Alalistë, sociologë, ekonomistë etj, nga të gjithë sektorët e jetës janë duke analizuar se nga cilat situata apo ç'prirje do të ketë viti 2013?
Një numër faktorësh, që nga nga preferencat e konsumatorëve, e deri tek kostoja e prodhimit, u japin tonin produkteve që do të hedhin në treg industri të ndryshme. Në materialin në vazhdim njihemi me prirjet që do të ndjekin restorantet dhe klubet moderne gjatë vitit 2013.
Në këtë restorant në Los Anxhelos, njerëzit bëjnë porositë për pjata që, ndryshe nga tradita amerikane, kanë porcione më të vogla. Kuzhinat në restorantet Bottega Louie, Gourmet Market dhe Pattisserie, përgatisin pjata të shijshme, por në porcione të reduktuara. Andrew Bender, i cili shkruan për faqen elektronike Forbes.com, rendit disa nga prirjet e reja në gatim dhe pije.
“Mishi i bizonit, i këtij simboli të rrafshit amerikan do të jetë më i pranishëm në menu, po ashtu amarot për pijet e përziera. Gjithashtu po shohim makarona me salca më të veçanta, me argjinare dhe proshuto për shembull. Po vazhdon edhe tendenca e kuzhinjerëve për të zgjedhur prodhime të freskëta e sezonale nga fermat lokale”.
Matt Daniel, menaxher i restorantit Bottega Louie, thotë se pjatat e vogla janë shtuar në menunë e restoranteve që i janë përshtatur gatimit modern:
“Për sa i përket vëllimit të shitjeve, klientët i kërkojnë këto pjata. U pëlqen fleksibiliteti që ofron kjo menu. Shpesh ata zgjedhin një pjatë të vogël para se të bëjnë porosinë për pjatën kryesore, ose zgjedhin 2-3 pjata të vogla në vend të një pjate kryesore. Thuajse një e treta e pjatave që përfshijmë në menu, ofrohen në porcione të vogla”.
Me pak fjalë, prirjet që shohim sot në kuzhinë pasqyrojnë tendencën e frekuentuesve të restoranteve për të konsumuar ushqim më cilësor dhe më pak kalori. Si rezultat i kësaj, po shfaqen gjithnjë e më shumë pjata vegjetariane. Tani zarzavatet nuk i sheh vetëm në sallatë, apo në pjata shoqëruese, por edhe si pjata kryesore.
Megjithatë, ëmbëlsirat nuk dalin kurrë nga moda. Të gjitha restorantet moderne që premtojnë kuzhinë të shëndetshme, vazhdojnë të shërbejnë krijime sa tërheqëse për syrin, aq edhe të rënda nga kaloritë.
Në banakun e klubeve është shfaqur preferenca për pije të përziera me amaro. Po gëzojnë popullaritet edhe verërat organike. Disa restorante po filtrojnë vetë ujin, të cilin ua shërbejnë falas klietëve, pa qenë nevoja që të blejnë shishe uji që sillet nga larg me kamiona. E gjithë kjo në emër të mbrojtjes së mjedisit.