Epidemiologu i spitalit të fëmijëve të Bostonit, John Brownstein po shënon vendet ku po ndodh epidemia e gripit.
Në Shtetet e Bashkuara sezoni i gripit arriti kulmin e vet, dhe ky studiues po punon për ta bërë publikun të ndjekë prirjet e epidemisë. Duke përdorur teknologjinë e re, ai është në gjendje t’u japë zyrtarëve të shëndetit publik informacione të vlefshme më shpejt sesa me metodat e zakonshme.
Deti i pikave në hartën virtuale të Shteteve të Bashkuara tregon rrjetin e vullnetarëve të faqes së tij elektronike, “Flu Near You”, ose “Gripi Pranë Jush”.
“Ideja është çdo javë të marrim informacione të shpejta se në ç’gjendje janë njerëzit. "
Një email i shkurtër i përjavshëm pyet pjesëmarrësit rreth shëndetit të tyre. Në vetëm disa muaj, grupi “Flu Near You” ka rekrutuar gati 40,000 vullnetarë dhe vazhdon të zgjerohet.
“Ne marrim mendimin e publikut për gjendjen e shëndetit publik.”
Spitalet dhe zyrat e mjekëve kanë pare rritje të rasteve të gripit në fund të dhjetorit, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Por mjeku Brownstein thotë se ai është përpara me dhënien e informacioneve.
“Grupi ynë tregon se epidemia që arriti pikun tani po bie. Në fakt shifrat e fundit që po vijnë nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve e provojnë një gjë të tillë."
Brownstein ka në plan ta kthejë këtë në një sistem global dhe ta zgjerojë atë edhe për sëmundje të tjera. Ai drejton edhe faqe të tjera elektronike si “HealthMap”, që ka shtatë vjet që ndjek shpërthimin e epidemive në botë.
Ai thotë se kur ishte student e ndjente mungesën e informacionit nga ministria e shëndetësisë.
“Më lindi ideja për të krijuar një faqe ku informacionet që vijnë nga lajmet, media sociale dhe bllogjet t’i hidhnim për të treguar prirjet e sëmundjes”.
Ndjekja e shpërthimit të kolerës në Haiti në vitin 2010 nga faqja HealthMap automatizoi kërkimet, duke dhënë informacione të shpejta për trajektoret e sëmundjes.
Sot ai po ndjek shpërthimin e epidemisë së ebolës në Uganda.
“Mendojmë se ka mundësi për të ndjekur në kohë reale shpërthimin e sëmundjeve infektive me këto mjete të teknologjisë që kemi."
Mjete që shënojnë në harta virtuale se ku po ndodhin në kohë reale sëmundjet.