Kryeministri Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti sot në mbrëmje takimin festiv në Pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet. E pranishme ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli.
Mes entuziazmit të qytetarëve të Shkodrës, Kryeministri Berisha tha Partia Demokratike kremton sot 22 vjetorin e themelimit të saj, si forcë e ndryshimeve epokale dhe do të vazhdojë të jetë forcë madhore për Shqipërinë, vend i zhvilluar, Shqipërinë europiane.
Në fjalën e tij ai ka theksuar:
"Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Sot, ne kremtojmë një ditë lirie, por ju kremtoni më krenarë se kurrë dhe se kush do tjetër, sepse ju në kohëra të vështira e të zeza, në kohëra të mira, në varfëri e në pasje, ju gjithmonë i qëndruat besnikë, më shumë se kushdo tjetër, vetes suaj, vlerave të shpirtit tuaj, që nuk i dorëzuat kurrë. Ne jemi ndryshimi - Përpara!
Por, sot, ne kremtojmë 22 vjetorin si forcë politike që lindi nga aspiratat ndjenjat, ëndrrat më të bukura të lirisë së shqiptarëve, kremtojmë themelimin e Partisë Demokratike. Ne vijmë në këtë ditë të bekuar, më të gatshëm, më të vendosur e më të sigurt se kurrë për betejë, për fitore.
Ne vijmë sot, në këtë ditë, si forca e ndryshimeve epokale. Shqipërinë e mjerimit, skamjes, vuajtjes e nëpërkëmbjes, ne e nxorëm në vendin me të ardhura të mesme të larta, në vendin e shpresës, në vendin e besimit. Ne jemi ndryshimi - Përpara!"