Me një investim prej 63,7 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të bulevardit "Petro Nini Luarasi", me gjatësi 805 m. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i pranishëm në nisjen e punimeve, tha se pas 8 muajsh, banorët do të kenë një rrugë të standardeve më të mira evropiane.
“Po kaq të kënaqur sa banorët e kësaj rruge, jam sot edhe unë, Kryetari i Njësisë Bashkiake nr.2, z. Gjozaj, deputetja e zonës Lajla Përnaska, të cilët janë interesuar vazhdimisht për fillimin e punimeve të këtij projekti të miratuar me buxhetin e vitit 2012 dhe të identifikuar nga vetë qytetarët e njësisë bashkiake nr.2, si projekti kryesor, prioritar i kësaj zone, për shkak të gjatësisë së kësaj arterie të rëndësishme të qytetit tonë, e cila përkthehet në një numër të madh banorësh që janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi.
Kënaqësia shumëfishohet, kur kemi parasysh mosbesimin me të cilin me të drejtë, disa qytetarë të Tiranës dhe të njësisë bashkiake nr.2 përkthenin edhe premtimin tonë për këtë projekt, mosbesim i ligjshëm siç thashë, sepse kjo rrugë është premtuar shumë herë, disa herë edhe është derdhur ndonjë lopatë zhavorr. Por kjo është hera e parë që ne do të ndërhyjmë në mënyrë kaq intensive dhe do i kthejmë “Petro Nini Luarasit”, kësaj rruge të rëndësishme që në fakt quhet edhe bulevard, të gjithë parametrat modernë.
Mbi 12 mijë banorë përfitojnë nga ky investim i Bashkisë së Tiranës, për shkak edhe të rëndësisë që kjo arterie luan në transportin jo vetëm të njësisë bashkiake nr.2 por edhe të gjithë qytetit të Tiranës, pasi siç e shikoni intersekton me Unazën e mesme të qytetit por edhe me zona të tjera të kryeqytetit” – u shpreh z. Basha.
Në 505 metra gjatësi të bulevardit, gjerësia e tij parashikohet të jetë 11.5 m dhe trotuarë variabël 2 deri në 3m nga të dy krahët, ndërsa në gjatësinë fundore të tij prej 300 metrash, gjerësia do të jetë 7 m dhe trotuarë 2 m në dy anët.
“Kjo rrugë do të ketë të gjithë shtresat e nevojshme të inxhinierisë nëntokësore, ujësjellës-kanalizimeve, me riparimet e nevojshme në rrjetin ekzistues dhe shtrimin e rrjetit tjetër, kabllot e telefonisë dhe internetit, ndriçimin me mbi 50 shtylla të reja dhe riparimin e ndriçimit aktual dhe do të mbillen mbi 150 fidanë të rinj pemësh. Natyrisht, do të respektohen standardet më të mira të ndërtimit në një qytet evropian, sa i përket inxhinierisë mbitokësore, në mënyrë që pas marrjes në dorëzim nga njësia bashkiake nr.2, mirëmbajtja të jetë një punë sa më e lehtë dhe qytetarët ta gëzojnë sa më gjatë këtë investim të Bashkisë, që në fakt po bëhet me paratë e tyre dhe po përmbush një prioritet të tyre, për një jetë më të mirë në këtë zonë të qytetit dhe një hap më afër Tiranës moderne evropiane”, - theksoi Kryebashkiaku Basha.
Kreu i Bashkisë bëri të ditur se brenda pak ditësh do të nisë puna për një rehabilitim provizor të rrugës pranë Tregut Elektrik, që lidh bulevardin “Petro Nini Luarasi” me rrugën “Ali Demi”, ndërkohë që ka nisur projekti i tij dhe është pjesë e investimit të buxhetit të vitit 2013. Kjo arterie do të kontribuojë në lehtësimin e trafikut. Ky segment rrugor bën të mundur qarkullimin e automjeteve nga bulevardi “Petro Nini Luarasi”, në rrugën “Ali Demi”, për të vijuar me rrugën “Kont Leopold Bertold” dhe me bulevardin “Bajram Curri”.