Një artikull mbi studimin e kryer nga Katherine Flegal dhe kolegët e saj, shoqëruar nga një koment redaksional nga Steven Heymsfield, është botuar në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane lidhur me rrezikun nga vdekja i cili është më i ulët në personat që janë pak mbi peshë, ose pak obezë krahasuar me ata me peshë normale.
Studimet që u kryen gjatë dekadës së kaluar, përfshinin rreth 3 milionë të rritur nga pika të ndryshme të globit. Një analizë e përbashkët e këtyre studimeve nga Qendra Kombëtare e Statistikave Shëndetësore në Meriland tregon se individët që konsiderohen pak mbi peshë, ose pak obezë kishin një rrezik 6 % më të ulët të vdisnin nga shkaqe të ndryshme, krahasuar me njerëz të një peshe normale. Por studiuesit zbuluan se kërcënimi nga vdekja për individët me obezitet të theksuar mbetet 30 për qind më i lartë krahasuar me individët me peshë normale.
Analiza përfshinte studime të kryera në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Kinë, Tajvan, Brazil, Indi dhe Meksikë. Autorja kryesore e studimit Katherine Flegal thotë se nuk ishte çuditur nga përfundimi i studimit:
“Kishim lexuar shumë nga këto studime dhe e kishim të qartë se ritmet e vdekshmërisë për persona pak mbi peshë nuk do të ishin më të larta se për personat me peshë normale. Por duhet të pohoj se mbeta disi e habitur që rreziku për këta persona ishte në fakt më i ulët. Po ashtu më çuditi fakti që personat që konsiderohen disi obezë nuk janë në rrezik më të madh se personat me peshë normale”.
Por zonja Flegal thekson se diferenca tek ritmet e vdekshmërisë duket e vogël ndërmjet grupeve të studiuara.
Zbulimet e studimit kanë vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e të ashtu-quajturit Indeksi i Masës Trupore, që mat sasinë e dhjamit në trup duke analizuar raportin mes gjatësisë dhe peshës së individit. Vitet e fundit ky indeks është përdorur nga punonjësit e shëndetësisë si barometër për kërcënimet që i kanosen shëndetit.
Steven Heymsfield, drejtor ekzekutiv i Qendrës Pennington për Kërkime Bio-Mjekësore në Baton Ruzh të Luizianës, thotë se një individ që merret me sport mund të jetë në gjendje të përsosur shëndetësore, por mund të peshojë më shumë sepse ka vënë muskuj.
“E shohim rëndom në ushtri, për shembull, ku ka plot djem e vajza që merren me fizkulturë, indeksi i masës trupore është disi më i lartë”.
Por zoti Heymsfiled paralajmëron se individët nuk duhet të nxjerrin nga kjo analizë përfundimin se u duhet të shtojnë peshë, pasi pesha normale i shërben ruajtjes së shëndetit të zemrës dhe shmangies së diabetit.