English

Nikoliç: Në jetë kam humbur shumë, por Kosovën nuk mund ta humb

Pas polemikave tepër të ashpra dhe shumë përpjekjesh si dhe pas 14 orësh debat, 175 deputetë nga 250 kanë votuar për rezolutën, 19 kanë qenë kundër, kurse deputetët tjerë nuk votuan.
Pra Kuvendi serb ka miratuar rezolutën për Kosovën, me të cilën Serbia kërkon autonomi për serbët e Kosovës, por refuzon njohjen e saj.

15 amendamentet e propozuara, ku 14 prej tyre refuzohen nga Këshilli për Kosovën i Kuvendit, ndërsa demokratët tërhoqën amendamentin e tyre për mundësi të ndërprerjes së bisedimeve.

Pas një dite maratonike, deputeteve u është drejtuar edhe presidenti, Tomisllav Nikoliç, i cili tha se ka humbur shumë beteja, por Kosovën nuk mund ta humbë.

“A jam i lumtur që do ta miratoni një rezolutë të tillë. Nuk jam. Në jetë kam humbur shumë, por Kosovën nuk mund ta humb pasi nuk është e imja. Unë po mbaj mbi vete një kryq, ju lutem mbajeni dhe ju nga një kryq të vogël dhe nëse kjo është e rëndë për ju atëherë votoni kundër”, ka thënë Nikoliç.

Rezolutën nuk e kanë mbështetur as ultranacionalistët dhe liberalët, ndërsa gjatë ditës radikalët kanë protestuar para Kuvendit duke kërkuar ndërprerjen e bisedimeve.


Rezoluta e Serbisë për Kosovën i jep fuqi kryeministrit serb dhe grupit të bisedimeve për të shkuar në negociata me Kosovën, duke vepruar në bazë të platformës politike të Serbisë të cilën edhe e mbështet rezoluta.

Qeveria serbe dhe presidenca hartuan në konsultim edhe me serbët e Kosovës një dokument, i cili sipas detajeve të bëra publike, parasheh një autonomi për serbët e Kosovës dhe komunat serbe në veri.

Me këtë ide, serbët do të kishin një parlament të tyre, një polici dhe një nivel autonom të drejtësisë, ndërsa do të kishin edhe kompetenca në energjetikë dhe nivele të tjera.

Ideja e platformës të cilën e mbështetë rezoluta për bisedimet me Kosovën, thotë se serbët, përkatësisht edhe kishat ortodokse, do t’i ruante Ushtria e Serbisë, Ushtria e Shqipërisë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Në dokument saktësohet se Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, por në këtë mënyrë institucionet serbe në Kosovë do të ishin të pranueshme edhe për Prishtinën dhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Qeveria pritet ta publikojë dokumentin në tërësi, kurse ky është dokumenti apo rezoluta e 11 me radhë për Kosovën e miratuar në Kuvend.

KOMENTE