English

Muzeu Historik i Policisë së Shtetit

Dje në ambientet e Qendrës së Formimit Policor në Tiranë u bë inaugurimi i Muzeut Historik të Policisë së Shtetit. Ky muze, i inauguruar një ditë para kremtimit të 100 Vjetorit të Policisë së Shtetit, pasqyron rrugën e kryer nga kjo polici në 100 vjet të jetës së saj.

Në këtë ceremoni inaugurimi ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi, Zv/Ministri i Brendshëm Arben Ristani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Turqisë Z. Zeki Çatallkaja, ish drejtues të Policisë së Shtetit, etj.

Shiriti i përurimit të Muzeut Historik të Policisë së Shtetit u pre nga Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Burgaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Burgaj theksoi se ngritja e Muzeut Historik të Policisë së Shtetit ka qenë dhe mbetet një obligim për të paraqitur me dokumenta arkivore rrugën e zhvillimit të policisë, si dhe vlerësuar drejt personalitetet dhe drejtuesit e policisë, që kanë lënë gjurmë në këto 100 vjet të veprimtarisë së Policisë së Shtetit.

Duke evidentuar rëndësinë e këtij muzeu Z. Burgaj u shpreh “Muzeu sjell dëshmi të rralla përmes dokumenteve arkivorë, si vendimi i Qeverisë së Vlorës për krijimin e forcave të rendit dhe dhjetëra akte të tjera që ekspozohen për herë të parë. Muzeu është një kontribut i shtuar jo vetëm për ndriçimin e së vërtetës, por edhe për të ruajtur vazhdimësinë e rrugës që ka ndjekur policia nga krijimi i saj deri në ditët e sotme”.

Gjatë kësaj ceremonie Zv/Drejtori i Policisë së Turqisë z. Remzi Çatall Kaja i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duke e cilësuar si një dhuratë e dhënë nga Policia Turke për Policinë mike të Shqipërisë.

Më pas të pranishmit patën rastin të vizitonin muzeun Historik të Policisë së Shtetit, ku u njohën me ekspozitën e dokumenteve, që pasqyrojnë të vërtetën e rrugëtimit të policisë së shtetit nga krijimi i saj deri në ditët e sotme, ekspozitën me uniformat e përdorura nga policia ndër vite, si dhe ekspozitën me lloje të ndryshme armësh, që ka pasur policia e shtetit. Një vend nderi të veçantë në këtë Muze i është kushtuar edhe ekspertëve të huaj holandez, britanik, austriak, francez, italian, etj, të cilët në vazhdimësi kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për krijimin, organizimin dhe trajnimin e policisë së shtetit të ri shqiptar.

KOMENTE