha, është një garanci për sukses.
“Procesi nis me këtë sponsorizim prej 720 mijë eurosh, procesi nis me praninë e kësaj firme prestigjioze, e kësaj studioje prestigjioze që do të marrë përsipër fizibilitetin dhe projektin teknik por mbi të gjitha dua t’ju falënderoj për besimin që Franca, qeveria franceze, taksapaguesit francezë kanë tek kryeqyteti ynë, tek Tirana dhe tek objektivat tona për një Tiranë moderne, evropiane, pjesë e pandarë e së cilës është edhe ndërtimi i linjave të tramvajit.
Në këtë kuadër, dua t’ju garantoj se Bashkia e Tiranës është e përkushtuar për një bashkëpunim sa më të frytshëm me ekipin e “Egis International”, me ju znj. Ambasadore dhe stafin e Ambasadës këtu në Tiranë si dhe me të gjithë institucionet përkatëse të qeverisë franceze, që kjo fazë e parë e procesit të shkojë sa më mirë dhe t’i hapë rrugë fazës më të rëndësishme, atë të zbatimit të projektit dhe ndërtimit të linjës së tramvajit dhe pajisjes së saj me tramët që presim t’i kemi sa më shpejt në kryeqytetin tonë” – u shpreh z. Basha.
Kryebashkiaku Basha ka theksuar se vënia në funksionim e linjës së tramit në Tiranë, do të ketë një impakt të menjëhershëm në cilësinë e jetës, në ambientin e Tiranës dhe uljen e kostos së lëvizshmërisë për qytetarët.
“Natyrisht, nuk mund të lë pa përmendur vlerën e menjëhershme që do të ketë për cilësinë e jetës në Tiranë, përdorimi i linjës së tramit. Në radhë të parë, një kontribut për ambientin, efiçencën e lëvizshmërisë dhe uljen e kostos së lëvizshmërisë për qytetarët e Tiranës dhe për një transformim tërësor të mentalitetit të lëvizjes në Tiranë, duke orientuar më shumë qytetarë drejt transportit publik dhe duke mundësuar përmes uljes së përdorimit të makinave private, një ambient më të mirë për ne dhe brezat që do të vijnë. Dua t’ju shpreh falënderimet e mia më të përzemërta dhe t’ju garantoj se ky besim që keni ndaj qytetit, kryeqytetit tonë do të justifikohet dhe ne së bashku do të jemi dëshmitarë të përfundimit me sukses të këtij projekti, të cilin unë do e konsideroja si historik, për nga rëndësia dhe për nga kontributi që do të ketë për cilësinë e jetës në qytetin tonë dhe për realizimin e vizionit tonë për një Tiranë moderne dhe evropiane”
Nisja e studimit për linjën e tramit të Tiranës pason përfundimin e draft - studimit për terminalin multimodal të pasagjerëve dhe përfundimin e projektit teknik të bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. 3 projektet strategjike të lançuara përgjatë fushatës elektorale, janë futur tashmë në rrugën e zbatimit të tyre.